E ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte Kolonelja shqiptare e sapo graduar e Forcave Ajrore Amerikane (USAF), Suzana Gjekaj. Ajo ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pasi është diplomuar, në profilin e stomatologjisë, ka ndjekur dhe karrierën ushtarake në Ushtrinë Amerikane. Gradën e Kolonelit mund ta marrin vetëm 1.8% e ushtarakëve në Ushtrinë Amerikane, ndaj është vlerësim shumë i madh për të dhe karrierën e saj të shkëlqyer në uniformë.
”Kam pasur shumë sfida deri sa kam arritur në këtë vlerësim dhe ky është rezultat i një punë për më shumë se 18 vite”, tha Suzana në studion e Rreze Dielli.
Edhe pse ka lindur në Amerikë, familja e saj është me origjinë nga Malësia e Madhe.

”Babai im ka emigruar për herë të parë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1971, duke shkuar fillimisht në Itali e më pas përtej Oqeanit” tregoi ajo.
Suzana tha se ka një vëlla dhe dy motra dhe ka një familje të madhe, ku kushëri të parë numëron plot 64.
”Ne jemi rritur të gjithë bashkë dhe për mua nuk janë kushërinj, por si vëllezër dhe motra” tha Suzana gjatë bisedës.
Familja e saj jeton në Michigan, Detroid dhe janë shumë të lidhur me komunitetin shqiptar.
”Në familjen time janë ruajtur traditat, kemi festat tona tradicionale, shkojmë në meshën e kishës shqiptare gjithashtu”- shtoi ajo, ndërsa theksoi se kjo është hera e dytë që vjen në Shqipëri.
Nuk humbet rastin të thotë se ndihet me fat që i është dhënë mundësia të futej në ushtri, pasi së pari ka shëtitur gjithë botën dhe është rritur profesionalisht, ndërsa ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në uniformë.
”Kur mbusha 18 vjeç, kisha dy mundësi, o të shkoja në Universitet, ose të martohesha, sipas traditave tona si shqiptarë, por unë zgjodha të studioja në Forcat Ajrore”, nënvizoi ajo.
Për gati 11 vite Suzana ka qenë e profilizuar dhe në fushën e stomatologjisë së përgjithshme, ndërsa më pas u profilizua në stomatologjinë pediatrike. Familja e saj është shumë krenare për të, ndërsa shprehu habinë e popullaritetit në hapësirën shqiptare dhe diasporë, pasi u gradua Kolonele.
Ushtarakja tha gjithashtu se vajzat kanë shumë potencial dhe psikologjikisht janë shumë të forta, ndaj nuk kanë ndonjë dallim me meshkujt po në uniformë. Ajo foli dhe për pasionin dhe hobin e saj, fluturimin me helikopter që e bën prej vitesh dhe i jep shumë adrenalinë.
E pyetur nga moderatorja për shqiptarë të tjerë në uniformë tek Forcat Ajrore Amerikane, Suzana rrëfeu se në djeninë e saj janë katër, ndërsa tre prej tyre i ka miq që mban kontakte të shpeshta.
“Të gjithë e dinë që jam shqiptare në Forcat Ajrore, pasi vihet re nga mbiemri” pohoi Suzana.
E gjendur midis dy kulturave, asaj amerikane dhe shqiptare, Suzana tha se Amerikën e vlerëson për vendin e mundësive, ndërsa në pjesën shqiptare vlerëson shumë elementin e familjes së fortë dhe të lidhur.
MC/SI.E./Shqiptarja.com“Në të gjithë botën unë besoj se mikpritja jonë dallon dhe kjo më pëlqen shumë”, u shpreh ajo në fund të bisedës në studion e Rreze Dielli.
Komente

