E vërteta për operacionin "Ikona"
flet nga burgu Gjergji Thimio /Video

E vërteta për operacionin flet nga burgu Gjergji Thimio /Video">
TIRANE- Nga 8 tetori 2013 Gjergji Thimio, koleksionist antikuaresh, ndodhet në burg me akuzën e vjedhjes së dhjetëra ikonave dhe veprave të tjera të artit që i përkasin pasurisë kulturore kombëtare. Arrestimi i tij u krye gjatë një operacioni të madh të policisë, një nga të parët që nga marrja e detyrës së Sajmir Tahirit në drejtim të Ministrisë së Brendshme. 

Në datën 9 tetor 2013, Policia njoftoi arrestimin e Gjergji Thimios, të një koleksionisti tjetër më pak të njohur, Arben Spaho, dhe sekuestrimin në banesat e tyre të 1077 veprave të artit, mes të cilave 223 ikona, 522 piktura bronxi dhe 322 objekte të ndryshme të cilat i përkasin periudhës mesjetare.

Veprat e sekuestruara iu treguan gazetarëve në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve, ku u vendosën  përkohësisht.
Pas bujës së ditëve të para historia u harrua nga mediat, por jo nga Gjergji Thimio, i cili që atëherë po bën betejën e tij kundër drejtësisë nga një qeli në burgun e Fierit, duke tentuar të tregojë pafajësinë. Gjykata e Shkallës së Parë dhe më pas ajo e Apelit e dënuan me 4 vjet dhe tetë muaj burg për vjedhje të veprave të artit.

Gjykatësit deri tani e kanë konsideruar me faj, duke besuar versionin e prokurorisë dhe të policisë, por vetë Gjergji Thimio bën thirrje për pafajësi, denoncon një gabim të bujshëm gjyqësor, madje aludon edhe për një komplot politik  të kryer për qefmbetje banale dhe personale.
 
Po cila është e vërteta?
 
ReportTV vendosi të takojë Gjergji Thimion në burgun e Fierit. Eshtë hera e parë që koleksionisti flet përballë një telekamere që nga dita e arrestimit të tij.
Para arrestimit, emri i Gjergji Thimios ishte i lidhur sidomos me koleksionin e veprave të tij të shenjta, i konsideruar një nga më të rëndësishmit në Ballkan, si  dhe me idenë e tij për të hapur muzeun e parë privat në Shqipëri, i autorizuar nga Ministria e Kulturës në vitin 1996, edhe pse nuk u hap kurrë zyrtarisht. Gjergji Thimio ka pasur gjithnjë mbështetjen e plotë të institucioneve shqiptare dhe tani, nga qelia na tregon origjinën e koleksionit të tij dhe lexon me krenari çertifikatat e marra:

“-Unë e kam nisur grumbullimin e ikonave mbi bazën e një trashëgime familjare. Unë jam një i krishterë ortodoks shqiptar. Kjo ndoshta s’u ka ardhur mirë qarqeve vorio-eiriote greke, të cilat kishin gisht në arrestimin tim. Dihet që familja ime vjen nga rrëza e Vithkuqit. Familja ime ka qenë në shoqërinë patriotike “Vatra”.

Ka qenë bashkëthemeluse e shoqërivë vatra, liria, gazetës Kombi. Etj. (Gjergji Thimjo tregon çertifikatën e lëshuar nga Qendra Kombëtare e inventarizmit, që mban datën 11.7.1995 me numër protokolli nr.13. duke theksuar gjatë leximit se shkruhet: “bëri regjistrimin kundër të gjitha regullave”. Veprat e tij, që pastaj u sekuestruan me datë 8 tetor 2013, janë ekspozuar në ekspozita të ndryshme publike duke nisur që nga viti 1992, pa shkaktuar apo ngritur asnjëherë asnjë dyshim nga vizituesit e rëndësishëm. Gjegji Thimjo tregon fotografitë, duke komentuar (foto 2. Thimjo tregon vizitorët dhe ekspozitat):

“-Kjo është ekspozitë që ka sponsorizuar Edi Rama. Janë këto ikona që sot po hidhen këtu. Dhe bile në atë kohë i ka marrë në ruajtje me shkresë të zyrtarizuar 6 muaj Edi Rama dhe Artan Lame në Muzeun Historik Kombëtar. Ka qenë ekspozita e parë që ka sponzorizuar Edi Rama kur ka qenë Ministër Kulture. Këtu ka qenë vizita e ambasadorit amerikan Limpreht me drejtorin e Muzeut Moikom Zeqo.

