Një 35-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë pas një sherri të ndodhur në një lavazh në lagjen “15 Tetori” në Fier. I plagosuri është identifikuar si Eldi Gremi, i cili është paraqitur për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit rreth orës 11:40 të së dielës. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas policisë, 35-vjeçari dyshohet se është goditur me thikë nga një person ende i paidentifikuar, pas një konflikti që ka degraduar në dhunë. Burime policore bëjnë me dije se i plagosuri është pronar i një subjekti në zonë dhe dyshohet se autori ishte personi që kishte marrë me qira biznesin e tij. Konflikti mendohet të ketë nisur për shkak të pagesës së qirasë.

Megjithatë, dinamika e plotë e ngjarjes mbetet ende e paqartë, sepse i plagosuri nuk jep detaje për rrethanat dhe as për identitetin e autorit. Ky i fundit është larguar nga vendi i ngjarjes ndërkohë që policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tij.

Njoftimi i Policisë së Shtetit 

"Fier/ Informacion paraprak/ Rreth orës 11:40, në spitalin rajonal të Fierit është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi E. G., 35 vjeç, i cili dyshohet se është plagosur me mjet prerës thikë nga një shtetas ende i paidentifikuar. Shërbimet e Policisë po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit."

Lajmi në përditësim