TIRANË- Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Qendrën Spitalore Universale "Nënë Tereza" në Tiranë. Një e re mësohet se ka shkuar në urgjencën e sëmundjeve te Brendshme, në orën 02:00 të mëngjesit, pasi kishte pasur dhimbje të forta barku. E reja, identiteti i së cilës nuk bëhet me dije, ka kërkuar të shkojë në tualet, ku mësohet se ajo ka lindur.
Lajmi është bërë me dije nga Shoqata e infermierëve, ndërsa Report Tv është interesuar pranë QSUT dhe burime konfirmojnë se lajmi është i vërtetë. Nuk dihet nëse vajza e dinte nëse ishte shtatzënë.
Përmes një postimi Shoqata e Infermierëve bën me dije se vajza dhe familjarët e saj nuk ishin në dijeni që ishte shtatzënë.
“Nuk kishte ndodhur më parë në vend që të paraqitesh në Urgjencë për dhimbje barku dhe të lindësh në tualet. Burime për Shoqatën e Infermiereve tregojnë që mbrëmjen e djeshme rreth orës 02:00 të mëngjesit është paraqitur në Urgjencën e sëmundjeve të brendshme e cila tashmë konsiderohet dhe si Urgjenca Polivalente që pret të gjitha llojet e Urgjencave dhe pas triazhit çdo pacient dërgohet në specialitetin që ka nevojë për shërbim.
E reja është paraqitur në Urgjencë duke referuar me dhimbje te forta barku dhe pasi është pritur nga stafi i urgjencës nga ana e vajzës është kërkuar të shkojë në tualet. Sapo ajo ka shkuar në tualet dhe për shkak të krizave qe kishte rezulton qe ajo ishte shtatzënë dhe ka lindur pikërisht në tualetin e Urgjencës së QSUT ku pasi mori ndihmën e nevojshme u shoqërua në maternitet ku mori ndihmën dhe shërbimin e nevojshëm. Urime të përzemërta të gjithë stafit te Urgjencës te cilët ishin prezent dhe asistuan duke ndihmuar të rënë e cila tashme gëzon shëndet të mirë”, shkruan shoqata e Infermierëve.