Detaje të reja kanë dalë në dritë për natën tragjike ku humbi jetën 19-vjeçarja në Kefalonia të Greqisë, duke zbuluar se gjithçka nisi nga një njohje e fundit që ajo kishte krijuar online.

Bëhet fjalë për një 23-vjeçar, me të cilin e reja kishte nisur të komunikonte vetëm javët e fundit dhe që më pas u kthye në personin me të cilin ajo doli mbrëmjen fatale. Sipas dëshmisë së shoqes së saj të fëmijërisë, ajo ishte paralajmëruar disa herë që të mos shoqërohej me të, pasi “nuk kishte dëgjuar gjëra të mira” për të.

Megjithatë, 19-vjeçarja nuk e mori seriozisht këtë paralajmërim. Ajo i kishte thënë shoqes se nuk kishte rëndësi, pasi djali do largohej nga ishulli dhe nuk do ta takonte më.

Sipas hetimeve, gjithçka nisi rreth orës 00:27, kur ajo hyri në apartamentin me qira në Argostoli bashkë me 23-vjeçarin.

Fillimisht, atmosfera sipas mediave greke, ka qenë normale  por më pas, situata ka marrë tjetër drejtim.

Rreth orës 02:00, sipas dëshmive, vajza ka kërkuar të konsumojë kokainë. 23-vjeçari kontakton një ish-peshëngritës, i cili mbërrin me drogën. Jo vetëm kaq. Ai largohet dhe rikthehet sërish me një sasi tjetër, pasi, sipas dëshmisë, vajza e kërkonte vazhdimisht.

Në këtë pikë, në dhomë futet edhe një 22-vjeçar shqiptar, duke e bërë situatën edhe më të rëndë.

Pas konsumimit të përsëritur të kokainës, gjendja e 19-vjeçares përkeqësohet ndjeshëm.

Ajo nis të ketë konvulsione, dridhje të forta dhe humbet ndjenjat. Fillimisht, njëri prej të rinjve mendon se po bën shaka, por shumë shpejt e kuptojnë që situata është serioze.

Përballë nevojës për të thirrur ambulancën, djemtë vendosin të mos rrezikojnë veten.

 “Nuk mund të thërrasim urgjencën, do na përfshijnë’ thonë ata.

Kështu ish-peshëngritësi e merr në krahë pa ndjenja dhe e nxjerr jashtë. Pamjet filmike tregojnë qartë momentin në orën 04:31 kur ajo transportohet drejt sheshit ku më pas u braktis.

Ndërkohë, 23-vjeçari qëndron pas për të pastruar çdo gjurmë. Ai mbledh sendet, pastron ambientin dhe fsheh telefonin e vajzës në një lokal.

Pasi e lënë në shesh, dy prej tyre qëndrojnë aty dhe shtiren si kalimtarë sikur e kanë gjetur rastësisht pa ndjenja. Madje, janë pikërisht ata që telefonojnë ambulancën.

Ekipi i urgjencës e gjen të shtrirë, pa shenja të dukshme dhune, por në gjendje kritike. Transportohet në spital, ku mjekët përpiqen ta rikthejnë në jetë, por pa sukses.

Ndërkohë, sipas mediave greke në dhomë janë gjetur njolla gjaku në mur dhe në peshqirë, si dhe gjurmë të tjera që po analizohen.

Në shtrat janë zbuluar edhe qerpikë artificialë, ndërsa prova të tjera biologjike janë marrë si nga dhoma ashtu edhe nga banjoja.

Të gjitha këto po analizohen në laborator për të kuptuar saktësisht çfarë ndodhi aty brenda.

Nëna e 19-vjeçares është në gjendje të rëndë emocionale. 

Të tre të rinjtë tashmë përballen me akuza të rënda, përfshirë vrasje përmes mosveprimit dhe shkelje të ligjit për drogën. Ata do të dalin para gjykatës paraditen e së premtes.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë