ANGLI- Një nënë është burgosur pasi e la foshnjën e saj vetëm në shtëpi, të mbyllur në një dhomë, në një temperaturë 27 gradë celsius, me një frakturë në kokë dhe pa u kujdesur për të. Nëna 35-vjeçare e pa përgjegjshme, gjatë kësaj kohe shkoi të bënte pazare dhe detyra të tjera.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin Melksham të Anglisë ku Stacey Davis, 35 vjeç, e la të voglin Ethan Davisin, 1 vjeç në krevatin e tij për dy orë, në temperaturë të lartë në qershor të vitit 2018, pa dritare të hapura ndërsa ajo mori makinën e saj dhe shkoi të vizitonte disa dyqane.
Pasi u kthye në shtëpi, edhe për 30 minuta të tjera, nëna nuk shkoi në dhomën ku ndodhej 1-vjeçari, pasi po fliste me mesazhe me një mik të sajin. Kur 35-vjeçarja hyri në dhomë, e gjeti fëmijën pa shenja jete krevatin e tij. I vogli u dërgua në spital, por u shpall i vdekur pak më vonë.
Mësohet se 35-vjeçarja Davis kishte konsumuar vazhdimisht kanabis rreth djalit të saj 1-vjeçar.
Prokurori i çështjes tha po ashtu se një ekzaminim pas vdekjes gjeti një dëmtim të rëndë në kokën e foshnjës, një frakturë 15 cm në kafkë, por shkaku i vdekjes së Ethan mbeti i paqartë. Davis i kishte thënë policisë se djali i saj kishte rënë dhe goditi kokën, por pavarësisht ënjtjes, mavijosjes dhe problemit të dukshëm të voglit , ajo e kishte neglizhuar dhe nuk e kishte çuar djalin në spital.
“Çdo prind i arsyeshëm do ta kishte vënë re shqetësimin dhe do të kishte kërkuar ndihmë mjekësore”, tha prokurori.
Hetuesi mjeko-ligjor Nicola Anderson tha se kishte nivele të larta të kanabisit në flokët e Ethan-it, duke sugjeruar që Davis e kishte pirë drogën rreth tij rregullisht.
Avokati i mbrojtjes Mark Ashley tha se rasti i klientit të tij ishte një "shembull klasik i depresionit pas lindjes" dhe ajo kishte vuajtur probleme financiare dhe kishte luftuar për t'u lidhur me djalin e saj, i cili lindi para kohe me prerje cezariane dhe kërkoi menjëherë një operacion, duke rezultuar në një qëndrimi dy mujor në spital.
Ai tha se ajo kishte frikë ta çonte në spital me një dëmtim pasi shërbimet sociale e hoqën më parë nga kujdesi i saj për shkak të një këmbë të dyshuar të thyer, e cila më vonë u zbulua se nuk ekzistonte dhe ai iu kthye nënës së tij. 35-vjeçarja u dënua me dy vjet burg për mizori ndaj fëmijëve në Gjykatën e Kurorës së Salisbury, pasi më parë e kishte pranuar veprën penale.