E PLOTË: 16 faqet e Procesverbalit nga mbledhja e jashtëzakonshme e Bordit të RTK-së

E PLOTË: 16 faqet e Procesverbalit nga mbledhja e jashtëzakonshme e Bordit të RTK-së

Rilind Gërvalla, Drejtori i Televizionit në RTK

Gazeta Nacionale, më poshtë iu sjell 16 faqet e plota (sipas Word) të Prosecverbalit nga mbledhja e jashtëzakonshme e 23 korrikut 2024, që Bordi i Radio Televizionit të Kosovës, mbajti pas publikimit të artikullit ku sulmoheshin me lajm të rremë, dy mediumet: Nacionale dhe Periskopi.

Në vazhdim, Procesverbali publikohet i plotë, pa ndërhyrje, ashtu siç e ka siguruar përmes burimeve.

***** ***** ***** ***** ****

Procesverbal i dates 23 korrik 2024

Besnik Boletini,

Ju njoftoj që kjo mbledhje sot është mbledhje urgjente pas një raportimi i cili është bërë nga mediat online në lajmet qendrore. Për të diskutuar për këtë çështje kemi ftuar udhëheqësen e mediave online dhe stafin të cilët kanë qenë në detyrë sa i përket këtij transmetimi.

Albulena Mehmeti,

Para se ta fillojë diskutimi unë ju njoftoj që sot unë kam takimin edhe me Komitetin e Auditimit të Brendshëm i cili mbahet në zyrën tjetër kështu që mund të shkëputem herë pas here nga mbledhja por jam këtu të informohem rreth situatës të krijuar aktuale.

Zana Spahiu,

Lidhur me publikim e lajmit të gazetës boshnjake unë nuk kisha informacion të detajuar deri më sot në mëngjes lidhur me komplet ecurinë e publikimit duke filluar nga mediat online, lajmet qendrore e kështu me radhë. Sot nga stafi i përfshirë e kam kërkuar një raport lidhur me publikimin e lajmit dhe si ka ardhur deri publikimi i të njëjtit. Kam marr përgjigje nga u.d. Kryeredaktorja Leonora Berbatovci, nga udhëheqësja e mediave online znj. Valjeta Kosumi dhe redaktori i lajmeve z. Jeton Musliu të cilën pak a shumë e kam prezantuar edhe në raportin të cilin ua kam dërguar me e-mail. Ajo që më së shumti më ka shqetësuar është mos respektimi i hierarkisë editoriale institucionale që është publiku lajmi përderisa mediat online janë vartës direkt të drejtorit të përgjithshëm dhe që publikimi i një lajmi të tillë është bërë pas një njoftim paraprak as drejtuar zëvendës drejtorit të përgjithshëm i cili ka kompetenca të reja me Vendimin dhe statutin e ri që është komplet përgjegjës i linjës programore dhe editoriale. Nga drejtori i televizionit nuk është që kam pranuar diçka me shkrim, kemi mbajtur një takim sot, meqenëse çështja e ndjeshme më vjen mirë që të gjithë janë të pranishëm. Mendoj që kjo çështje duhet të diskutohet dhe të merren mendimet e secilës palë të përfshire dhe deklarimet e tyre lidhur me publikimin dhe asnjëherë në aspektin editorial sepse ne e dimë që puna e gazetarit është e shenjtë dhe në rastin konkret burimi nuk ka qenë citim i RTK-së por i portalit boshnjak dhe sa i përket kësaj pjese e di që është zbatuar dhe cituar portali ku është marr shkrimi. Për përmbajtjen e shkrimit dhe etiketimeve të përmbajtjeve vendore kam marr informata zyrtare që nga mediumi publik nuk është publikuar lajmi me citime të emrave të portaleve vendore që fillimisht lajmi në publik është prezantuar si i tillë dhe kjo nuk është e vërtetë dhe këtë e kemi verifikuar, lajmi ende është i publikuar, nuk kemi marr një vendim me heq të njëjtin sepse njëherë nuk ka elemente të cilat mund të na binë në një Vendim ndryshe pasi që ne duhet të japim sqarim publik se pse është hequr ai lajm. Pra shqetësimet më të mëdha të mijat janë ndërhyrja direkte në mediat onlinë nga ana e drejtorit të televizionit pa njoftimin tim paraprak pasi që ka të bëjë me median të cilën është në varësi direkte timen ku për këtë ia kam tërheqë vërejtjen sepse janë kompetencat e qarta për secilin prej nesh në ligj në status të përcaktuara tashme dhe drejtori i televizionit duhet të ketë parasysh mos ti kalojë kompetencat sidomos në raste të tilla si publikimi i lajmeve të ndjeshme si ky tani e që ka pas një hov të madh në publik. Në cilësinë që jam nuk është që merrem shumë me statuse dhe nuk dua të ndikohem aspak nga presioni ku ne si medium publik kemi presione të vazhdueshme dhe roli jonë është ta zbatojmë misionin sipas ligjit dhe asnjëherë të bimë pre e qëllimeve, faktorëve të ndryshëm të jashtëm ku në rastin konkret asnjëri nga ne nuk duhet të bimë pre e këtyre presioneve. Është shumë shqetësuese kur brenda nesh ka anëtar të lartë të menaxhmentit të cilët veprojnë në një mënyrë “krye n'vete" dhe nuk na njoftojnë neve si organe, qoftë edhe zëvendës drejtorin e përgjithshëm me kompetencat e reja edhe mua, për ndërhyrje direkte te mediat online dhe në lajmet qendrore, besoj që për këtë pjesë të ftuarit në këtë mbledhje do të japin informacione më të detajuara dhe tishohim qëndrimet e tyre në lidhje me publikim e lajmit i cili fillimisht është publikuar në media online rreth orës 14:40 dhe i njëjti ka vazhduar në lajme qendrore me citime nga rtklive dhe jo portali në fjalë.

Besnik Boletini,

Atëherë vazhdojmë me stafin e mediave online, te publikimi i lajmit, pra na tregoni si jeni dakorduar që është me interes publik?

Valjeta Kosumi,

Ashtu siç jemi dakorduar edhe me Juve por edhe me ish drejtorin e përgjithshëm, në mungesë të një redaktori përgjegjës në portal, unë në rolin e udhëheqëses dhe njëkohësisht të kryeredaktores, kam caktuar si përgjegjës të ndërrimit redaktorët e portalit të cilët mbajnë përgjegjësi për të gjitha publikimet gjatë orarin e tyre të punës ku në këtë rast në orarin e paradites ka qenë redaktori z. Blerim Halimi ku i njëjti më ka njoftuar për një shkrim të një mediumi fqinjë të gazetës boshnjake të cilin ma ka dërguar për shikim pjesës të cilës ai si redaktor ka pas dilema dhe pjesa për të cilën ka pas dilema është emri i portaleve të cilat i ka përmendur gazeta boshnjake, ku bashkërisht jemi dakorduar që në këtë shkrim mos të publikohen emra në konsiderat të mediave vendore të cilat përmenden në këtë hulumtim dhe gjithashtu jemi kujdesur që në çdo pjesë ta citojmë fjalën pretendim. Si rrjedhojë as nuk i kemi kontaktuar për një demant ose opinion portalet në fjalë sepse nuk i kemi përmendur dhe në momentin që nuk e përmend dikë si subjekt të trajtimit të një teme, as nuk kërkon demant prej tyre. Teksti ashtu siç bëjmë rëndom me mediume botërore dhe rajonale, tema që janë në interes të publikut, përkthehen dhe plasohen në media online kaq sa i përket kësaj pjese, ndërsa mund ti diskutojmë çështjet e profesionalizmit të shkrimit ose te mënyra e funksionimit të hierarkisë. Unë si udhëheqëse dhe njëkohësisht kryeredaktore e mediave online mbaj përgjegjësi editoriale për lajme që publikohen në portal ku ka dhjetëra të tilla që postohen brenda ditës dhe gjithashtu ka raste edhe të tjera që ndodhin gjëra të tilla. Shqetësimi i u.d. drejtoreshës të përgjithshme ishte se pse unë nuk e kam njoftuar si eprore direkte dhe unë për këtë i kam kërkuar falje në aspektin për lajmin i cili mori përmasa pas publikimit e që u shndërruar për qëllime të tjera RTK në temë diskutimi, por unë asnjëherë nuk dua ta shqetësoj drejtoreshën me një tekst të përkthyer i cili është hulumtim i një mediumi tjetër, nuk është hulumtim i joni e nëse RTK bën hulumtim të ndjeshëm që përmend mediume vendore, individ të caktuar, sigurisht që unë shkoj tek hierarkia më e lartë duke kërkuar aprovimin e drejtoreshës për atë lajm. Pra nuk është hulumtim i RTK-së, është një publikim i një mediumi tjetër i përshtatur dhe përkthyer për publikim në rtklive.

