TIRANE- Politika është tronditur nga humbja tragjike e deputetit Sokol Olldashi, si pasojë e një aksidenti në aksin rrugor Tiranë- Elbasan. Kolegë dhe miq të deputetit janë shprehur të pikëllyer për vdekjen e Olldashit, ndërsa kanë ngushëlluar familjarët për humbjen e madhe. Por jo vetë, dje në Parlament, ku zhvillohen seancat plenare ka pasur shumë njerëz që admironin Olldashin. Mes rreshjeve të shiut zunë radhën për ti dhënë Lamtumirën e Fundit deputetit, ish-ministrit dhe gazetarit Sokol Olldashi. Ata folën me heshtje, ndërsa klasa politike arriti ta trasmetonte mesazhin në media. Lulzim Basha, kreu i PD-së me dhimbje tha se e sotmja nuk duhet të ishte e vërtetë. “Nuk na besohet të mos e shohim Sokolin në këmbë. Të dashur familjarë, miq e kolegë, si bashkëpunëtor, kryetari i PD-së e kam unë këtë barrë të rëndë të përcjell bashkë me ju, me lot e dhimbje. Do donim që kjo e sotmja të mos ishte e vërtetë. Të mblidheshim sot për të festuar ditëlindjen e tij apo një festim familjar. Vetëm të mos themi që Sokoli nuk është më mes nesh. Ishte i paepur. Shkëlqeu si gazetar politik dhe opozitar i paepur. Çmontonte dhe denonconte intrigat politike dhe na jepte kurajo ishim pakicë dhe kur forcat e errëta përpiqeshin të na zhbënin. Sokoli nuk u nda kurrë nga ky rrugëtim i PD-së, me profilin kurajon e vizionin e tij. Na krijove dhimbje. Por je dhe do të jesh impuls dhe forcë. Një zë i dashur dhe mik i përjetshëm, djalë e baba i pazëvendësueshëm. Lamturimë i dashur mik e vëlla, u prefsh në paqe”, është shprehur Basha. Ndërsa ish- kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar Olldashin si një politikan të talentuar dhe një prej zërave më të fuqishëm.

“Njëri nga politikanët më të talentuar, njëri nga zërat më të fuqishëm, qeveritarët më eficentë. Eshtë shënuar në memorien e kohës me vepra të pavdekshme. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve dhe dua të them se Sokol Olldashi jeton dhe do jetojë midis nesh me veprën e tij, trashëgiminë e tij me gjithçka që ai bëri për PD, për vendin, për kombin e tij". Ndërsa ish-kryetares së Kuvendit Jozefina Topallit i ka humbur një mik shumë i mirë, dhe partisë një demokrat të jashtëzakonshëm. “Kishte kurajo të jashtëzakonshme. Me një humor, simpati guxim. E kam dash shumë Sokolin, kishte instikt politik të rallë. Ishte një njeri i rrallë. Një demokrat i jashtëzakonshëm. Ngushëllimet më të sinqerta mamasë së Kolit e cila e internuara duhej të kujdesej për Sokolin. Humbëm koleg të jashtëzakonshëm”, është shprehur Topalli për mediat pasi doli nga “takimi i lamtumirës”.
 
Tritan Shehu

Humbëm një shok, një mik. Humbje e tmerrshme për atë dhe familjen. Humbje e tmerrshme për politikën e shoqërinë.
 
Majlinda Bregu

Lamtumirë Koli, miku im i mirë. Paç paqe në atë botë më shumë se trazirat e kësaj që le.
 
Bujar Nishani
“Do ta kujtojmë Sokol Olldashin për kontributin e tij të gjithanshëm në jetën politike e publike në vend, për përpjekjen e tij të palodhur për demokracinë”
 
Albana Vokshi
“Askush nuk gjen dot sot fjalët e duhura për të shprehur dhimbjen për humbjen e një miku të mirë si Sokol Olldashi. Askush nga ne ende s'e beson dot atë që ka ndodhur”
 
Kreshnik Spahiu
“U lind si qytetar por u rrit në mjerim dhe persekutim, u edukua nga një nënë mes skamjesh dhe në interrnim, u formua gjatë një epoke në anarki dhe rebelim, u maturua si një lider social dhe në zhvillim”.
 
Oerd Bylykbashi
“Do të të kujtoj ashtu si në ditën e parë kur u njohëm në gjimnaz në 1988. Do të të kujtoj si nxënës i shkëlqyer, inteligjent, i shkathët, poet i talentuar dhe me kitarën tënde në dorë.”.

Shkrimi u publikua sot (22.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)