Nëntë viktima janë shënuar në shtatë ditët e para të vitit 2020 nga atentatet dhe aksidentet në vend. Viktima e parë për 2020 u shënua në Kamëz nga një aksident në datë 2 janar. Një 32-vjeçar përplasi për vdekje me makinë një grua që po lëvizte me biçikletë. Po pasditen e 2 janarit humbën jetën në një tjetër aksident dy persona të tjerë në Porcelan, pasi u përplasën nga një makinë në trotuar.

Nga aksidenti viktima mbetën Erion Balla 36-vjeç dhe një grua e moshës 72-vjeçe, Hidajete Salliu. Një ditë më pas, në 3 janar një punëtor Ervis Josifi humbi jetën në Korçë, pasi i ra në kokë presa e betonieres.  Në datë 5 janar një i moshuar u përplas për vdekje nga një autobus në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Dje humbi jetën një tjetër person, këtë herë në Berat, ku u përplas për vdekje Gramoz Zani. Por nuk ka pasur vetëm aksidente me vdekje, por edhe vrasje në atentate.

Në 6 janar u shënua atentati i parë për vitin 2020, ku u vra biznesmeni Guxim Gjyriqi 47 vjeç në Tropojë pranë karburantit dhe restorantit të tij. Sot në Rrëshen u ekzekutua me snajper Kastriot Reçi 47 vjeç, ish-bashkëpronar i një medie lokale në Lezhë dhe së fundi pronar i një rrjeti kabllor. Ndërkohë që në mbrëmjen e sotme një 16-vjeçar në Mallakastër torturoi dhe mbyti në rezervuar nusen e xhaxhait, pasi më parë iu fut në shtëpi me dy shokë për ta grabitur. Një javë me nëntë viktima është një kambanë alarmi për nivelin e kriminalitetit në një vit që sapo nisi.