Fatime Lumi Qehaja,

Më herët thatë që ka ndodhur edhe më herët të ketë raste të tjera të cilët merren nga mediat e tjera dhe përkthehen për rtklive?

Valjeta Kosumi,

Saktë, përveç mediumeve botërore.

Fatime Lumi Qehaja,

Pra ky lajm fatkeqësisht ka marrë bujë dhe po trajtohet dhe d.m.th. ndodhin shpesh këto raste. Si vlerësohet që ai lajm duhet të përkthehet dhe publikohet? SI është rëndësia e seleksionimit, edhe për raste të tjera jo vetëm për rastin në fjalë?

Lajmet nuk kanë të bëjnë vetëm me zhvillimet politike që i huazojmë nga mediat e tjera.

Fatime Lumi Qehaja,

Pra pa keqkuptime por qëllimi im është që dua ta di procedurën se si vie deri te publikimi i lajmeve të huazuara nga mediat e tjera.

Valjeta Kosumi,

Unë i inkurajoj postimet e instagramit të mediumit "The Times", të këngëtares Dua Lipa, lajme nga gazetave të cilat kanë artikuj interesant të cilat pastaj i publikojmë dhe i citojmë në uebfaqe. Ne nuk jemi gazetar të lajmeve ndërkombëtare, rrjedhimisht artikujt i përkthejmë me kapacitetet që i kemi dhe për vlerësime dhe sugjerime janë redaktorët e ndërrimeve, sugjerime ju dërgoj edhe unë.

zRadojica Mrdjinac,

A e nënshkruani autorësinë.

Valjeta Kosumi,

Po është z. Blerim Halimi i cili e ka përkthyer dhe përgaditur lajmin dhe e ka publikuar në uebfaqe. Ka pas raste edhe të hulumtime të tjera të mediave vendore të cilat i kemi publikuar sepse përbëjnë interes për publikun, së fundmi Geopost një medium vendor ka publikuar një përgjim të spiunëve shqiptar në raport me Bia serbe dhe kjo ka shkuar në lajme qendrore dhe në portal, gjithmonë duke iu referuar burimit i cili e ka postuar. Kjo është sa i përket përdorimit të teksteve dhe vlerësimit të publikimit të tyre në media online. Mediat e rajonit dhe botës trajtojnë me mijëra por ato që e përmendin Kosovën dhe kanë tema që kanë interes të publikut kosovarë mendoj që ja vlenë të publikon dhe gjithmonë duke i cituar burimet fillestare se nga merren.

Leonora Berbatovci,

Unë nuk po e ri përsëris procedurën se si ka ndodhur për mos me u dublifikuar të dhënat. U tha që lajmi është botuar në ueb dhe ne i jemi referuar atij lajmi. Unë e kam marr me lexuar lajmin ku në lajme ka qenë siç i themi ne “off” lajm i shkurtë. Po e ritheksoj që në lajmin tonë i cili është botuar dhe cituar nga mediumi "Slobodna Bosna" nuk ka pas asnjë mediumi të cilit Ju kemi referuar. Është publikuar në vazhdën e narratives që ne publikojmë vazhdimisht lajme të ndryshme madje edhe të organizatave jo qeveritare të aspekteve siç janë ndikimi rus në Ballkan, pra ndikimi përmes mediave. Janë tema që e sfidojnë rajonin. A shihet me interes publik? Natyrisht se po përderisa ne e ruajmë pjesën e privatësisë përderisa. Ne Ju kemi referuar dy (2) mediave të cilave ne nuk i kemi përmendur me emra. Pra kjo ka qenë si lajm i publikuar në pjesën e lajmeve qendrore, pra vetëm kjo. Tjetra, për ta bërë një krahasim, ta zëmë se ne ju kemi referuar portalit "Nacionale" ne e citojmë "Nacionalen" kur ka diçka që është në interes publik, siç ka qenë rasti i përgjimeve të znj. Kusari dhe z. Radojic të cilat i kemi marr dhe i kemi publikuar. Mund të thuhet që ka pas argumente në ato përgjime, me gjithë atë ato përgjime nuk kanë qenë zyrtare, për dallim nga rasti "Pronto" që kanë qenë incizime të autorizuara.

Arta Berisha,

Po por aty janë dëgjuar duke folur dhe është fakt. Gjithashtu kërkoj të na tregoni për rastin në fjalë se si e keni publikuar, këtu është interesimi jonë dhe për praktiken e publikimeve të lajmeve të tjera ndoshta është mirë të flasim më vonë.

Besnik Boletini,

Ju lutem të mos ndërhyni në bisedat e të ftuarve, interesimi jonë është ti dëgjojmë deklaratat e tyre, pastaj ne do të bisedojmë si Bord i RTK-së për pjesën tjetër të mbledhjes.

Arta Berisha,

Pajtohem Kryetar por mendoj që është mirë të flitet konkretisht për rastin në fjalë për atë edhe se pse janë të thirrur mysafirët në këtë mbledhje dhe praktikën e aspektit editorial mund ta bisedojmë në ndonjë mbledhje të qetë.

Albulena Mehmeti,

Në fakt mua më intereson çdo gjë që na tregon se si ka ardhur situata deri te ky rast.

Besnik Boletini,

A jeni të sigurt që në këtë publikim nuk janë përmendur dy (2) portalet për të cilat po flitet?

Leonora Berbatovci,

Është e sigurt 100% që nuk janë përmendur emra të portaleve, është diçka lehtë për tu verifikuar, unë gjithashtu unë e kam sjellë hard copy lajmin por nëse nuk i besoni as kësaj, mund të hyni në edicion ku i njëjti lajm është i bërë publik. Arsyeja pse unë mora krahasim më herët është se edhe përgjimet ku dëgjohet zëri i dikujt në ditët të sotme në teknologji shumë shpesh mund të jenë të manipulueshme, ashtu siç ka ndodhur në rastin që e përmenda më lartë me znj. Kusari Lila ku e njëjta ka thënë që ka pas prerje dhe manipulim të asaj telefonate, por RTK nuk bie pre e këtyre manipulimeve pasi që në çdo publikim citohet i cili i referohet burimeve, andaj unë e mora si krahasim. Andaj nëse rasti është ngritur pas shqetësimit të mediumit Nacionale, pikërisht për këtë e përmenda sepse ata po thirren në rrezikshmërinë e cila mund ti shkaktohet stafit por e njëjta gjë ka pas mundësi ti shkaktohet dhe një deputeteje, në këtë rast znj. Mimoza Kusari Lila, mirëpo unë konsideroj që në si RTK është dashur ta publikojmë atë lajm sepse na tregojmë që e publikojmë sepse është në interes publik dhe pastaj janë personat të cilët e pohojnë ose mohojnë si lajm. Në rastin e znj. Kusari Lila është publikuar me emër se nuk ke si ndryshe përderisa është marr edhe reagimi i saj. Pra këtu nuk shoh shqetësim dhe mendoj që shqetësim do të ishte sikur mos ta publikonim atë rast, prandaj e mora si shembull. Nëse pyesim për kredibilitetin e mediumit, unë i kam nxjerrë disa linqe ku të njëjtat media, portale të cilat thonë që ju kemi referuar një portali fantom ose shpifës, unë i kam disa linqe ku të njëjtat portale ju referohen vazhdimisht analizave të tilla dhe i citojnë, madje e kemi një rast të Al-Jazeera qe ju referohen në linqe. Tani nëse këto mediume i referohen, pse ne si RTK nuk mund ti referohemi lajmet të cilat dalin? Gjithmonë duke e ruajtur pjesën e emrave dhe atakimeve direkt ndaj një mediumi ose portali. Edhe një herë e them me përgjegjësinë më të lartë që asnjë herë në lajmet qendrore nuk ka pas emra dhe nuk janë përmendur emra.

