Bollino: E vërteta e thjeshtë e sondazhit të sotëm dhe të 2017-s

Bollino: E vërteta e thjeshtë e sondazhit të sotëm dhe të 2017-s

Sondazhi i publikuar tri ditë më parë nga Report TV mbi situatën politike në Shqipëri nuk le vend për dyshime: opozita e drejtuar nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi nuk ka fituar zemrat e shqiptarëve.

Zgjedhja radikale për të djegur mandatet, pasi ngjalli kritika në të gjithë komunitetin ndërkombëtar (me përjashtim të Rusisë, e cila nuk është prononcuar mbi ngjarjet e fundit në Shqipëri, megjithëse ka ndjekur direkt në televizion zhvillimet e saj) është dënuar nga 75% e opinionit publik shqiptar. Sipas sondazhit nga pikëpamja zgjedhore, PD dhe LSI mbeten pakicë në vend edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale, ashtu si dhe në zgjedhje eventuale politike të parakohshme. Besueshmëria e Lulzim Bashës është shumë më poshtë asaj të Edi Ramës dhe madje edhe të Sali Berishës; besueshmëria e Monika Kryemadhit është më poshtë se 3%.

Sondazhi është realizuar për llogari të Report TV nga shoqëria italiane GPF Research, e cila ekziston që nga vitet ’80 dhe tani drejtohet nga Roberto Baldassari, ish-president i Institutit Piepoli. Në këtë sondazh, Report TV vetëm ka porositur dhe paguar shërbimin: i gjithë kërkimi është bërë nga shoqëria GPF Research dhe nga Roberto Baldassari, që në fakt edhe ia ka prezantuar publikut, duke marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë. Baldassari tashmë prej vitesh realizon sondazhe në Shqipëri. Në maj 2017 ka qenë i vetmi realizues sondazhesh që parashikoi një muaj në avancë fitoren e shumicës absolute të Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit, duke i atribuar një numër mandatesh më të madh se 71 dhe duke parashikuar jo vetëm humbjen e PD dhe LSI, por edhe numrin e saktë të mandateve, që në të vërtetë morën më pas.

Edhe një sondazh tjetër, i kryer për llogari të Ora News nga shoqëria italiane IPR Marketing e Antonio Notos parashikonte humbjen e opozitës. Ishin javët kur Ilir Meta fantazonte për fitoren dërmuese të LSI-së dhe shprehej i bindur (publikisht dhe privatisht) se do të merrte midis 40 dhe 50 deputetëve: kutitë e votimit i dhanë vetëm 19, pikërisht numrin e parashikuar nga Baldassari para votimit. Sondazhi i transmetuar edhe atëhere nga Report TV nuk i pëlqeu PD-së dhe mbi të gjitha LSI-së, që provoi ta përgënjeshtronte me çdo mënyrë, duke u hakmarrë më pas për publikimin e tij.

Dhe ja, pas një viti e gjysmë, jemi përsëri aty ku ishim. Baldassari realizon një tjetër sondazh për Report TV dhe parashikon sërish, pikërisht si dhe në vitin 2017, disfatën e opozitës. PD ruan në thelb votat që kishte një vit më parë. LSI e udhëhequr nga Monika Kryemadhi është në rënie në të gjithë vendin dhe votat e zgjedhësve të saj shkojnë tek Partia Socialiste, e cila në fakt rritet pak. Këtë herë, PD dhe LSI, ndoshta duke kujtuar përvojën e mëparshme, kanë shmangur reagimin në publik kundër sondazhit, të cilin nuk e kanë përgënjeshtruar, duke konfirmuar me heshtjen e tyre se rezultatet e publikuara nga ne përputhen edhe me studimet e tyre të tregut politik.