Këtu kemi fjalën e hapjes prapë: ambasadori i Rusisë, kryetari i kuvendit, Dhimitër Shuteriqi, Donika Bardhën, etj. Këtu kemi vizitën e Kadaresë. Këtu janë të gjitha mediat, ekspozitë në ambjente e Ministrisë së Kulturës. Ja ku janë këto ikona që u hodhën nga policia. Gjergji Thimjo i mbante si fëmijë. Ja Princ Leka me koleksionistin shqiptar.

Është Kadare, etj. Këtu është më e rëndësishme, këtu kemi dy ministra kulture, Leskaj dhe Teodor Laço dhe shefin e metropolit të Europës. Këto janë ikonat që u hodhën dhe unë ju them gjithë shqiptarëve: a ka mundësi t’ju them që shefi i metropolit të Europës të vij e të shikojë ekspozitën e një njeriu që vjedh ikona, që trafikon ikona.”

Thimio pretendon se ka regjistruar pjesën më të madhe të ikonave, piktuarve dhe veprave të tjera pranë Qendrës së Inventarizimit të Shtetit. Lexon tekstin: “Ky është një rekomandim  i Qendrës së Inventarizmit me numër prtokolli 7./ 16. 6 2010 dhe thotë: koleksioni i Muzeut privat Antika e Thimjos Korçë është në koleksion me vepra të papërsëritshme dhe unikale në fushën e artit shqiptar ku janë pjesë e mirë e tyre sidmos ato ikongrafike, janë pjesë e autorëve të mëdhenj shqiptarë si David Selenica, Kostandnin Shpataraku, vëllezërit Zeografi, etj.

Këto objekte të rëndësishme janë të regjistruar si pasuri kombëtare nga Insituti i Momunenteve të Kulturës Tiranë 7.7. 1999, drejtor Artan Shkreli, muzeu i Artit në Korçë, dretor Lorenc Gllozheni, dega e institutit të Monumeteve në Berat  dhe  pjesa më madhe e tyre janë identifikuar nga institucioni ynë në datën 11.8. 1999. Gjergji Thimjo me me ndjenjë të theksuar patriotike ka penguar nxjerrjen e veprave jashtë shtetit”.  

Por këtu nis kontradikta e parë. Sipas vendimit të gjykatës të shkallës së parë, të cilat e kanë dënuar, të paktën për 76 ikona për të cilat kishte pasaportë, nuk janë gjetur nga policia. Kështu Gjykata ka dalë në konkluzion që ato vepra arti janë shitur nga Gjergji  Thimio: Ja ç’shkruhet në Vendimin e Gjykatës: "Nga verifikimi i bërë nga Qendra, rezulton se tek sendet e sekuestruara nga policia mungojnë 78 objekte të cilat kanë qenë të pajisura me pasaportë dhe nuk janë më, pra janë shitur dhe janë tjetërsuar nga Gjergji Thimio i cili duhet t'i mbronte këto sende të çmuara të cilat ishin pasuri kombëtare".
 
Thimio: Manipulimi i prokurorit, s’figurojnë 225 sekuestrot e Koçiut
 
Me vendimin e dënimit Gjykata  e Tiranës pohon se mes objekteve të sekuestruara të Gjergji Thimios, të paktën 30 vepra arti janë njohur nga një komision ekspertësh si të vjedhura nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Pesë ikona të tjera që sipas autoriteteve maqedonase janë vjedhur në kishat maqedonase, u gjetën në shtëpinë e Arben Spahos, i njohur i Gjergji Thimios që me 12 qershor 2013 e kishte denoncuar në polici për një borxh prej 2 milionë lekësh të pakthyer duke hapur në këtë mënyrë nisjen e hetimeve.

Me vendimin e dënimit, Gjykata e Tiranës  pohon se mes objekteve të sekuestruara të Gjergji Thinjos të paktën 30 vepra arti janë njohur nga një komision ekspertësh si të vjedhura, si dhe 55 të tjera janë sinjalizuar si vjedhura nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. 5 ikona të tjera, që sipas autoriteteve maqedonase, janë vjedhur në kishat maqedonase u gjetën në shtëpinë e Arben Spahos, i njohuri i Gjergji Thimjos që në datën 12 qershor 2013 e kishte denoncuar në polici për një borxh prej 2 milionë lekësh të pakthyer, duke hapur në këtë mënyrë nisjen e hetimeve. 