Valjeta Kosumi,

Të njëjtën gjë e pohoj edhe unë, pra lajmi kur është publikuar, është publikuar pa emra të portaleve.

Arta Berisha,

Dua të theksoj që një veprim i keq i dikujt nuk e arsyeton një veprim më të keq tuajin.

Jeton Musliu,

Pjesën kryesore e shpjegoj znj. Leonora Berbatovci dhe pjesën e procesit i kam dërguar e-mail znj. Zana Spahiu ku i kam shpjeguar të gjithë procesin deri te aplikimi final andaj nuk dua të zgjatem edhe më shumë dhe të ju marr më tepër kohë.

Zana Spahiu,

E-mailin tuaj e kam pranuar por do të ishte më mirë që të jepni një deklarate edhe këtu në Bord në mënyre që edhe anëtarët e Bordit të RTK-së ta kenë të qartë. Raportin me shkrim nuk e kam dërguar unë mirëpo e kam hartuar vet një raport mbi bazën e asaj që e keni thënë, kështu që mendoj se është mirë që ato që i keni thënë në raport, ti thuani edhe këtu.

Jeton Musliu,

Patjetër. Është thjeshtë praktikë e punës të cilën e kam shpjeguar se si ka rrjedhë. Komunikimi im si redaktor i lajmeve me kryeredaktoren është i përditshëm, çdo minutshëm dhe çdo orshëm, kështu ka ndodhur edhe ditën e djeshme. Kam shkuar të konsultohem për një transmetim direkt të Festivalit të z. Ramë Lahaj ku kam kërkuar sipas mundësive në edicion të ketë diçka nga ajo pjesë, pastaj me ftesën e znj. Leonora Berbatovci kemi shkuar në zyrën e drejtorit të përgjithshëm ku i njëjti më sugjeroi që lajmin në fjalë duhet të shikohet më hollësisht dhe e kam marr linkun, e kam kontaktuar redaktoren e redaksisë të minoriteteve znj. Rabisha Muhagjiri për përkthim adekuat sepse unë gjuhën serbe nuk e njoh ku kemi bërë gjysmë ore deri sa e kemi sqaruar, pastaj kam shkuar përsëri te znj. Leonora Berbatovci ku i kam thënë që këtu po përmenden portale për ta cilat po besoj që nuk ka fakte me çka jemi dakorduar mos të publikohet ajo pjesë dhe diku para edicionit të lajmeve, kryeredaktorja ma ka nisur linkun e rtklive ku është publikuar teksti duke mos u përmendur mediumet e Kosovës që përmenden aty edhe siç e kam shpjeguar në sqarim, ai është lajm me tri (3) fjali, sa më shkurt dhe sa më saktë, pa i përmendur mediumet e Kosovës të cilat aty përmenden, pra kjo është pak a shumë një parafrazim, përndryshe në e-mail janë më të sqaruara detajisht.

Blerim Halimi,

Dua ta theksoj që tendencë nuk ka pas për këtë lajm, fokusi ka qenë tek litiumi dhe për ta heq të gjithë atë pjesë të tekstit nuk ka qenë korrekte andaj e kemi bërë në atë mënyrë që mos të përmenden emra.

Rilind Gërvalla,

Situata nuk rrjedhë prej këtij rasti, raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, disa kanë kaluar pa u vërejtur dhe disa nga do kanë pas tjetër redaktor editorial mbase kjo i ka ndihmuar që mos të ketë reagime të tilla, natyrisht e kuptoj rëndësinë sepse janë përmendur dy (2) media ku njëra prej tyre është mjaftë influencuese në Kosovë dhe tjetra po ashtu, por idea e gjithë kësaj ka rrjedhur nga një takim të cilin e kemi pas në muajin shkurt të vitit 2023 ku me ish drejtorin e përgjithshëm z. Shkumbin Ahmetxhekaj kemi takuar dy (2) nga përgjegjësit të sektorëve nga instancat e sigurisë ku ne e kemi marr njëfarë zotimi që të ndihmojmë në rrafshine sigurisë kombëtare edhe lajmet të cilat janë të një rrjeti pak më të gjëra se sa vetëm brenda Kosovës apo specifikisht ku kanë të bëjnë me informatat e verifikuara nga instancat e sigurisë të cilat është e koncentruar kundrejt regjimit të Vucicit dhe ndërhyrjeve të cilat i kanë bërë në rendin Kushtetues në Kosovë duke e parë sulmin e fundit i cili ndodhi në Banjskë dhe këto njohuri dhe lajme të shpejta dhe argumente të cilat na kanë dhënë herë pas here nuk kanë koncentruar vetëm tek unë që me tingëlluar që jam pësoni koordinues i kësaj gjëje por e them sinqerisht që këto kanë shkuar edhe përmes meje edhe z. Shkumbin Ahmetxhekaj ku të dy jemi konsultuar herë pas herë për këto çështje dhe pak përparësi ka pas ajo pjesë pasi që kemi të bëjmë me gazetari pak më të veçantë kur flasim për sigurinë. Natyrisht me të drejtë është kritika e ushtrueses së detyrës të drejtoreshës të përgjithshme në RTK znj. Zana Spahiu që është dashur të konsultohemi me të dhe me zëvendës drejtorin e përgjithshëm, këto nuk janë bërë për ndonjë qëllim të caktuar siç mund të thotë dikush por për shkak të shpejtësisë së kërkuar dhe lajmit në kohë reale dhe situatës të sikletshme të cilën e patëm për paralajmërimin nga personi për marrjen e veturave që i kishim dhe këtu unë e kam ngatërruar në vend se të them "Slobdna Bosna" e kam thënë "Slobodna Evropa" por z. Jeton Musliu me shpejtësi e ka korrigjuar sepse nuk kemi të bëjmë me radio "Evropa e Lirë” Por kemi të bëjmë për “Bosnien e Lirë”, një portal medium që herë pas herë ka nxjerrë hulumtime të tilla, kryesisht të analizave strategjikë të sigurisë që kanë të bëjnë kundrejt sulmeve kibernetike, mediatike që vijnë të financuara kryesisht nga Serbia e siç e dini edhe Ju, personi kryesor i cili i ka blerë shumicën e këtyre mediumeve, është Aleksander Vucic dikur ministër i propagandës të kohës të Slobodan Milosovic. Pra këto koordinime nuk janë bërë të shpeshta, shumë rrallë janë bërë në mediumin tonë. Është marr apriori si një siguri e lartë e verifikimit kur kemi të bëjmë me instanca të sigurisë. Për këto raste vazhdimisht e kam njoftuar drejtorin e përgjithshëm ku i kam cekë faktet dhe kam kërkuar se a duhet të publikohen apo jo dhe çfarë mendon rreth asaj. Kjo nuk ka ndodhur këtë herë dhe ky është defekti real por që rasti i tillë është trajtuar prej nesh sepse ne në asnjë rast nuk e kishim përmendur, përkundrazi në konotacion të keq por neve na është dukur e arsyeshme që është lajm i cili duhet pasqyrohet dhe në momentin kur ty të vie një lajm nga instancat e sigurisë të cilët kanë organe verifikimi dhe analiza për këto çështje, natyrisht që ne e kemi pranuar si të bazuar me fakte dhe natyrisht një ndër fjalitë e diskutimit me personin që është caktuar përgjegjës për mediat dhe për takimet me to, ai ishte në një seminar, po supozoj që në vendin ku është bërë lajmi ku i njëjti tha që këtu po diskutohet shumë dhe natyrisht ka dalë në portalin këtu dhe është mirë që të publikohet. Fati i z. Jeton Musliu të jetë në këto lajme ku është cak i etiketimeve të ndryshme si nga kolegët e RTK-së, por edhe nga të tjerët, natyrisht se është situatë e sikletshme për të por ne kemi folur edhe me gazetar të tjerë se në rast vijnë disa lajme që unë ti përcjellë, shihe se janë të rëndësisë të lartë për tu bërë lajm ose kronikë. Kemi pas raste të ndryshme ku njëri prej rasteve është rrahja e një personi që e kemi gjetur me emër, një video që e ka pas vetëm RTK dhe e kemi botuar ku Radojcic godet një person dhe ai person alivanoset në vend, atëherë nuk ka qenë z. Jeton Musliu por ka qenë znj. Blerta Foniqi.

