I ndërtuar si një galeri-minierë, në instalacionin e Aron Nokës, hekuri, xhami i thyer dhe gurët e mineraleve krijojnë një peizazh industrial.

Ky instalacion i Nokës, është, vetëm një nga veprat e prezantuara në galerinë FAB të Universitetit të Arteve në ekspozitën e tij të parë, ku vjen së bashku me mikun e tij, artistin Kevin Jaku.

Korridori që ndërton Noka e vendos trupin e vizitorit në tension të vazhdueshëm. Çdo hap shoqërohet me ndjesinë e rrezikut dhe pasigurisë, një gjendje e njohur për hapësirën e minierës.

“Koncepti i instalacionit tim është galeria interpretuar me materiale të ndryshme ku ka shumë aksion në të gjithë veprën, ku paraqitet edhe rreziku në punë që bëjnë minatorët. Unë jam rritur në një qytet të vogël ku ka edhe miniera, në Burrel dhe i kam përqafuar që fëmijë shqetësimet e minatorëve dhe rrezikun që iu kanoset përditë dhe thashë pse jo ta kthejmë në art.”, thotë Noka për "Report TV".

Krahas këtij instalacioni, Noka paraqet edhe një video të një minatori me kanarinë, e cila e zhvendos hapësirën industriale drejt një realiteti të riinterpretuar, ku nevoja për të nxjerrë bukën e gojës përmes gërmimeve në tunele nëntokësore përballet me kushtet e vështira të punës dhe me trupin fizik të minatorit që hyn dhe del çdo ditë në galeri, në një gjendje alarmi ekzistencial.

Ndërsa punon me teknikën e xhamit me të cilën është njohur prej gjashtë vitesh, Noka shpjegon se në fakt punët që i prezantohen publikut janë të ndryshme në teknikë dhe në paraqitje.

“Ka pikturë, ka instalacion, ka video, multimedia. Edhe instalacioni në vetvete tregon një lloj kaosi gjatë gjithë kohës që nga fillimi deri në vazhdimin e punës dhe anasjelltas. Me teknikën e xhamit jam njohur para gjashtë vitesh. Pashë një imazh edhe thashë pse mos ta provoj si teknikë. Fillova të provoj, të bëj eksperimente gjatë gjithë kohës, derisa më dha rezultat. Duke thyer xhamin, unë punoj me dritat e portreteve ose imazheve që duhet të përcjell ose atyre që mua më japin ndjesi për t'i përcjellë.”, vijon Noka. 

Videoja e minatorit me kanarinë e zhvendos instalacionin drejt një realiteti të jetuar, ku puna, frika dhe mbijetesa bashkëjetojnë.

Nga hapësira dhe materiali, ekspozita zhvendoset te imazhi, në portretet hiperrealiste të realizuara nga Kevin Jaku, i cili ka ndërtuar figura historike me saktësi fotografike.

“Ideja ime fillestare ishte të gjej katër figura, të cilat mua më dukën me shumë peshë në rendin botëror dhe disa figura që njerëzit shpesh herë i kanë shikuar si të pacënueshme dhe ato ishin Elizabeta e dytë, Martin Luther King, Eva Peron dhe mbretëresha jonë Geraldinë.”, shpjegon artisti Kevin Jaku. 

Jaku vendos përballë figurat globale me historinë lokale, duke e trajtuar Mbretëreshën Geraldinë si pjesë të së njëjtës peshë simbolike.

“Zgjodha mbretëreshën Geraldinë sepse për mua mbretëresha jonë është po aq e rëndësishme sa mbretëresha e atyre, pra mbretëresha e britanikëve.”

Ndërhyrja përmes injeksionit të bojës së zezë në zonën e syve e çan imazhin e ftohtë historic, duke i bërë këto figura më emocionale.

“Kam zgjedhur që ta cenoj ose ta zbërthej imazhin e tyre, nëpërmjet një injeksioni, i cili vjen nëpërmjet disa tubave që është edhe pjesë e veprës, duke i bërë ata të qajnë. Doja që njerëzit t'i shikonin ata ndryshe, jo si figura të pacënueshme.”, vijon Jaku. 

Sipas kuratorit të ekspozitës, Genti Gjikola, “Ec/Don’t Stop” vjen si një stacion i parë dhe një moment tranzicioni në praktikat e dy artistëve. Puna e secilit merr në shqyrtim një terren bashkëkohor shqiptar dhe global, ku imazhi, nënshtresat e tij, konteksti dhe struktura prodhojnë tension si përvojë personale dhe kolektive.