Këtu ka një kontradiktë të dytë me Gjergji Thimion, i cili thotë se asnjë nga ikonat e vjedhura mbi të cilat është bërë kjo ekspertizë nuk i janë sekuestruar atij. Sipas koleksionistit ato ikona të njohura si të vjedhura i përkisnin Arben Spahos dhe Artan Koçiut, një marangoz i arrestuar gjatë të njëjtit operacion "Ikona", të cilit iu gjetën 27 vepra arti që dyshohet se ishin të vjedhura, pastaj i dënuar me 14 muaj në arrest shtëpie por vetëm për "Përvetësim të parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale" dhe jo për grabitje si Gjergji Thimio.

Pyetje: Sipas ekpertizës objektet e sekuestruara i përkasin Kishës Ortodokse të Shqipërisë dhe Kishës së Maqedonisë. Kishit dijeni ju për këtë fakt?
Gjergj Thimio: -Objektet e mia u ekspertuan me objektet e hajdutëve si Arben Spaho dhe Artan Koçiu. Ç’punë kam unë me hajdutët. Hajdutët diheshin, i dinte policia.

Pyetje: Në fakt në Vendimin e Gjykatës dhe ky është publik bëhet fjalë për Arben Spahon dhe Gjergji Thimjon, Artan Koçiu nuk ekziston?
Gjergj Thimjo: -Pikërisht këtu është manipulimi që bëri prokurori i çështjes. Unë jam ekspetuar mbi bazën e 174 objekteve, 25 Arben Spaho, i thonë 195, 225 ishin të Artan Koçiut dhe janë objekte më problematiket, ndërsa Artan Koçiu nuk figuron. Nuk është puna se ai nuk figuron dhe objketet e tija m’u faturaun mua padretësht, por ai lirohet edhe nga gjykata, që në apel, që në filim pas 6 muajve. Objektet tij figurojnë emri nuk i figuron.
 
Përballë gjykatësve Gjergji Thimio ka pranuar se të paktën 8 vepra të gjetura në shtëpinë e tij vinin nga grabitjet, edhe pse saktësonte se babai i tij ua kishte blerë trafikantëve për të shmangur që të përfundonin jashtë Shqipërisë: Ja çfarë shkruhet në Vendimin e Gjykatës: "Gjergji ka pranuar se në banesën e tij sendet e gjetura të cilat kanë numrin 362, 363, 354, 365, 366, 367, 368 dhe 370 të cilat janë të vjedhura, janë shpëtuar nga trafikimi sipas tij në vitin 1997. Këto sende ka thënë ai, i ka blerë babai i tij duke i shpëtuar nga trafikimi në Greqi..."
 
Thimio: Më sekuestruan 4000 mijë objekte. Ja çfarë ishin 
Gjykatësit nuk duket se i kanë besuar  versionit të Gjergji Thimios, madje konsiderojnë si të paligjshme që këto ikona që vinin nga një trafik i veprave të vjedhura, janë regjistruar nga Ministria e Kulturës si pronë e koleksionistit në vend që të konfiskoheshin nga shteti. Ja çfarë shkruhet në Vendimin e Gjykatës:

"Në këto kushte kur këto sende u janë marrë trafikantëve (sipas të pandehurit Gjergji Thimio) dhe janë të vjedhura, atëherë nuk duhej të bëhej çertifikimi i tyre. Edhe në historikun e sendeve të çertifikuara i cili është në sistemin e Ministrisë së Kulturës një moment thuhet: " do të trafikohej në Itali dhe më pas në Greqi". Ka një "non sens" në këtë regjistrim si dhe të gjitha çertifikimet e bëra, pasi si mund ta dijë një person shtetëror intinerarin e lëvizjeve të trafikantëve Itali-Greqi..." Mes versionit të parë të policisë dhe të Gjykatës, mungojnë mbi 600 vepra.