Arta Berisha,

E kuptoj po rasti i fundit që e ceket, ajo shihet në video dhe është fakt.

Rilind Gërvalla,

Po por në medium shpjegohet që në të ardhmen do të ketë publikime të tjera që do ta fuqizojnë argumentin e ngritur aty kështu që kjo është pak a shumë në pika të përmbledhura dhe e theksoj që nuk ka pas tendencë ta shfaqim dikë në pozitë të pa lakmueshme dhe nuk ka pasur lidhje me këto pretendime për angazhime të partive apo individëve të partive, përkundrazi këto kanë qenë zyrtare në mes të RTK-së dhe instancave të sigurisë në Kosovë dhe askujt tjetër dhe ata persona që i kontaktojmë ne janë qysh nga fillimi në këto lëmi dhe natyrisht ne takimet që mund të kemi propozoj që edhe Ju të jeni të informuar drejtë për drejtë prej tyre dhe ta shihni nga afër gjithë diskutimin dhe në rast se Ju mendoni që unë nuk duhet të përfshihem në këtë gjë, unë normalisht që e kuptoj.

Besnik Boletini,

A mund ta kem lajmin e përkthyer nga ai medium?

Rilind Gërvalla:

Kjo mbledhje është duke u incizuar dhe unë mund ta them saktë personin i cili është i përfshirë.

Fatime Lumi Qehaja,

Para se të thoni diçka e cila mund të bie ndesh me ligj dhe kushtetutën më lejoni të theksoj të lutem se në rast se ka informata dhe emra që cenojnë sigurinë shtetërore dhe unë apo Bordi nuk jemi të thirrur ti dijmë, dhe nuk jemi të kontaktuar nga personat përgjegjës për ti marrë këto informata apo emra, atëherë nuk dua ti dijë. Mendoj duke pasur parasysh ndjeshmërinë ju duhet ti trajtoni ato me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë sipas rregullave dhe ligjeve për siguri shtetërore.

Rilind Gërvalla,

Emrat janë shumë me rëndësi për shkak se ai person i cili është i përfshirë në të gjithë këtë katrahurë këtu, është person i cili është shumë i përfshirë në të gjitha debatet e RTK-së, ka qenë figurë analitike mbi çështjen e sigurisë dhe prej ardhjes time në pozitë, ai person nuk është më aty.

Albulena Mehmeti,

Në rregull por nuk ka nevojë të hyjmë në detaje.

Rilind Gërvalla,

Nëse doni edhe detaje Ju jap.

Albulena Mehmeti,

Faleminderit por nuk ka nevojë.

Rilind Gërvalla,

Këto detaje i kam biseduar edhe me ish drejtorin e përgjithshëm z. Shkumbin Ahmetxhekaj dhe mund ta thërrisni për çdo detaj.

Albulena Mehmeti,

Nuk ka nevojë, kemi ardhur të bisedojmë për diçka tjetër dhe të mbetemi në atë temë.

Rilind Gërvalla,

Unë flas vetëm të vërtetën dhe nuk kam ndonjë fshehje rreth kësaj sepse po të ishte nga partia apo qeveria unë do ta tregoja një gjë të tillë pa kurrfarë problemi sepse ne bashkëpunojmë me të gjitha institucioneve zyrtare, kredibile dhe as nuk ka pas individ të subjekteve politike që kanë reaguar mbi të, natyrisht kanë bërë gabim që kanë hedhë lajme të fabrikuara sepse ai lajm nuk është publikuar nga RTK, por kanë fabrikuar lajm, kanë shfaq emrin me persona të cilët janë të përfshirë me ato dy (2) media, kjo nuk është e RTK-së, ku e kanë marr atë lajm nuk e di por jo tek ne, kanë pas mundësi ta marrin diku tjetër, fontet janë të ngjashme por unë nuk mendoj që është linku i njëjtë. Kjo është idea e gjithë kësaj që kemi bashkëpunuar përpara, mund të vazhdojmë bashkëpunimin nëse ju si Bord i RTK-se dhe menaxhmenti vendosë për këtë. Sot kemi pas një debat mjaftë të ashpër me znj. Zana Spahiu dhe z. Adrian Krasta për këtë çështje unë i qëndroj asaj që kam bërë, ata i qëndrojnë një mendimi tjetër, dikush është për ta hequr fare, dikush për ta ri formësuar, dikush për ta paketuar ndryshe, ka zëra të ndryshëm por ne si në të kaluarën kemi menduar që lajmi të shkojë në tërësi i përkthyer sepse ka interes të publikut dhe interesi i publikut është që të dijë influencën dhe goditjet që po bëhen herë pas herë nga Aleksandër Vucici ku siç e keni parë ai vete ka pohuar këtë gjë dhe kjo është pak a shumë e gjitha. Unë sot jam përsëritur qe disa herë në takimedhe unë këtu jam për sqarim, pra nuk keni të bëni me këta persona që i shihni në këtë sallë, keni të bëni me mua dhe e gjitha çfarë kam bërë është në mënyrë zyrtare dhe asgjë nuk është bërë në mënyrë shoqërore. Natyrisht këta persona që kthehen prej seminarit ose kudo që kanë qenë, janë të gatshëm të ofrojnë shpjegime edhe më të hollësishme për çfarë do që ju intereson.

Arta Berisha,

Propozoj që secili prej nesh ta merr fjalën e diskutimit në lidhje me rastin dhe pastaj ti lirojmë kolegët sepse me siguri kanë punë dhe pastaj për tema tjera ne si Bord mund të vazhdojmë diskutimin me drejtorin e televizionit dhe u.d. drejtoreshën e përgjithshme të RTK-së.

Albulena Mehmeti,

Atëherë fillimisht e përgëzoj u.d. drejtoreshën e përgjithshme e cila nuk e ka larguar lajmin në fjalë sepse në RTK ka qenë një praktikë ku publikoheshin lajmet dhe me kërkesë të personave të caktuar, lajmet i largonin dhe kjo praktikë tani e tutje nuk duhet të aplikohet andaj siç e ceka ky është një vendim i duhur nga ana juaj deri sa të definohet si çështje. Kryeredaktorja e ka vlerësuar të bëhet lajmi publik në RTK dhe për mua është shumë e rëndësishme që ai lajm nuk i ka përmbajtur emrat e dy (2) mediumeve siç u raportua nga Ju, në anën tjetër mendoj që në këtë mbledhje ne si Bord jemi duke ndërhy në pavarësinë editoriale tuajën, pra unë në asnjë moment nuk mund ta marr të drejtën të ndërhyj në publikimin e lajmeve për të cilët vendosni Ju. Përderisa ne Ju kemi besuar pozitën dhe Ju i vlerësoni lajmet se cili është në interes publikut, cilin e plasoni dhe cilin jo ku njëkohësisht e keni bërë edhe në të kaluarën sepse nuk është hera e parë që ju publikoni një lajm i cili huazohet nga mediat e tjera, pra Ju e keni cituar vazhdimisht dhe e keni parafrazuar lajmin i cili është marr nga një medium i jashtëm, pra lajmi automatikisht ka pas referencë dhe ajo referencë është ekzistente. Unë personalisht hezitoj t'ju orientoj se nga të merrni kahje dhe nga jo, sa i përket ankesës të u.d. drejtoreshës të përgjithshme në lidhje me respektimin e hierarkisë ku edhe ka dhënë vërejtje, unë mendoj që ajo duhet të merr përgjegjësi për këtë pjesë duke i marr masat e caktuara konform ligjit dhe rregulloreve në fuqi. Ndërsa sa i përket kësaj mbledhje dhe Juve këtu për të na sqaruar situatën dhe vlerësimin e lajmit se si e keni plasuar në interes të publikut, unë mendoj që ky është definitivisht mikromenaxhment sepse Ju znj. Leonora Berbatovci jeni kryeredaktore në televizion, Ju znj. Valjeta Kosumi jeni udhëheqëse në media ku edhe e ushtroni detyrën e kryeredaktores dhe unë nuk dua të ndërhyj në pavarësinë editoriale, nuk kam të drejtë ligjore dhe hezitoj ta bëj një gjë të tillë as tani dhe as në të ardhmen.

Dardan Beqiri,

Sa i përket instancave të sigurisë kërkoj të mos publikohen emra dhe mos të jepen detaje.

