Tragjike në Gjirokastër! Një 12-vjeçare, Krisanthi Ndrico, ka humbur jetën si pasojë e flakëve në fshatin Derviçan të Gjirokastrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 minuta, kur të zotët e shtëpisë kanë dhënë alarmin se banesa është përfshirë nga flakët.

Pas zbardhjes paraprake të dinamikës së ngjarjes mësohet se shkak i zjarrit që shkrumboi banesën ishte një qiri, pasi prej orës 17 të pasdites së të dielës fshatrat e Dropullit ishin pa energji elektrike, ndërsa zona e Gjirokastrës është përfshirë nga reshje të forta shiu dhe ere. Burimet pohuan se 12-vjeçarja u izolua në banjë, pasi flakët u shpërndanë në shtëpi dhe familjarët kërkonin ndihmë për të shuar zjarrin që përfshiu banesën dykatëshe. I plagosur në spital ka përfunduar edhe babai i saj, Irakli Ndrico, i cili ishte në banesë bashkë me të kur ra zjarri.

'Rreth orës 20:30, në sallën operative ka ardhur një telefonatë se në fshatin Dervician, Dropull, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit I. N. Në momentin kur banesa është përfshirë nga flakët, brenda saj kanë qënë shtetasi  I. N., 49 vjeç dhe vajza e tij 12 vjeçare H.N, ku si pasojë janë  dëmtuar dhe janë transportuar në spitalin Rajonal Gjirokastër. Pas mbërritjes në spital  12 vjeçarja si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë, ndërsa shtetasi I.N. ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për  zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.'- njofton policia.

Vetëm pak javë më parë një tjetër tragjedi ndodhi nga zjarri në fshatin Hllomo, të bashkisë Gjirokastër, ku për pasojë humbën jetën një një çift të moshuarish. Shkak i zjarri ishte bërë bombola e gazit. Irakli dhe Fotini Panajoti, përkatësisht 84 dhe 73 vjeç humbën jetën në mënyrë tragjike.