Domethënë, situata e dobësisë së opozitës është e qartë edhe për vetë opozitën.
Por çështja qendron pikërisht këtu: në rast se në vitin 2017 disfata e opozitës u parashikua nga të gjithë ata që bënë sondazhe para zgjedhjeve (madje edhe një sondazh i shpërndarë nga Aleanca Kuq e Zi parashikonte PD-në në pakicë), atëhere ku janë votat e vjedhura? Në rast se rezultatet e zgjedhjeve konfirmuan me saktësi parashikimet, ku ishin votat e blera nga krimi? Dhe në rast se sot të njejtat sondazhe llogarisin që opozita është ende në pakicë në vend, përse Basha, Berisha e Kryemadhi pretendojnë të përmbysin qeverinë duke shkuar në zgjedhje të parakohshme, duke pretenduar se ndërkohë mazhoranca politike e vendit ka ndryshuar?

Sondazhet nuk mund të parashikojnë manipulimet, mashtrimet e madje as votat e blera, kështu që, nëse nga sondazhet e 2017-ës dhe nga ato të bëra ditët e fundit, ende del se shumica e popullit shqiptar beson te Edi Rama, kjo do të thotë se edhe sondazhet përgënjeshtrojnë teoritë, mbi të cilat bazon opozita protestat e saj. Natyrisht sondazhet kanë marzhet e tyre të gabimit, por edhe me këtë marzh distancat mes dy blloqeve politike mbeten ende shumë të mëdha. Do të thotë që “populli”, i cili sipas propagandës së opozitës tashmë ka vendosur të përmbysë qeverinë duke zbritur në shesh, është në realitet një pjesë e vogël e militantëve të saj, e cila thjesht shpreson të imponojë në krye të Shqipërisë liderët e tyre, në vend të atyre që janë zgjedhur në mënyrë të ligjshme. 

Nga sondazhi i GPF Research ky “popull” militantësh ekstremistë, të cilët edhe janë të vetmit që mbështetin vendimin e djegies së mandateve, është llogaritur në rreth 16% të shqiptarëve: një përqindje shumë shumë e largët nga shumica e vendit dhe madje edhe nga vetë votat që PD dhe LSI mund të marrin në mënyrë të ligjshme.

Është një pakicë, e cila, nëse do të donte, do të ishte e mjaftueshme për të bërë që protestat të degjeneronin në dhunë, por nuk mjafton në asnjë mënyrë që të ndryshojë qeverinë e vendit. Një e vërtetë tashmë që gazetarë të pavarur dhe komuniteti ndërkombëtar e thonë prej javësh e që konfirmohet nga opinioni publik i intervistuar për të realizuar sondazhin. Urojmë që edhe Berisha, Basha. Kryemadhi dhe mbështetësit e tyre ta kuptojnë dhe pranojnë para se të jetë për ta tepër vonë. 

G.M./xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arjan: 16/03/2019 20:07

    Everteta eshte se politikanet qe udheheqin protestat skane moral.

    Përgjigju
  • kujtim: 16/03/2019 14:04

    Zoti Bolino keni thene gjithnje te verteten. E them i bindur qe jeni i vetmi gazetar qe me kurajo shkruani te verteten. Mes shume kermijve qe kemi pare ne gazetarine shqiptare, eshte fat per ne qe nje gazetar perendimor ben diferencen dhe mat pulsin e shqiptareve me saktesine e nje mjeku kardiolog.

    Përgjigju
  • Knjak: 16/03/2019 11:55

    Po mir ngjer ketu ne populli nuk kemi nonje intees te dim ndonje gje .Ne duhet te dim ;sa e mbushen thesin ,dhe a e ngjeshen forte ,qe te mir sa me shum para ,nga parat e fukarenjeve ,qe s'kane buke e rroba ,se qeveria na la cope cope ,duke u dhene parat tona, disa mashtruseve hipokrit ,vetem e vetem te na mashtojne ne ,qe i kemi nxjerr me djerse e me gjak ato para ,dhe zoterinjt qeveritar i bejne rrush e kumbulla ,ne interes te tyre ,per te qendruar ne maje te shkalles .As kush nuk e gezon djersen dhe gjakun e tjereve .GJithkush do te paguaj krimet qe ben .E drejta te vret .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja