Korçë - Një ngjarje e rëndë është shënuar në qytetin e Korçës. Një 16-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi dyshohet se abuozoi seksualisht me një të mitur.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë një 16-vjeçar, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase të mitur”, njoftoi sot policia.

Ndërkohë sipas burimeve për Report Tv bëhet me dije se 15 vjeçarja prej disa ditësh bashkëjetonte me 16 vjeçarin, duke qenë në një lidhje me të. Për lidhjen ka qenë në dijeni edhe nëna e vajzës, e cila e ka lejuar këtë të fundit të qëndronte me adoleshentin për disa ditë.

Në deklaratën në polici, e mitura fillimisht ka thënë se 16 vjeçari ka ushtruar dhunë fizike, ndërsa më pas ka pretenduar se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë.

Grupi hetimor vijon hetimet pasi dyshohet se ka edhe persona të tjerë të përfshirë. Mësohet se e mitura ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike, ku mbahet nën vëzhgim nga psikologët.