VLORE - Një 37-vjeçar ka rrëmbyer, droguar dhe ka përdhunuar një shtetase duke e mbajtur atë për disa ditë në shtëpinë e tij në qytetin e Vlorës.

Dritan Manaj, 37 vjeç, me anë të mashtrimit ka arritur të rrëmbeje shtetasen me inicialet A.B të cilën e ka çuar në banesën e tij. Sipas policisë së qarkut Vlorë, nën kërcënimin e armës dhe duke i ndërprerë lidhjet e saj me familjen e ka mbajtur për disa ditë me radhë jashtë vullnetit të saj. Kohë gjatë së cilës 37-vjeçari nën kërcënimin e armës e ka keqtrajtuar, droguar dhe përdhunuar shtetasen në fjalë.

Ndërkaq, vetëm gjatë ditës së djeshme, shtetasja A.B ka mundur t’i shpëtojë 37-vjeçarit ndërsa më pas është paraqitur në polici për të bërë kallëzim, sëbashku me familjarët e saj.

“Menjëherë nga Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë me mbështetjen e sektorit të Operacioneve Speciale dhe efektivë të Krimeve të Rënda është organizuar puna për gjetjen dhe kapjen e këtij shtetasi. Falë një pune të mirëorganizuar dhe brenda një kohe shumë të shkurtër, dje rreth orëve të pasdites është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: Dritan Manaj, vjeç 37, banues në fshatin Peshkëpi të Komunës Vllahinë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje narkotikësh.”, lexohet në njoftimin për shtyp të Policisë Vlorë.

Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi në cilësinë e provës materiale janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri tip automatik mod 56 (kallashnikov) si dhe 97 gramë lëndë narkotike e llojit “Cannabis sativa”.

Materialet procedurale ju referuan Prokurorisë për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

(Gre.M/Shqiptarja.com)