E shkuara vjen tashmë më pranë publikut përmes teknologjisë. Dokumente, fotografi, filma, regjistrime dhe dëshmi që tregojnë historinë e shqiptarëve janë bërë pjesë e një hapësire të re, moderne dhe ndërvepruese, te Muzeu Arkivor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, i cili ka hapur dyert për publikun, në një muze të veçantë.
“Ky këtu është një muze arkivor, nuk është një muze i arkivit. Është muze i dokumenteve. Është muzeu më i bukur, më modern që ka Shqipëria sot. Është një muze që ndjek ciklin e jetës së njeriut dhe dokumentet që shoqëria njerëzore prodhon gjatë ciklit të jetës.”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Auron Rrokaj.
Ekspozita e përhershme është konceptuar si një “linjë jete”, ku historia nis me lindjen dhe vijon përmes dashurisë, besimit, jetës shoqërore, por edhe divorceve, privimit dhe vdekjes. Qindra dokumente të riprodhuara, fotografi, materiale filmike e dëgjimore janë ndërthurur me teknologjinë, për ta bërë vizitorin pjesë të rrëfimit.
Kalendari historik, restaurimi virtual i dokumenteve, pyetësorët mbi figura e ngjarje historike dhe rubrika mbi pasurinë dialektore të shqipes e kthejnë vizitën në një përvojë edhe informuese, edhe argëtuese.
“Muzeu është ndërveprues, është konceptuar në mënyrë që vizitori mos të jetë thjesht një soditës, por të ndërveprojë me vetë muzeun. Të rinjve do t’iu pëlqejë shumë. Të vijnë të shohin muzeun, sepse ashtu do të rigjejnë dashurinë për letrën.”, vijoi Rrokaj.
Për kryetarin e Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, hapja e muzeut është një tjetër hap drejt një arkivi më të hapur për publikun.
“Kënaqësia është që kam marrë pjesë kur është bërë ligji i ri për arkivat. Ka qenë drejtor Shaban Sinani dhe shohim me kënaqësi që ligji është zbatuar me korrektesë dhe tashmë arkivat janë të organizuara në mënyrë moderne sipas kërkesave të kohës. Ligji i trashëgimisë lejon pikërisht që institucionet të kenë dhe muze autonome, të cilët patjetër bëjnë që në kuadrin e një shoqërie të hapur publiku të ketë një akses të drejtpërdrejtë mbi institucionin. Arkivat nuk janë për t’u mbajtur sekret, por ruhen pikërisht për t’u përdorur.”, tha kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.
Muzeu sjell edhe një ekspozitë të përkohshme me kodikë bizantinë dhe pasbizantinë, pjesë e “Koleksionit të Kodikëve të Shqipërisë”.
Në hapësirat përreth janë vendosur edhe postulati i personaliteteve shqiptare, ndërsa projekti shtrihet përtej muzeut, me auditoriumin, kinemanë dhe teatrin veror me 140 vende, si dhe hapësirën e studimit në natyrë.









Komente
Komento