Nënkryetarja e Bordit të RTK-së znj. Albulena Mehmeti largohet nga mbledhja e Bordit për të marr pjesë në mbledhjen parapele të Komitetit të Auditimit të Brendshëm ashtu siç e ceku në fillim të mbledhjes.

Radojica Mrdjinac,

Burimi i informacioneve të lajmeve nuk është problem i joni si RTK por është tek ata që e kan publikuar, gazetarët tanë e kanë marr lajmin dhe e kanë cituar, sigurisht që ka diçka që shkon në dëm tonin por kryesorja është që fajtori është siç e ceka mediumi i cili e kanë plasuar lajmin.

Arta Berisha,

Faleminderit që jeni këtu, tani është pak vështirë të diskutojmë me Ju sepse ne jemi kolegë por megjithatë për shkak të pozicionit që e kemi na ndan ajo që e kemi aktualisht por pas disa viteve ne mbesim kolegë dhe duhet të kemi raporte të mira, andaj po mundohem të jem sa më kolegiale edhe pse detyra na obligon të jemi ndryshe. Lajmi që është publikuar më së pari në rtklive, nuk është hulumtim, është një përmbajtje e pa bazuar në tërësi dhe si i tillë për mendim timin profesional, duke u thirrur në ligjin e RTK-së, Statutin e RTK-së, standardet profesionale, nuk do të duhej të kalonte si i tillë në tërësi. Më vjen keq që publiku është shërbyer me të pa vërtete se RTK i ka atakuar X mediat. Kjo nuk ka të bëjë me RTK si emër por ka të bëjë me njerëzit që punojnë aty, pra ne nuk merremi me një medium por merremi me njerëzit që punojnë aty. Në këtë moment mua më shqetëson fakti që kur rtklive e ka pa që publiku i gjerë po dezinformohet dhe po dëmtohet RTK deri në këtë masë sepse i ka atakuar X mediat dhe nuk ka reaguar, kjo për mua është shqetësim tjetër. Këtu është dashur të bëhet një reagim i menjëhershëm për ta sqaruar publikun dhe jo me ju përgjigje X mediave, pavarësisht kush është në krye të tyre. Për shkak se përmbajtja e lajmit është e pa mbështetur në fakte, mendoj që duhet të hiqet nga publikimi dhe të kërkohet falje për publikimin pa fakte dhe gabime sepse sa i përket gazetarëve kur flasim për lirinë e shprehjes në gazetari, flasim edhe për mos cenimin e mos lirisë të shprehjes, flasim për atë kufirin që gazetarët e kanë më të gjerë për të bërë gabime, pra nëse një profesionisti mjekësor nuk i lejohet të bëjë gabim sepse e vret personin, gazetarit i lejohet të shkojë pak në gabim sepse e kemi lirinë e shprehjes por kur e sheh që ke gabuar, e korrigjon dhe vazhdon punën, pra ky është mos cenimi i lirisë të shprehjes dhe kjo është ajo që e dallon gazetarin nga një profesionist me diplomë dhe me detyra specifike. Informatat që drejtori i televizionit nisi ti prezantoj në këtë mbledhje nuk përkojnë me përmbajtjen e artikullit, në asnjë vend brenda artikullit nuk ka referencë për struktura të sigurisë. Nëse ato informata që i keni Ju e që unë besoj që i keni sepse siç e cekët i keni takuar organet përgjegjëse dhe besoj në saktësinë e tyre, pavarësisht që unë akoma nuk jam duke e ditur saktë se për çfarë po bëhet fjalë, por apriori kur ta jep institucioni i sigurisë e besoj ato është dashur njëmend të trajtohen ashtu që të realizohet një hulumtim i mirëfilltë që të përmbushet interesi bazë i publikuar por me një përmbajtje me fakte. Unë personalisht pres masa konkrete nga u.d. drejtoresha e përgjithshme për këtë shkelje profesionale sepse kjo e ka dëmtuar RTK-në dhe sot këtu që ne jemi duke folur në këtë moment, po vazhdon dëmi nga kolegët e juaj, pra personalisht e them edhe me procesverbal që unë distancohem nga të distancuarit sepse këtu kemi të bëjmë me një jo sinqeritet se si trajtohet mediumi publik dhe RTK në përgjithësi. Është për keqardhje niveli ku kemi ra në sy të publikut sepse ne po e dimë se si është situata jashtë por ne duhet të kemi përgjegjësi se si na sheh publiku. Për sa i përket komentimit për artikullin dhe gjendjen, unë e mbylli me kaq por nuk mundem me kaluar pa e lexuar nenin 11 të Statutit të RTK-së i cili flet për përgjegjësitë parësore të RTK-së të cilat janë: Programet e RTK do të udhëhiqen kryesisht nga ndjenja e përgjegjësisë, vëmendjes dhe kujdesit për përmbajtjen e mesazhit të çdo lajmi, informacioni apo të çdo fjale të transmetuar në të mirën e të mbrojtjes së emrit, autoritetit dhe reputacionit të RTK-së, institucionit të vetëm publik në shtetin e Kosovës. Të ofrojë informacione të besueshme, përkitazi me larushinë ndër llojore të ngjarjeve, rasteve, proceseve, dukurive që ndodhin në Kosovë dhe jashtë saj. Të inkurajojë, stimulojë dhe nxisë me korrektësi dhe profesionalizëm kulminant avancimin e vazhdueshëm të pikëpamjeve, mendimeve, qëndrimeve të qytetarëve drejt formimit të opinionit publik.

Rilind Gervalla

Më duhet të ju ndërpres sepse kam informacione tani për tani që faqja e RTK-së do të hakohet dhe Ju e dini se kush janë njerëzit që duhet ta siguruar.

Zana Spahiu,

Është pak shqetësuese të na informoni në këtë mënyrë sepse ku ta dimë se nga erdhi kjo informatë?

Rilind Gervalla,

Informatën sapo e pranova tani dhe e imja është ta përcjellë tek Ju dhe nëse doni ta merrni si të saktë, merreni.

Arta Berisha,

Kjo është normale, a jeni të vetëdijshëm për dëmin që i keni shkaktuar RTK-së, dëmi vetëm se është duke ndodhur sepse aktualisht edhe kjo mbledhje është në dëm të RTK-së. Duke e vazhduar aty ku e lash në tekstin më sipër e theksoj që në statut të RTK-së, neni 11 vazhdon: RTK nuk do të transmetojë asnjë material i cili me tekstin nën dy kuptimësi, aludimin nxitë diskriminim në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve, politikës etj. Pra kjo është në Statut të RTK dhe nëse Ju dëshironi ta ndërroni Statutin e RTK-së e shqyrtojmë dhe vazhdojmë me qasjen, për momentin jemi në shkelje të tij. I përmendët që janë publikuar edhe lajme të tjera e aq më keq që janë publikuar lajme të tjera të cilat i kanë shkelur standardet. Një lajm i publikuar keq, nuk do të thotë që duhet të vazhdohet të publikohen lajme të tjera keq. E vërtet është që lajmet pa fakte, lajmet që kanë qenë keqinformim, dezinformim, ne kemi reaguar përherë dhe kemi kërkuar trajtimin e tyre se si i trajton gazetaria duke e sqaruar opinionin dhe në disa raste znj. Valjeta Kosumi ka marr edhe masa madje edhe e ka stopuar bashkëpunimin me radio për shkak të fake-news, dhe kjo është sjellja e cila duhet të merret dhe duhet të pajtohemi.

Valjeta Kosumi

Në fakt nuk e kam stopuar bashkëpunimin me RTK-Radio por kam kërkuar nga ish drejtori i përgjithshëm që të procedohet si rast por fatkeqësisht nga ai ka pas një anshmëri, ku rasti i një redaktoreje në ueb është penalizuar dhe ka vërejtje aktive me shkrim, rasti i autores ne RTK-Radio nuk është trajtuar aspak. Unë kam drejtuar edhe në adresë të RTK2 disa herë vërejtje, dhe nuk janë trajtuar asnjë herë, ndoshta është trajtuar si temë në Bordin e RTK-së por masa nuk janë marr as ndaj drejtoreshës të atëhershme dhe as autoreve të teksteve.

Arta Berisha,

Por ne për drejtorin e RTK2 e kemi shkarkuar pikërisht për këto lëshime.