Po sa është numri i veprave të artit që ruante realisht Gjergji Thimio? Këtu nis misteri tjetër i madh i kësaj historie. Sipas komunikatës të shpërndarë nga Ministria e Brendshme me datë 9 tetor 2013 menjëherë pas arrestimit të Thimios dhe të Arben Spahos. Në komunikatën e Ministrisë së Brendshme shkruhet se: Nga kontrolli i ushtruar në banesat dhe ambientet e tjera që posedojnë këta shtetas, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

-  223 ikona të kishave të përmasave të ndryshme (disa prej të cilave dyshohet se janë të vjedhura në Maqedoni).
-  6 ikona të cilat dyshohet se janë vjedhur në Shqipëri dhe në Maqedoni me synimin trafikimin e tyre me destinacion vendet e BE.
-  4 piktura murale të konservuara të dyshuara si të vjedhura në Kishën e Voskopojës dhe në qytetin e Korçës.

- 522 piktura pronzi, të cilat i përkasin periudhës së mesjetës.
- 322 objekte të ndryshme të cilat i përkasin periudhës mesjetare. (Foto 3: Prezantimi para medias i ikonave pas sekuestros në Galerinë Kombëtare)

Ndërsa Ministria e Kulturës dhe Gjykata flasin gjithnjë për 476 vepra arti, shumë prej të cilave ikona në dru: Nga akti i ekspertimit datë 16.01.2014, i cili është dorëzuar nga Kryetari i Grupit të Ekspertëve, Ylli Drishti në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë rezulton se:  -- nga 466 objektet e sekuestruara nga policia e shtetit, 32 prej tyre nuk janë pjesë e trashëgimisë kulturore, kurse pjesa tjetër përbëjnë trashëgimi kulturore. akti i ekspertimit është bërë për të gjitha objektet që janë në Galerinë e Arteve në katin e tretë. (Shih foto 4, Pamje e transportit të ikonave).  

Mes versionit të parë të policisë dhe versionit të Gjykatës mungojnë më shumë se 600 vepra arti. Gjergji Thimio pretendon se kishte mbi 3.000 objekte që sipas tij janë marrë gjatë operacionit të sekuestrimit dhe më pas janë zhdukur:

Pyetje: Një pyetje tjetër referuar shifrave, në fakt fillimisht është folur për 1077 vepra arti dhe ikona në një dokument të policisë së shtetit dhe Ministrisë së Brenshme, e cila është publike. Ministria e Kulturës në një përgjigje për Report TV por edhe e ka bërë publike deklaron se janë 476 objekte të tilla. Ju keni një listë sa janë këto objekte?

Gjergj Thimio: -Janë tremijë objekte, në muzeun tim dhe në galerinë time, lokalin “Antika” të cilat i kisha shumicën të hapura dhe të ruajtuara në një vend tjetër. Janë marrë 3000 objekete, të mos të themi më shumë se po të fus edhe objekte të veçanta medalione, gjëra që nga koha e lashtësisë bëhet fjalë për rreth 4000 objekte. 

Bëhet fjalë për fondin e muzet tim, pikturat nuk janë atje. Janë  34 piktura të autorëve të mëdhenj europianë, Rodolfo Morgari, Serra, Frensis Miller, Emiljan Pancelinos, vlera e të cilave hynte tek më e pakta 20 milionë euro, prandaj jam në burg unë. M’u vodh një pasuri e tërë kombëtare, dhe jo vetëm le ta dinë të gjithë shqiptarët se vetëm pasha e floririt vinte në 15 kilogram, 8 kilogram më kanë marrë monedha ari, koleksionin e bizhuterive antike që kisha. Kisha koleksionin e mrekullueshëm të bixhuterive Cartier, vetëm kollani me diamante i nënës ishte 174 mijë dollarë, sipas një ankandi në ‘75-n.

Por akuzat e Gjergji Thimjos  mbi numrin veprave që kishte në pronësi dhe që janë zhdukur mbeten pa fakte dhe kur i themi të na tregojë 3000 çertifikata, ai nuk i tregon, por thotë se i ruan në jë vend sekret: “Objektet i morën, por nuk i morën dot çertifikatat. Po ju them të gjthë shqiptarëve se fatmirësisht janë të gjitha letrat e tyre që i ruaj në një vend të sekret, dhë një pjesë e tyre ia kam dërguar në Ambasadën amerikane. Kam shkruar për gjithë çështjen time dhe ia kam dërguar ato. Në 6 kkorrik i kam dërguar Donald Lu-së një letër.  
 
