E vërteta dhe Xh.Orwell

Ndërsa gjendja financiare është një nga shqetësimet më të mëdha për qëndrueshmërine e ekonomisë shqiptare, Ministria e Financave nuk ka botuar sipas detyrimit të dhënat fiskale të 7 mujorit, me pretendimin e problemeve në sistemin elektronik të thesarit. Akoma nuk ka asnjë afat zyrtar se kur ato do të jenë të disponueshme. Megjithatë në këtë situatë, kryeministri në detyrë në mbledhjen e qeverisë deklaroi se: Financat shqiptare janë transparente dhe gjendja ekonomike është solide!!!

Ai gjeti rastin të përgëzojë administratën tatimore e doganore, e cila gjatë muajit korrik, në tatime arriti të mbledhë 7 përqind më shumë, kurse doganat sipas tij mblodhën 16 përqind më shumë sesa në korrikun e vitit të shkuar...”
Por si qëndron e vërteta e të dhënave fiskale?

Nga të dhënat mbi të ardhurat sipas disa burimeve operative nga tatimet dhe doganat, vërehet se nuk ka vend për përgëzime, pasi të ardhurat në dogana dhe tatime nuk janë realizuar as në nivelin që punonjësit e këtij sistemi kishin programuar, duke krijuar një mosrealizim ndaj planit për korrikun, me -2,3 %, ose rreth 6 milionë dollar. Ndërsa për periudhën janar- korrik 2013, mosrealizimet e të ardhurave në tatime dhe dogana tregojnë se mosrealizimet janë të larta, jo vetëm ndaj planit, por edhe ndaj faktit të 2012. Përkatësisht ato rezultojnë -7,6 % dhe -2,2 %, ose në madhësi absolute mosrealizimi është 132 milion$ ndaj planit dhe 36 milion$ ndaj faktit të 2012.

Realiteti ynë përgënjeshtron atë që thotë kryeministri mbi trasparencën, por edhe përsa ai flet për gjendjen solide të ekonomisë. Më poshtë po rendis disa tregues të botuar nga vetë Ministria e Financave për të dhënat fiskale të 6 mujorit.

1. Të ardhurat buxhetore janë 6-7 miliardë lekë më pak se një vit më parë. 2. Borxhi ka arritur, sipas Ministrisë së Financave 871,8 miliardë lekë nga 828.2 miliardë lekë në fund të vitit 2012.  3. Defiçiti buxhetor ka arritur 48.2 miliardë lekë kur parashikimi vjetor është 48.9 miliardë lekë.  4. Me të ardhurat nuk mbulohen shpenzimet korrente duke u shfaqur defiçiti primar.  5. Në fund të tremujorit të parë, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së është vlerësuar në 63.3 % duke tejkaluar kufirin e vendosur në lijgin buxhetor 62,6%.  6. Ka rënie në tepricën kredisë në 553 miliard lekë nga 554 miliard lekë që ishte në Maj të vitit të kaluar.

Në këtë situatë, si mund të flasim për gjendje ekonomike solide!? Çfarë duhet të ndodhë akoma që të tronditet stabiliteti ekonomik financiar i vendit?
Ky qenka stabiliteti? A duhet pritur të flase FMN? FMN do e zgjidhë problemin tonë? FMN do rekomandojë shkurtim shpenzimesh, rritje taksash, defiçit i ulët buxhetor për vitin 2014.
Prandaj është koha të flitet qartë mbi ekonominë duke inkurajuar mendimin e lirë dhe profesional ekonomik me synim për gjetjen e zgjidhjeve më opimale larg eklektizmit.

Për këtë situatë ekonomike tonën, ku sa më shumë flitet për trasparencë, shifrat mungojnë, apo dalin shume vonë, përgjigjen si përherë e gjej te i madhi Xhorxh Orwell, romani i të cilit “1984” në majin e këtij viti në USA, qe më i shituri, jo rastësisht sikurse edhe simbolika e personazhit që ai krijoi në këtë roman bigbrother, dhe për të cilin flasin të gjithë duke arritur përmasa globale.

“Statistikat qenë marrëzi si në versionin origjinal dhe në atë të korrigjuarin. Punonjësit qenë të detyruar në shumicën e kohës t’i sajonin ato nga mendja. Për shembull Ministria e Bollëkut e kishte parashikuar numrin e çizmeve për tremujorin 145 milionë palë. Shifra reale e prodhuar u dha 62 milionë. Megjithatë kur e rishikoi parashikimin Uinstoni e zbriti shifrën në 57 milionë, me qëllim që si zakonisht të synohej në tejkalim. Sidoqoftë, edhe shifra 62 dhe ajo 57 milionë ishin shumë larg së vërtetës. Mundësia më e madhe ishte të mos ishte prodhuar asnjë pale çizme.

Dhe po kaq e mundshme, jo vetëm që nuk dinte kush sa palë qenë prodhuar, por as që çante kokën ta dinte. Ajo çfarë dihej me siguri ishte fakti që çdo tremujor në letër, çizmet prodhoheshin në shifra astronomike, ndërkohë që gjysma e popullsisë së Oqeanisë ecte këmbëzbathur. Dhe kështu ndodhte me çdo statistikë, sado e madhe, apo e vogël qe. Githçka zhdukej dhe në fund fare as data nuk qe e sigurt”. ”Puna e Uinstonit ishte të korrigjonte shifrat e kohëve të fundit dhe t’i barazonte me ato të parashikuarat.

E shkuara rifreskohej ditë për ditë, madje minutë për minutë. Në këtë mënyrë, çdo parashikim i bërë nga Partia mund të vërtetohej me dokumenta që kishte qënë i saktë; ..Nuk lejohej të ekzistonte asnjë paragraf gazette, apo kurrfarë opininioni që binte në kundërshtim me nevojat e çastit…Në fakt, mendoj Uinstoni, ndërsa korrigjonte shifrat e Ministrisë së Bollëkut, as falsifikim nuk mund të quhej. Ishte thjesht zëvendësim i një marrëzie me një marrëzi tjetër”. (Xhorxh Orwell “1984” faqe 63)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 23.08.2013
 
Redaskai Online
(b.m/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Futbollisti shqiptar në histori, i shënon PSG-së pas vetëm tre minutave lojë! Kupa e Francës sjell çudira

VIDEO/ Futbollisti shqiptar në histori, i shënon PSG-së pas vetëm tre minutave lojë! Kupa e Francës sjell çudira