Valjeta Kosumi

Drejtorin po por ajo ka vazhduar edhe në kohën edhe në kohën e znj. Aleksandra Zdarvkovic e cila me tone kërcënuese dhe me shkrime të një anshme, me shifra të një anshme, në dëm të shqiptareve, ka dërguar në adresë të mediave online dhe asnjëherë nuk janë trajtuar.

Arta Berisha

Ato lajme nuk janë publikuar apo jo?

Valjeta Kosumi,

Nuk janë publikuar sepse janë stopuar nga unë por janë transmetuar në RTK2 dhe ish drejtori i përgjithshëm nuk i ka adresuar dhe ky është parimi i i një anshmërisë.

Arta Berisha,

Tjetri dokument të cilin duhet ta keni në zyrat e juaja është Standardet profesionale i cili është updated në vitin 2015 por i ka disa parime të cilat nuk shuhen me vite të tëra.

Besnik Boletini,

Ne kemi cituar lajme prej lajme të tjera edhe në të kaluarën por nuk mendoj që ne si RTK duhet të marrim lajme nga secili portal dhe mendoj që ky lajm nuk e ka pas vendin në RTK sepse është një lajm i bazuar në supozime, me një person i cili flet vetëm në supozime e të cilat janë mjaftë të rënda, ku Ju jeni dashur të mateni shumë para se ta publikoni. Unë jam i kënaqur me trajtimin e rastit të Faton Hajrizit por ky lajm që është publikuar se fundmi në RTK është skandal dhe i njëjti nuk e ka vendin në RTK. Dua të theksoj një element të rëndësishëm i cili sapo na erdh nga u.d. drejtoresha e përgjithshme e cila e ka autorizuar IT të bëjë gjurmimin e publikimit në të gjitha fazat dhe këtu rezulton që janë përmendur emrat e dy (2) mediumeve dhe ne në këtë mbledhje më duket se u gënjyem në sy nga ata që e kanë publikuar lajmin.

Zana Spahiu,

E konfirmoj një gjë të tillë, pra unë nuk jam eksperte e IT por ky lajm sapo më erdhi nga ekspertët e IT-së.

Valjeta Kosumi,

Për hirë të korrektësisë dua të sqaroj se si funksionon sistemi operativ i ueb faqes. z. Blerim Halimi e ka marr lajmin, e ka përkthyer dhe e ka vendosur "unpublished" (të pa publikuar) në sistemin tonë të brendshëm, e ka dërguar tek unë “sealing" (të mbyllur) për ta parë, ku unë i kam thënë që ta përmirësoj këtë pjesë duke hequr emrat e portaleve dhe ta bëjë publik e pastaj se si rrjedhë, këtë pjesë ne nuk e marrim përgjegjësinë sepse mund ta marr kushdo nga përgjegjësit, por unë ju siguroj që emrat nuk janë publikuar.

Rilind Gërvalla,

Shumë mirë që keni pyetur njerëz të cilët po nxjerrin e-maila, bravo ju qoftë që po pyesni njerëz të cilët e kanë kriminalizuar rrjetin në RTK, mos i besoni IT por njerëzve të cilët e kanë kriminalizuar RTK-në. Mua z. Arsim Halili ma ka publikuar e-mailin tim i cili vazhdon të jetë në detyrë.

Fatime Lumi Qehaja,

Refuzoj biseda të tilla dhe e theksoj që është me rëndësi të merremi me rastin për të cilin thirremi. E para për mua që është me rëndësi është që është mbajtur kjo mbledhje sot sepse për mua me rëndësi është t'ju ndegjoj Juve si burimin kryesor, nuk dua të marr të dhëna nga njerëz të tjerë, transmetime të rregulluara, transmetime të shkurtuara, por dua të marr informatën e saktë nga Ju persona të përgjegjshëm për këtë temë. Për mua shumë shqetësuese është reagimi i juaj i vonshëm u.d. drejtoreshë e përgjithshme. Dje në ora 22:00 ju ka ardhur e-mail nga Bordi i RTK-së dhe ne deri në ora 15:00 nuk kemi pas asnjë lloj informate nga Ju. Mua më vjen keq që nuk e keni pa të arsyeshme të reagoni më shpejtë në informatë sepse kjo ndikon në një mënyrë në hapat e më tutjeshëm, të paktën në vlerësimin tim mbrëmë Ju jeni dashur të sqaroni për opinionin që emrat të cilët po përmendën nuk janë publikuar në lajmin e cituar të cilin e ka publikuar RTK, dhe me u sqaruar që mos të lejohet e gjithë kjo situatë të cilën Ju e keni publikuar. Pajtohem me znj. Zana Spahiu që i gjithë ky proces të merret jo duke u bazuar në presione të jashtme apo të brendshme por duke u bazuar në vlerësim profesional dhe menaxhues sepse në fund të ditës jemi lider të cilët duhet të mendojmë strategjikisht për RTK-në e jo vetëm ad-hok duke u bazuar në presione të jashtme apo të brendshme, qofshin ato veprime me apo pa pasoja. Sa i përket e-mailit për ueb-in që na erdhi tani është se unë me këtë rast kërkoj verifikim nga IT nëse është dërguar një e-mail të tillë, po e ndërlidhi këtë me këtë se ka disa akuza që e-mailat dalin nga RTK e që në fakt kjo duhet të verifikohet e gjithashtu ka e-maila që kanë qasje ende në to e një prej tyre është ish anëtari i Bordit të RTK-së z. Driton Hetemi i cili ende ka qasje në e-mailin e tij zyrtar të RTK-së ani pse ai nuk është më pjesë e Bordit të RTK-së dhe nuk e përdor atë e-mail por e ka mundësinë në qasje të tij dhe gjithashtu shumë gazetar të cilët janë në pushim pa pagesë, atyre ju figuron e-maili dhe kjo na bënë të ditur nivelin e IT në RTK. Kështu që kërkoj nga IT të verifikohet se a janë informatat unpublished apo published sepse kjo është mjaftë me rëndësi sepse e-maili nuk mund të dërgohet nga IT duke treguar vetëm se ka gjurmë por duhet të specifikohet se cilat janë ato gjurmë, a janë gjurmë që janë futur vetëm në sistem pa u publikuar me emra, së në rast se është e pa publikuar, është e drejtë e dy (2) administratorëve apo çfarë do pozicioni që kanë i cili lajm del i pa publikuar në sistem deri sa të kontrollohet nga të gjithë para se të publikohet dhe pastaj bëhet published. Kjo është procedurë e të gjitha portaleve. Pra këto verifikime janë shumë me rëndësi para se të dërgohen burime të tilla. Dhe gjithashtu e theksoj që para se të merr u.d. drejtoresha e përgjithshme çfarë do lloj Vendimi, është mirë të analizohen në detaje të gjitha rastet duke i përfshirë deklaratat e tyre, duke i përfshirë edhe dyshimet e IT se a kanë qenë emrat në fazën e pjesës unpublished apo published, kjo për mua e bën diferencën sepse nëse ka qenë lajmi fillimisht me emra unë do të isha shumë më shumë rigoroze ndaj kësaj situate në tonet dhe vlerësimet e mia. Jo rasisht e pyeta në fillim udhëheqësen e mediave online se a ka pas raste të tjera të ngjashme dhe do të doja ti dija gjatë vitit 2024 të gjitha lajmet e publikuara që janë pak a shumë të njëjtës natyrë si ky i fundit të cilët kanë impakt publik, ndikim në politikë etj. dhe gjithashtu për mua me rëndësi është ashtu siç e tha znj. Zana Spahiu që duhet të ketë kujdes sa i përket hierarkisë ku Ju veç e keni kuptuar sa i përket tejkalimit të kompetencave, në fakt unë gjithmonë kam qenë shumë kritike për respektimin e hierarkisë. Për mua është shumë me rëndësi të kem informata të detajuara dhe Ju si u.d drejtoreshë e përgjithshme a e vlerësoni krijimin e një komisioni për këtë rast e që unë pres që ai komision të jetë shumë profesional dhe jo persona të tillë siç e tha edhe znj. Arta Berisha persona të tillë që bëjnë distancime nga distancimet a po persona nga palët e përfshira në rast, por pres një komision profesional dhe të pavarur, të vlerësojë situatën në mënyrë të drejtë pa u ndikuar nga asnjë palë, në mënyrë që ne si Bord dhe Ju si menaxhment ti marrim masat në përputhje me vlerësim objektive dhe ligjore dhe jo subjektive, për shkak se vlerësimet subjektive dhe jo ligjore e dëmtojnë RTK-në dhe të ardhmen e tij si institucion. Nuk është që dua të ju mbrojë, suportoj, kundërshtoj, ndëshkoj, sepse për mua më me rëndësi është RTK si institucion se sa vetja dhe Ju, në kuptimin e imazhit dhe në kuptim e asaj që ne si individ e përbëjmë RTK-në. Vendimet e mia si anëtare e Bordit të RTK-së duhet të jenë shumë të matura andaj duhet ti kemi këto informata, thjeshtë kur të marr një Vendim dua të jem në paqe me vetveten që nuk po e dëmtoj RTK-në më shumë duke u bazuar nën veprime ad-hok, dhe nën presione qofshin ato nga ana juaj apo edhe të jashtme. Anëtaret e Bordit të RTK-së e dinë dhe gjithashtu menaxhmenti e di që unë si anëtare e Bordit të RTK-së nën presion nuk marr Vendime dhe nuk bie pjesë e presionit pra jam e kundërta e presionit. Mua nuk më intereson as çfarë mendon u.d. drejtoresha e përgjithshme, as çfarë mendojnë anëtaret e Bordit të RTK-së as menaxhmenti, thjeshtë më intereson të vlerësoj profesionalisht dhe personalisht të kem opinion shumë objektiv që kur të marr Vendim ku besoj që në raste të tilla ku verifikohet që një mend nuk janë publikuar ata dy (2) emra të portaleve atëherë nuk e di se edhe ku është roli i Bordit këtu me ndërhy por gjithsesi pres ti kem të gjitha informatat ti kemi në kohë dhe pres që reagimet ti bëni me kohë dhe theksoj përsëri që Ju mbrëmë në lajme të fundit është dashur të dilni me një deklaratë që Ju nuk i keni përmendur ata dy (2) emra të portaleve dhe është dashur ta sqaroni opinionin sepse heshtja Juaj ka krijuar manipulim dhe krijim të terrenit të lajmeve të pa vërteta dhe pastaj vijmë në një situatë të tillë që vijnë media në terren të RTK-së duke i bërë presion anëtarëve të Bordit për opinion. Unë dua të vlerësoj situatën se a ka shkelje të etikës, a janë trajtuar të gjitha standardet profesionale, a e ka vlerësuar u.d. drejtoresha e përgjithshme në përpikëri në përputhje me standardet dhe rregullativën e brendshme sa i përket masave disiplinore, kriteret, ranglistën, e pastaj të shikohen reagimet publike etj.