Thimio: Ikonat në Galerinë e Arteve. Atje është bërë kasaphana
 
Mes 7 dhe 8 tetorit 2013 pra policia sekuestron koleksionet e Gjergji Thimios dhe të Arben Spahos dhe i ruan në katin e tretë të Galerisë Kombëtare të Arteve. Një muaj më pas Drejtori i Galerisë i kërkon Ministrisë së Kulturës t'i transferojë sepse nuk ka personel për t'i ruajtur. Pse - pyet Gjergji Thimio - kërkohet një ruajtje e përshtatshme e veprave të artit një muaj pas sekuestrimit? Ai thotë se: “Galeria Kombëtare e Arteve kërkoi ruajtjen për 24 orë të veprave. Atje ku është bërë kasaphana dhe këtë e kërkon në datën 6 nëntor 2013, ndërsa operacioni “Ikona” është bërë në tetor. Kush i ruajti një muaj e ca këto objekte zyrtarisht. Këto ishin materiale të sekeuestruara për qëllim të hetimit, ju keni prishur provat, për çfarë prova më thua.”

Në të vërtetë ato vepra do të qëndrojnë në Galerinë Kombëtare të Arteve deri në nëntor 2015, kur më në fund Ministria e Kulturës organizon transferimin e tyre në mjediset e Muzeut Kombëtar. Janë ditët e një skandali të ri, sepse veprat e artit ngarkohen dhe transportohen në një furgon policie, si të ishin copa dërrasash pa vlerë.

Dhe pikërisht për copa dërrasash flitet në procesverbalin e parë të sekuestrimit të shkruar me dorë nga policët që më 8 tetor 2013 bastisin shtëpinë e Gjergji Thimios. “Ky është proceverbali origjinal që shteti shqiptar e fshehu për dy vjet e e gjysmë, që më akuzuan si vjedhës të veprave të artit me rëndësi kombëtare.

Urdhëro kamera këtu: Dy copë dërrasa të gdhendura; një gjarpër (se çfarë gjarpëri ëshët ky nuk e shkruan, është operacioni “Ikona” gjarpër me dy koka ishte ky, siç ishte operacioni “Ikona”, që ishte gjarpër më dy koka-ironizon Thimio); pesë copa druri; dy copa druri; katër llamarina, 14 copa druri...Pse për këto më dënoi mua sheti shqiptar, për dërrasa?!!.

Gjergji Thimio pretendon edhe më shumë. Ai thotë se prokuroria nuk ka marrë asnjëherë në dorëzim veprat e artit si provë materiale, duke shkelur në këtë mënyrë procedurat e parashikuara nga ligji.
Historia e Gjergji Thimios tregon se edhe në Shqipëri tregu i antikiteteve është një treg i pasur, që lëviz shumë interesa dhe  NDOSHTA dhe shumë xhelozi.

Çfarë origjine kanë veprat që 187 koleksionistë të treguar nga Gjergji Thimio ruajnë në shtëpitë e tyre ose në dyqanet e tyre? Pas operacionit “Ikona” sa kontrolle të tjera janë bërë në këtë treg misterioz që vazhdon të jetë në pjesën më të madhe një zonë e errët në të cilën tregtarë dhe trafikantë përzihen në një ambjent të vetëm dhe shpesh identifikohen me të njëjtët njerëz?

Gjergji Thimio është i vendosur të vazhdojë betejën e tij... Nëse dënimi i tij nuk do të ndryshohet nga një vendim i Gjykatës së Lartë, brenda një viti do të mundë të jetë i lirë dhe shprehet i gatshëm të vazhdojë idenë e tij për hapjen e një muzeu.

“Mua nuk më vjen keq për veten time, më vjen keq për pasurinë kombëtare, ku e futëm. Unë do ta kisha në shtëpi. Unë e kam familjen, gruan pa bukë. Ku e trafikova unë. Ku e kam shitur unë. Po ta shisja do kisha numër llogarie, do kisha pasuri, shteti e ka në dorë, mund ta verifikojë këtë”, thotë Gjergji Thimio, ndërsa këmbëngul se nuk do të heq dorë nga kërkimi i drejtësisë.  
ikonat


Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Scholz: Siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk mund të merren si të mirëqena

Scholz: Siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk mund të merren si të mirëqena