TIRANE - Shoqëria "EAG Communication" padit Grida Dumën për cënim të imazhit. "EAG Communication" kërkon të dëmshpërblehet për dëmin e shkaktuar nga deklaratat e rreme të koordinatores për mediat në PD, Grida Duma. Masa e kërkuar për dëmshpërblim nga shoqëria "EAG Communication" është që Grida Duma përveçse duhet të përgënjeshtoi deklaratat e saj të rreme, duhet të paguajë dëmin e shkaktuar me 100000 euro.

E gjithë kjo histori shpifjesh nisi në fillim të muajit nëntor, kur Partia Demokratike vuri në shënjestër ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj duke e akuzuar se vëllai i tij ka përfituar shuma të mëdha përmes fondeve te agjencive shtetërore. Sipas Grida Dumës kompania e vëllait të ministrit ka ndryshuar emër nga “Gogel” ne “EAG Communication” dhe përmes kësaj, ka përfituar miliona nga agjencitë shtetërore. Por sipas dokumenteve të publikuara nga vetë Grida Duma “Gogel" dhe “EAG”, janë dy kompani të ndryshme që nuk kanë lidhje me të njëjtin pronar, në këtë rast vëllain e Veliajt për të cilin PD e akuzon.

Edhe pse kompanitë kanë dy pronarë të ndryshëm, çka vërtetohet nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, ku rezulton se pronar i “Gogel” është Arbër Veliaj, vëllai i ministrit, ndërsa pronar i EAG Comunication është Gentian Skënderaj, persona këta që nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, Duma ka vijuar akuzat. Koordinatorja e PD-së pretendon se kompania “Gogel” ka marrë 900 mijë lekë te reja, si kompani e kontraktuar nga agjencitë shtetërore për evente dhe marketing dhe kompania e dytë EAG, po sipas Dumës, ka përfituar 52 milionë lekë te reja nga kontratat me agjencitë shtetërore. 

Redaksia Online
(shqiptarja.com)