Zana Spahiu,

Te pjesa e reagimeve publike, lajmi është postuar në 14:40 pa varësisht pakënaqësive të mija se si ka proceduar komplet ngjarja, reagimet kanë ardhur dhe gjithashtu presioni pasi që disa nga X personat jashtë kanë filluar me publikim dhe etikim të jashtëm. Nuk e shoh që televizioni publik duhet të jetë në shërbim të disa individëve dhe të jep sqarime për disa individ të caktuar, absolutisht jo. Unë jam për të dhënë sqarime kur ne e kemi të qartë komplet analizën dhe jo të japim deklarime të ngutshme, nuk ka qenë situatë e jashtë zakonshme jetë o vdekje. Nuk po jep deklaratë as drejtoresha në këtë rast e as Bordi i RTK-së por po jep institucioni, andaj e përsëris nuk ka qenë jetë o vdekje nëse dikush shkruan deklaratë ose status dhe në të japim mendime kjo nuk ndodhë në mandatin tim. Pra nuk është shpall rast i jashtëzakonshëm sepse rastet e tilla i shpallë Qeveria e Kosovës, dhe në momentin që kemi gjendje të jashtëzakonshme do të jemi të parët ashtu siç kemi qenë, mirëpo nuk dua të tringëllojmë që RTK të jetë në interesa të faktorëve të jashtëm të cilët e kanë synim destabilizimin e RTK-së.

Fatime Lumi Qehaja,

Pajtohem me Ju dhe gjithashtu e theksoj që një kryeredaktor i njërës nga mediat në Kosovë, i bën thirrje Bordit të RTK-së duke na udhëzuar se si të veprojmë dhe kjo është puro interes sepse një medium tjetër nuk mund të na tregojë se si të veprojmë, pra pajtohem me Ju por tu e pa tendencën e keqinformimit Ju duhet të vlerësoni këtë situatë. Pra unë nuk e kam shqetësimin e reagimit tek statuset e facebookut por nëse Ju e shihni që kjo është devijuar, atëherë Ju duhet të reagoni si menaxhment.

Leonora Berbatovci,

Në fakt menaxhmenti duhet merr një qëndrim për shkak se ne jemi atakuar, pra përtej atakimit të RTK-së, ka pas atakim ndaj individëve, në rastin konkret ndaj meje me emër dhe mbiemër, gjithashtu edhe ndaj z. Jeton Musliu. Është atakuar RTK si institucion kur është thënë se pozita e kryeredaktorit po i ruhet një personi për të cilin unë sot e kam ngritur shqetësimin në mbledhje të menaxhmentit ku edhe i kam sugjeruar u.d. drejtoreshës të përgjithshme me fjalët “Ju lutem dëshmojeni që kjo pozitë nuk është duke u ruajtur për një X person ashtu si i është referuar z. Berat Buxhala" sepse kjo e dëmton institucionin. Gjithashtu dua ta sqaroj pjesën kur thoni "tejkalimi i kompetencave" Ne e kemi një kontratë e cila na specifikon kënd e kemi epror, pra kryeredaktori eprorin direkte ka drejtorin e televizionin. Ne vazhdimisht konsultohemi me drejtorin e televizionit dhe në mungesë të tij konsultohemi me drejtorin e përgjithshëm. A bëhet fjalë për tejkalim të kompetencave vetëm nga poshtë lartë apo edhe nga lartë poshtë, sepse unë kam shembull kam raste kur u.d. drejtoresha e përgjithshme znj. Zana Spahiu më ka thënë përcjelle këtë ngjarje të cilën ajo e ka parë me interes për publikun? Dua të di këtë pasi që tani e tutje të kërkoj sqarim me e-mail për këto kërkesa.

Fatime Lumi Qehaja,

Respektimi i hierarkisë bëhet nga të gjitha palët nga lartë poshtë dhe nga poshtë lartë. Kjo vlen për të gjitha njësitë në mënyrë që funksionalizimi i RTK-së të jetë në nivel.

Besnik Boletini,

Këtu dua të ndërhyjë duke ju theksuar që në këtë mbledhje nuk kemi ardhur për palë të jashtme as për rregullimet e brendshme por jemi duke folur për një shkrim që disa prej nesh sikurse unë mendojmë që nuk ka vend në RTK, detajet janë temë tjetër por jemi duke folur për bindjet tona për situatën që RTK si transmetues publik nuk bën të publikojë një shkrim nga një medium me disa pretendime të pa bazë, të pa argumentuara dhe pa faktuara sepse këto janë akuza mjaftë të rënda.

Dardan Beqiri,

Kur kam ardhur sot në takim unë ende nuk e kam pas një informacion plotësisht, pra në njërën anë më ka ardhur linku i RTK-së nuk ka pas emra të portaleve dhe në anën tjetër në rrjete sociale kam parë emra të publikuar të portaleve. Pse është e rëndësishme emri i portaleve dhe pse jo. Pa emër është thjeshtë pretendim. Në secilën media botërore sot lexojmë disa pretendime në ditë se si përgatiten sulme për sulme bërthamore, lexoj pretendim se si Rusia është duke përgatitur disa vatra krizë në Ballkan, fakte nuk ka por janë thjeshtë pretendime. Lexoj se si qendra Ruse në qytetin e Nish është qendër e spiunazhit por fakte ende asnjë media nuk ka ofruar, pra është pretendim. A ka pretendime nga shtetet kur janë armike për të ndikuar në media të tjetrit shtet? Po në çdo vend të botës ka, pra po flasim për një botë jo normale por në një botë ku lufta hibride ka zënë vend me të madhe. Tjetra është që nga drejtori i televizionit na vjen informacioni që ky lajm ka ardhur nga instancat e sigurisë, unë pajtohem me znj. Fatime Lumi Qehaja që në radhë të parë është institucioni i RTK-së por kur është siguria kombëtare në pyetje jo institucioni por edhe individi subkordinohet shteti dhe siguria kombëtare është sipërore.

