E shkarkuat Bashën, e pastaj …?

E shkarkuat Bashën, e pastaj …?

Kreu i PD, Lulzim Basha

Foltoristët dhe kryetari i tyre Sali Berisha, po numurojnë me padurim të madh, sa ditë dhe sa orë, kanë mbetur deri ditën e mbajtjes së Kuvendit. Në pothuajse të gjitha tubimet e Foltores së Berishës, e vetmja thirrje që dëgjohet është “Basha ik, të shkarkojmë Bashën, kryetar kemi Berishën”.Të ngjason me thirrjet e dikurshme, që bënin nga sallat e mbledhjeve “të të marrin të keqen shoku Enver”.

Dhe natyrisht ai miratonte me tundje koke. Kjo po ndodh edhe me thirrmëtarët e Foltores, të cilët as nuk e dinë, dhe as e kanë menduar se ç’do të vijë pas datës 11 Dhjetor. Ata as e kanë idenë, se çfarë e pret Partinë Demokratike, apo dhe ish-liderin historik, në rast se shkel ligjin. Por edhe sikur të ndodhë ajo që premton Berisha. E shkarkoi Bashën, duke patur shumicë votash në Kuvend, po pastaj ? Ish-lideri historik, gjithmonë e ka një plan “A” , ashtu siç ka edhe një plan “B”, dhe nuk i niset kuturru një rruge. Eshtë i rrahur me “vaj dhe uthull” për situata të tilla, dhe nuk pranon ta lëshojë pa kosto partinë që “e lindi dhe rriti vetë”. Ata që do të mbushin sallën e Pallatit të Kongreseve, apo stadiumit “Air Albania” (pasi Berisha thotë se numri sa vjen dhe rritet) nuk e kanë menduar gjatë si do të shkojnë punët e ish-liderit apo dhe Partisë Demokratike, pasi të shkarkohet Basha (sipas tyre) dhe fronin e tij ta marrë lideri i tyre historik.

E keqja më e vogël, do të jetë izolimi asaj partie nga faktori ndërkombëtar, rikthimi në kohën e vjetër, asaj kohe që kurrë nuk duhet ti gëzohen anëtarët e asaj partie. E keqja më e madhe, mbetet copëtimi partisë, dhe nisja e një lufte të ftohtë mes tyre dhe SHBA-së. Kjo për faktin sepse, DASH, kurrë nuk do të pajtohet me një parti politike, e cila rimerret me forcën e “kartonit” nga një ish-kryetar i shpallur “non-grata”, dhe që mban mbi vehte, kusure të mëdha, si viti 1997, Gërdeci, 21 Janari, dhe akuza të tjera që lidhen me korrupsionin.E shkarkuat Bashën, dhe emëruat si në “kuvende burrash” dikur, Sali Berishën, dhe pastaj ? Fituat mbi Ramën, fituat pushtetin… ? Shumë naivitet për atë masë të madhe anëtarësh apo dhe delegatësh që besojnë se, “Berisha do të rrëzojë qeverinë, kryeministrin, dhe do të marrë pushtetin”, pastaj “do ti miqësojë edhe më shumë me amerikanët”.

Këto përralla dimri, vetëm ithtarët që tundin flamujt e partisë mund ti besojnë. Partia Demokratike, vërtetë ka nevojë për rithemelim, ribashkim, ristrukturim, dhe hapje ndaj elitave dhe të rinjve, por kjo nuk mund të bëhet kurrë nga Sali Berisha. Kjo për faktin, sepse ish-lideri “historik”, (që pas 11 Dhjetorit nuk mund të quhet më i tillë), i ka dhënë provat, i ka patur mundësitë, dhe i ka konsumuar të gjitha shanset dhe pushtetet, ndaj dhe sot qëndron on-line me mbështetësit e tij në SHBA, pasi nuk mund të shkojë më përtej Atlantikut. Ata që sot kërkojnë (të yshtur padyshim) shkarkimin e Bashës, dhe rikthimin e Berishës, (pasi duhej të kërkonin largimin e të dyve) nuk e kuptojnë çfarë shërbimi të keq dhe të pariparueshëm po i bëjnë Partisë Demokratike, duke humbur jo vetëm mbështetjen e partnerit tonë historik dhe stradegjik SHBA-së, por po e rikthejnë atë parti në kohët e mbrapshta dhe llogoret e gabuara.

E ndërsa “kongresmenët e Foltores” shpresojnë se “shkarkimi i Bashës dhe rikthimi i Berishës do ti shpejrë në pushtet”, vetë lideri historik po i gëzohet faktit, se tashmë ka siguruar një mburojë politike ndaj vendimeve të DASH-it, dhe nuk pyet shumë për fatin e paracaktuar të asaj partie. E shkarkuat Bashën, dhe vutë Berishën, po pastaj ? Sërish do të ktheheni në vendet tuaja, dhe do të mbani sytë dhe veshët nga telefoni, për të marrë nga lideri historik sinjalin e “protestës së madhe”. Sërish do të merrni bukë me vehte, do ti hipni autobuzëve dhe do të vini në Tiranë.Pasi të mbarojë protesta,do të ktheheni nga keni ardhur, duke marrë me vehte vendimin e liderit historik, “qeverinë e rrëzuam”.Dhe kjo do të vazhdojë gjatë…. shumë gjatë.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë