Një berberi në qytetin e Durrësit iu pezullua aktiviteti për 6 muaj, pasi u konstatua nga policia të kishte hapur dy herë biznesin.

Policia thotë se personi me inicialet N.K me dyqanin në lagjen 12 në Durrës ushtronte aktivitetin në kundërshtim me Aktin normativ. AI ishte konstatuar nga Patrulla e Përgjithshme edhe më datë 7 prill, duke ushtruar aktivitetin e berberit në mënyrë të paligjshme. Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar dje u mor masa e pezullimit të aktivitetit për 6 muaj.

Ndërkohë në Tiranë u vunë në hetim dy persona, pasi në rrugën "Myslym Shyri“, një person me inicialet E. H u kap nga shërbimet e Policisë duke tregtuar maska dhe doreza pa faturë tatimore, të cilat ia kishte dhënë për t’i shitur një personi me inicialet D. K.

Ndërkohë, në Elbasan është vënë në hetim në gjendje të lirë, për veprat penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve" dhe “Fshehja e të ardhurave", Z. Ç, pasi në lagjen "Aqif Pasha", shërbimet e Policisë gjatë kontrollit konstatuan të hapur lokalin “Bar-Kafe” dhe brenda u gjetën disa persona që pinin kafe.

Po në Elbasan, policia thotë se është proceduar penalisht dhe administrativisht  D. P., banues në Elbasan, pasi u kap duke ushtruar i papajisur me licencë, aktivitetin në lokalin e tij ”Bar-Kafe”, në lagjen “Sulë Paprri.

"Policia e Shetit apelon për të gjithë administratorët e lokaleve që t’i mbajnë mbyllur lokalet e tyre, në zbatim të Aktit Normativ të datës 15.03.2020, pasi në të kundërt do të ndëshkohen në bazë të këtij Akti. Njëkohësisht apelon për të gjithë administratorët e njësive tregtare që të mos abuzojnë me çmimet, pasi kontrollet do të jenë më të shtuara dhe në rast konstatimi të abuzimit me çmimet, do përballen me ligjin", thuhet në njoftimin për mediat.