ELBASANFlorian Lamçja alias “Shabani” në Elbasan, u vra me shishe birre dhe karrige nga dy shokët e tij, Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryetarit të Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini, dhe miku i tij Adriano Hajdari. Këto janë detajet e zbardhura në vendimin e gjykatës për ngjarjen e 30 korrikut të këtij viti në orën 4 të mëngjesit, ku në masë arresti me burg ndodhen dy miqtë e akuzuar për vrasjen, që deri më tani nuk kanë dhënë dëshmi që mund t’i shërbejnë hetimeve duke deklaruar se ishin të dehur dhe nuk mbajnë mend çfarë ndodhi. 

Sanxhaktari, Hajdari dhe Florian Lamçja ndodheshin në një lokal në zonën e Elbasanit duke konsumuar pije alkoolike dhe nargjile. Lamçja u gjet nga policia i mbuluar në gjak dhe i zhveshur, ndërkohë pranë trupit të viktimës qëndronin të heshtur në këmbë Sokol Sanxhaktari dhe Adriano Hajdari nw pritje tw uniformave blu. 
Në pranga për vrasjen janë Hajdari dhe Sanxhaktari, teksa në seancën para gjykatëses pa pasur një avokat, kërkuan caktimin e një mase më të butë dhe jo atë të kërkuar nga prokuroria “Arrest me burg”. Tashmë të arrestuarit i janë drejtuar gjykatës së Apelit Durrës ku kërkojnë ndryshimin e masës së sigurisë. 

“Shqiptarja.com”, zbardh të plotë vendimin e gjyqtares Pajtime Fetahu, që caktoi masën e “arrestit në burg” për Sokol Sanxhaktarin dhe mikun e tij Adriano Hajdari. 
Sipas vendimit të gjykatës, viktima Florian Lamçja ka gjetur vdekjen si pasojë e goditjeve të shumta në kokë me sende të forta. Në vendngjarje gjykata sqaron se është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një karrige e thyer, ku besohet se ky ka qenë mjeti i fortë me të cilin viktima është qëlluar disa herë në kokë. Ndër të tjera gjykata në vendimin e saj sqaron se Florian Lamçja veç dëmtimeve të shumta në fytyrë, kishte një të çarë me mjet prerës në parakrahun e dorës së djathtë. 
Nuk dihet me saktësi se cila ka qenë arsyeja e grindjes mes miqve, pasi dhe dy personat e arrestuar nuk kanë dhënë shpjegime konkrete, duke deklaruar se nuk kujtonin asgjë për shkak të gjendjes së tyre të dehur. 

“Si Hajdari dhe Sanxhaktari, nga kjo përplasje mes shokëve nuk kanë marrë asnjë plagë në trup”-thuhet në vendimin e gjykatës.   Lidhur me këtë çështje për të zbardhur rrethanat  e ndodhjes së krimit janë marrë në pyetje edhe persona të tjerë të pranishëm në lokal natën e krimit. 
Në raportin e shërbimit të punonjësve të patrullës së Elbasanit thuhet se: “Pas njoftimit të marrë nga salla për një konflikt në Bar-Kafe kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar një person të gjakosur, i zhveshur dhe i shtrirë përdhe. Pranë tij ndodheshin Sokol Sanxhaktari dhe Adriano Hajdari, të cilët i kanë shoqëruar pasi ambulance kishte marrë Florian Lamçjan për ta transportuar në spital. Gjithashtu është shoqëruar në policisë bashkë me Sanxhaktarin dhe Hajdarin. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, në lokal vërehen njolla të shumta gjaku, pjesë xhamash të thyer, një karrige e thyer, sende personale si çanta, një pasaportë biometrike në emër të Florian Shabanit etj”.