Arta Berisha,

Ku e ke në artikull institucionin e sigurisë? Nuk funksionon kështu siç po thoni Ju z. Dardan Beqiri.

Dardan Beqiri,

Drejtori i televizionit e ofron gatishmërinë.

Arta Berisha,

Nuk funksionon kështu, televizioni nuk është degë e institucionit.

Dardan Beqiri,

Duhet të bëhesh update me luftën hibride dhe gjithashtu me rolin e ri e transmetuesit publik.

Arta Berisha,

Nuk ka kurrfarë roli, nuk kanë ndryshuar rregullat.

Dardan Beqiri,

Tjetra është që edhe brenda mbledhjes na vijnë informacione kontradiktore ku në njërën anë është që lajmi është publikuar pa emër dhe në anën tjetër na vjen e-maili nga IT që lajmi është publikuar me emra, published ose unpublished, nuk e di por për këtë është nevoja e krijimit të një komisioni që e heton komplet ngjarjen ku ne si Bord marrim Vendim mbi bazën e fakteve dhe jo mi bazën e pretendimeve sepse lajmi pa emër është vetëm pretendim. A ka tendencë apo jo, unë si politolog them që ka tendencë. A ka tendencë të ndikimit të shtetit serb jo vetëm në media por në secilin institucion të Kosovës ka pretendime ku e kemi edhe lajmin me agjentët e bia-s, ka pretendime ruse, kineze etj. Kjo e shpërfaq tendencën e një shërbimi sekret të një shteti që të konsideron armiqësor për të ndikuar jo vetëm në media por në secilin institucion.

Besnik Boletini,

Secili shkrim është i veçantë, nuk mund të nisemi nga një kontekst e ti përfshijmë të gjithë.

Dardan Beqiri,

Atëherë po e zhveshim si lajm dhe po e marrim të mirëqenë pa emra të portaleve, çka ka aty diçka interesant?

Besnik Boletini,

Është skandaloze të thuhet që mediat në Kosovë marrin miliona euro nga Vucici pa u bazuar askund fare, pra vetëm nga një person atje ku është.

Dardan Beqiri,

Por është pa emër dhe pa adresë, çka nëse vërtetohet që është i saktë si lajm?

Besnik Boletini,

E kjo është puna e gazetarit, të vërtetohet se a është e saktë.

Dardan Beqiri,

Por çka nëse është aspekt i cili i kontribuon hetimit më tutje të instancës të sigurisë? Nuk mundemi ne të krenohemi me instanca të sigurisë kur i shohim aksionet e tyre duke vepruar në ngjarje e kur kanë lajme sa i përket luftës hibride, i refuzojmë.

Arta Berisha,

Pa fakte asgjë nuk bën, ose duhet të ndërrohet statuti ku thuhet se ne jemi në ballë të luftës hibride, propozoje ndryshimin e statutit dhe e shqyrtojmë.

Dardan Beqiri:

Ama një fakt nga lajmet BBC qe e konfirmon që e konfirmon që janë vrarë X ushtarë në ndonjë vend.

Arta Berisha:

Mos e përmend BBC sepse ne jemi me kilometra larg nga standardet e BBC-së.

Albulena Mehmeti,

Ju lutem mos të dalim nga tema për të cilën jemi mbledhur për diskutim.

Dardan Beqiri,

Nuk jam duke dal nga tema e paraparë por jam duke e krahasuar RTK-në me media të tjera perëndimore konkurruese sepse nuk jemi në vitin 2000 duke fol për një botë paqësore, jemi duke fol për një botë konkurruese dhe lufta hibride është prezente gjithkund.

Arta Berisha,

Nëse doni të jeni në ballë të luftës hibride duhet të ketë strategji dhe të dilet në ballë.

Dardan Beqiri,

Këtë thuaja instancave të sigurisë. Unë rekomandoj krijimin e një komisioni që e trajton në mënyrë profesionale secilin argument, secilin fakt dhe në fund të vije në konkludim të vetëm dhe jo kontradiktor.

Albulena Mehmeti,

Atëherë lajmi nuk e ka përmbajtur vetëm elementin e mediave por ka përmbajtur edhe elemente të tjera te cilat janë në interes te publikut. Unë propozoj para se të sjellni një propozim tek ne, e formoni një komision që me gjakftohtësi dhe kokë të ftoftë i shihni të gjitha faktet të cilat i keni e pastaj komisioni i heton. Për mua është e papranueshme që ne si Bord i RTK-së të ndërhyjmë në pavarësinë editoriale tek ata që e kanë pa të arsyeshme si lajmet e tjera, edhe këtë lajm ta plasojnë në RTK. Si Bord i RTK-së nuk e kemi këtë kompetencë.

Arta Berisha,

E kemi këtë kompetencë si anëtar të Bordit të RTK-së, pra e kemi kompetencën të sigurohemi që si RTK të jemi të saktë, të pa varur dhe pa anshëm, këtë e kemi obligim ligjor.

Albulena Mehmeti,

Absolutisht, kështu që para se të na vijë një propozim nga ju si menaxhment është mirë të krijohet një komision, të mblidhen argumentet dhe pastaj ai propozim të na vijë në mbledhje të Bordit të RTK-së ku ne si anëtar të Bordit të RTK-së do ta shqyrtojmë dhe do të marrim një Vendim. Unë kaq kam për këtë pjesë.

Arta Berisha,

Rekomandimet i bëjmë në emër të gjithë Bordit të RTK-së dhe jo në mënyrë individuale dhe besoj që veprojmë në bazë të Statutit të RTK-së dhe Rregulloreve në Fuqi.

Albulena Mehmeti,

Pajtohem por ashtu si znj. Fatime Lumi Qehaja e tha mendimin e saj, z. Dardan Beqiri e tha mendimin e tij, gjithashtu edhe unë thash mendimin tim sa i përket kësaj çështje.

Biroll Urcan,

Kjo që ka ndodhur së fundmi nuk ka ndodhur vetëm sot por këto lloj problemi RTK i ka të kamotshme, pra ky lajm një burimor është vetëm një vazhdimësi. Në gazetari duhet gjithmonë duhet të merren dy (2) burime dhe në RTK vazhdojnë të merren lajme vetëm një burimore. Mendoj që RTK duhet të jetë institucion i besueshëm sepse ne nuk jemi në biznes të lajmit të shpejtë por ne duhet ti ofrojmë publikut siguri. Gazetaria nuk është zanat i lehtë aspak dhe unë mendoj që kjo që ka ndodhur dhe lëshimi që është bërë nuk është sa i përket jo profesionalizmit por është dembeli së pari nga gazetari i cili ka publikuar lajm sa për sy e faqe dhe e dyta është dembeli edhe e redaktorit dhe kryeredaktorit pra është dembeli zingjirore. Pra sa i përket mendimit tim, edhe kryeredaktori edhe redaktori edhe gazetari në aspektin teknik të gazetarisë janë përgjegjës por nuk janë të vetmit fatkeqësisht sepse këso raste kemi rregullisht. Pra ne nuk duhet të krahasohemi me portale në Kosovë sepse ne jemi RTK dhe jemi të besueshëm për publikun. RTK është një fije shprese në pavarësinë editoriale dhe në gazetari. Sugjerimi im është pavarësisht se çfarë do të vendoset për këtë rast, mos e ndjekin lajmin e shpejtë por atë të besueshëm, gjithmonë duhet ti merrni dy (2) burime.

Safet Kabashaj,

Lajmi nuk është verifikuar dhe mendoj që nuk është dashur të publikohet. Kemi me qindra portale në rajon dhe zhvillime të shumta ku mund të citoni si lajme.

Dardan Beqiri,

Unë e kam një propozim për u.d. drejtoreshën e përgjithshme formimin e komisionit i cili duhet të merret me rastin le të vijnë me një Vendim të saktë jo kontradiktor ashtu siç e ceka më herët dhe ne si Bord i RTK-së marrim Vendim mbi bazën e atij raporti, përndryshe me informacione kontradiktore, në suaza të presionit të jashtëm, unë nuk marr Vendim./ Nacionale

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja