TIRANË- Gjykata e Tiranës ka caktuar këtë të enjte masën e sigurisë “arrest me burg” për Vladimir Gjutën të arrestuar më 10 shkurt pasi u kap me armë pranë selisë së PS. Në seancën e zhvilluar ditën e sotme Gjuta u njoh edhe me dy akuza të tjera, ‘goditje për shkak të detyrës’ dhe kanosje.

Këto akuza janë ngritur ndaj këtij të fundit pasi gjatë qëndrimit në qeli Gjuta ka dërguar letra kërcënuese në drejtim të drejtorit të burgu 313, ku i kujtonte se ishte “më i forti” veprim ky që e mbylli atë në izolim.

Fillimisht ndaj Gjutës u ngrit një komision ku u sqarua arsyeja e zhvillimit të procesit disiplinor e më pas ai u pyet lidhur me letrat kërcënuese që kishte dërguar në adresë të titullarit të institucionit. Kjo pyetje duket se ka nervozuar Gjutën , i cili në vend të përgjigjes ka goditur me shkelm tavolinën ku ishin ulur anëtarët e komisionit dhe ka vazhduar me fyerje, sharje e kërcënime për jetën e tyre.

Edhe pas këtij episodi ai u dërgua në izolim, por edhe aty nuk i ndali aktet e dhunës. Në relacionet e institucionit të vuajtjes së dënimit janë drejtuar prokurorisë janë të renditura disa nga shkeljet e kryera prej tij në ambientet e burgut.

Në një rast tjetër ai akuzohet se goditi punonjësin e shërbimit, pasi vonoi pak minuta t’i hapte derën e qelisë.

“I paraburgosuri Vladimir Gjuta me kërkoi të bënte telefonatat. I thashë “prit të vijë grupi i sigurisë dhe pastaj do të nxjerr të flasësh në telefon”. Grupi i sigurisë nuk vonoi dhe unë i hapa derën të paraburgosurit. Ai me goditi direkt në mjekër. Ndërhynë forcat që e futën në izolim”.

Më tej në dosje thuhet se me 31 janar 2020, i paraburgosuri ka tentuar të godasë me grusht shefin e regjimit, por duke qene se ai është shmangur, Gjuta e ka kafshuar në dorë. Oficeri i policisë shpjegon se Gjuta i kishte kërkuar takim pasi donte te dinte se kush i kishte dërguar ushqime si dhe një kartë telefoni. Me të hyrë në regjim shpjegon ai, i paraburgosuri reagoi ashpër dhe tentoi ta godiste.

Aktualisht Gjuta  ndodhet në sektorin e observimit, pasi është problematik si me bashkëvuajtësit ashtu edhe me punonjësit e policisë. Pas një sërë hetimesh dhe nisur nga provat e paraqitura nga institucioni  akuzës, gjykata e Tiranës caktoi një masë të re sigurisë “arrest me burg” për të paraburgosurin.