Është zbuluar shkaku i vdekjes së aktores së njohur Catherine O’Hara, e cila u nda nga jeta më 30 janar në moshën 71-vjeçare.

Sipas certifikatës së vdekjes të lëshuar nga Qarku i Los Anxhelosit, shkaku i vdekjes ishte një embolizëm pulmonar, ndërsa kanceri i rektumit u identifikua si shkaku themelor afatgjatë.

Embolizmi pulmonar ndodh kur një mpiksje gjaku bllokon një arterie në mushkëri. Dokumenti u nënshkrua nga onkologu i saj, i cili bëri të ditur se e kishte trajtuar O’Hara-n që nga marsi i vitit të kaluar dhe se takimi i fundit me të kishte qenë më 27 janar. Aktorja ndërroi jetë në një spital në Santa Monica, Kaliforni.

Vdekja e saj ishte një surprizë për publikun dhe bashkëpunëtorët, pasi përfaqësuesit e saj kishin deklaruar fillimisht vetëm se ajo kishte vdekur “pas një sëmundjeje”, pa specifikuar që ajo vuante prej disa kohësh nga kanceri.

Catherine O’Hara ishte një nga figurat më të dashura të komedisë, e lindur në Kanada ishte e njohur fillimisht si pjesë e programit legjendar humoristik SCTV. Ajo u bë e famshme në mbarë botën për rolin e nënës së personazhit të Macaulay Culkin në filmat “I vetëm në shtëpi”, si dhe fitoi një çmim Emmy për interpretimin e Moira Rose, matriarkja ekscentrike dhe e pavëmendshme në serialin e suksesshëm “Schitt’s Creek”.