Pas disa ditësh polemikash dhe kritikash të shumta, këngëtari britanik Ed Sheeran ka vendosur të thyejë heshtjen dhe të flasë publikisht kundër luftës në Gaza. Gjatë koncertit të tij në Filadelfia, ai e cilësoi situatën në territorin palestinez si katastrofike dhe të pajustifikueshme, duke kërkuar falje edhe për vendimet e marra gjatë turneut të tij.
Reagimi i Sheeran vjen pas përjashtimit nga turneu të reperit amerikan Macklemore, i njohur për mbështetjen e tij ndaj Palestinës. Më 5 shtator, gjatë një koncerti në New Jersey, reperi kishte thirrur nga skena “Palestina e lirë”, pasi mbajti një fjalim në mbështetje të popullsisë së Gazës, ku foli për gjenocid dhe aparteid.
Sipas raportimeve, pronarët e stadiumeve ku ishin planifikuar koncertet e radhës, mes tyre edhe miliarderi Robert Kraft, ushtruan presion ndaj menaxhmentit të Sheeran, i cili vendosi ta largonte reperin nga turneu. Vendimi shkaktoi reagime të forta, ndërsa katër artistë të tjerë, Finneas, Lukas Graham, Aaron Rowe dhe grupi Beoga, u tërhoqën nga koncertet në shenjë solidariteti me Macklemore.
Fillimisht, Sheeran u përpoq të qetësonte polemikat përmes një postimi në Instagram, duke shpjeguar se nuk dëshironte t'i kthente koncertet e tij në një platformë politike.
“Nuk jam bashkëfajtor. Kam pikëpamjet e mia personale për këtë konflikt shkatërrimtar, por nuk dua ta kthej punën time në një platformë politike”, shkroi ai.
Këngëtari theksoi se vendimi për të mos folur publikisht për konfliktin nuk do të thoshte se ishte indiferent ndaj asaj që po ndodhte në Gaza.
Megjithatë, polemikat nuk u ndalën. Sipas raportimeve, Sheeran humbi rreth 200 mijë ndjekës në rrjetet sociale, ndërsa nisën thirrjet për bojkotimin e tij. Ai u përball gjithashtu me kritika nga emra të njohur si Lewis Hamilton, Greta Thunberg dhe bashkëthemeluesi i Pink Floyd, Roger Waters.
Ky i fundit reagoi ashpër ndaj këngëtarit britanik, duke deklaruar: “Ka nga ata që bëjnë gjënë e duhur dhe nga ata që sillen si maskarenj”.
Pas kësaj vale kritikash, Sheeran ndryshoi qëndrim dhe vendosi të fliste hapur për Gazën gjatë koncertit në Filadelfia.
“Sulmet e 7 tetorit ishin të tmerrshme dhe ajo që po ndodh tani është katastrofike, e pajustifikueshme dhe joproporcionale”, u shpreh ai në hapje të koncertit.
Këngëtari, i cili u shfaq dukshëm i emocionuar, pranoi se kishte bërë gabime në menaxhimin e situatës.
“Më është dashur të marr vendime të vështira. Po bëj gabime dhe më vjen jashtëzakonisht keq”, tha Sheeran.
Në skenën e Filadelfias mungonte Macklemore, përjashtimi i të cilit kishte shkaktuar gjithë polemikën.
-
Po gjykata ndërkombëtare e Hagës a dotë meret me kriminelët Izrailit për krime lufte?
Përgjigju












Komente
Komento