Kryeministri Edi Rama e cilësoi investimin strategjik të portit në zonën e bregdetit të Sarandës, në bazën e detare të Limionit, me një rëndësi për vendin dhe të ardhmen, turizmin dhe zhvillimin e zonës së bregdetit.
Ai e mbrojti projektin dhe investimin pas pyetjes që iu bë dhe faktit se tashmë për atë investim ka edhe probleme juridike dhe vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe tre shkallëve të tjera, që e mbajnë nën sekuestro preventive.
Ai e quajti skandaloze dhe absurde ndërhyrjen e Drejtësisë në kompetencat e Ekzekutivit, duke thënë se pushtetet janë të ndara dhe vendimet merren me votë në Parlament, ku gjithashtu drejtësia nuk ka kompetencë sipas tij të ndërhyjë. Rama tha se ai investim ishte premtim elektoral dhe se ishte vendosur me votë popullore.
Gjithashtu theksoi se ky investim nuk cenonte sigurinë kombëtare apo të mbrojtjes, por e zhvillonte turizmin dhe i shërbente vendit, teksa mbaheshin të bllokuara 300 milionë euro që i shërbenin ekonomisë shqiptare.
Në muajin nëntor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e ka rrëzuar kërkesën e kompanisë "Marina Bay Saranda", për heqjen e sekuestros mbi bazën detare të Sarandës, në mënyrë që të nisë puna për zhvillimin e saj. Ashtu siç ka ndodhur me tre shkallët e tjera të drejtësisë, edhe Kushtetuesja e ka rrëzuar kërkesën.
Përgjigja e Ramës për investimin në bazën e Limionit:
“Është një skandal i përmasave të paperceptueshme. Është ndërhyrja më bruitale në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv. Kushtetuta thotë se ka 3 pushtete të pavarura nga njëri-tjetri. Kjo do të thotë se Drejtësia është e pavarur nga pushteti ekzekutiv dhe ka një sërë detyrash të vetat, që s’mund ti bëjë ekzekutivi dhe ekzekutivi është i pavarur nga drejtësia, në çfarë? Në të drejtën për të vendosur, që është detyrim për të marrë vendime dhe buron nga mandati i popullit, i cili zgjedh qeverinë dhe parlamentin. Dhe këtu vimë te pavarësia e Parlamentit nga ai gjyqësor. Nuk i thotë dot pushteti gjyqësor Parlamentit se si ta ngrejë dorën, sesi të votojë.
Të shkoni atje, në bazën e ashtuquajtur të Limionit, nëse keni sens humori, të mbani barkun me dorë, por ajo është histori tjetër. Është pjesë e një farse të rëndë, që bëhet me një element kyç të programit qeverisës. Nuk e ndalon dot një përfaqësues i pushtetit tjetër qeverinë që të zbatojë programin për të cilin ka marrë votat. Në programin elektoral unë kam premtuar portin turistik. Dhe nuk është privatizuar, e ke gabim (i drejtohet gazetarit që e pyeti për sekuestron e bazës), as nuk është dhënë me koncesion. Është dhënë me qira ajo pjesë, është pronë e Ushtrisë, edhe sot edhe nesër, edhe kur të mbarojë investimi. Madje ushtria nga investimi do marri më shumë se çfarë ka sot.
Nëse siguria jonë kombëtare cenohet apo varet nga ajo bazë e Limionit aty, atëherë unë i pari bashkë me ju, hajde kapim avionin e parë dhe ikim, se jemi të pushtuar. Realisht është një skandal. Por forca e verbër e ka bllokuar, një investim që sot do fuste në ekonomi 300 mln euro, do rriste numrin e turistëve të nivelit të lartë dhe do bënte që ato varka dhe jahte që tani parkohen në Malin e Zi, Greqi, Kroaci dhe nga të cilat bashkitë dhe shtetet marrin gjithë ato të ardhura gjatë periudhës që janë të parkuara, se janë biznes shumë i madh, të vinin edhe në Shqipëri. Këtë ka bërë kjo përçartje dhe përfutje hundësh dhe duarsh në të drejtën e pushtetit ekzekutiv për të marrë vendimin. Ai që ka detyrën të ndjekë mënyrën se si zbatohet vendimi apo nëse ka korrupsion dhe zhvatje, nuk mund të jetë në pushtetin ekzekutiv, por ai që ka të drejtën të ndërmarrë reforma nuk mund të ndalohet nga pushteti gjyqësor. Është vota, vota, se përndryshe i bie që të shkojmë të pyesim në pushtetin gjyqësor a ta marrim këtë vendim a jo. Është vota që e përcakton. S’e përcakton gjykata se çfarë është siguria kombëtare, ai vendim tregon atë që thashë më parë, se ka shumë mangësira në këtë fazë ku po ndërtohet një sistem i ri. Dhe kjo është një nga rastet, shembulli më ulëritës i çfarë mund të ndodhi kur abuzohet me forcën e një pushteti, duke hyrë komplet në territorin e një pushteti tjetër.
Pushtetet janë të ndara, pikë! Komenti im lidhet me punën që unë bëj, me detyrën që unë kam, si ta shpjegoj unë, është e gjitha një marrëzi totale, nuk është se ka ndonjë gjë aty. Është marrëzi totale se do ta mbroka vendin që ka për detyrë ushtria, një individ që duhet të shohë një rast dhe të marri në prokurori dhe gjykatë sesi do e orientojmë politikën e sigurisë kombëtare. Është absurde, e padëgjuar, për këtë arsye e kam komentuar dhe e komentoj prapë, sepse lidhet me punën e qeverisë dhe kompetencat e padiskutueshme të pushtetit ekzekutiv. Ky është ndryshimi”, tha kryeministri.
Baza detare e Limionit, në Sarandë
Lajmi kryesor: