Një botë e shkatërruar nga një apokalips bërthamor, frika nga armiku dhe një fëmijëri e ndërtuar mbi propagandë.

“Leaving Eden”, ose “Edeni i Mohuar”, filmi i regjisorit shqiptar Genc Përmeti, u prezantua premierë në konkurrimin zyrtar të edicionit të 14-të të Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, në kategorinë “Filmi i Gjatë/Vepra e Parë”.

“Filmi është një histori postapokaliptike... këtu kemi të bëjmë me kthimin e shoqërisë tonë në primordialitet dhe se si do skulpturohet kjo shoqëri, në cilat baza morale, në cilat baza etike. Do triumfojë humanizmi apo përsëri ne do shkojmë drejt vetëshkatërrimit?”, tha regjisori Genc Përmeti.

Ngjarjet zhvillohen rreth 60 vite pas apokalipsit. Në qendër është Niko, një 10-vjeçar i rritur nga gjyshi i tij, Leksi, me bindjen se përtej kufijve të territorit të tyre jetojnë vetëm armiq. Por ardhja e Xenit, një djaloshi rom dhe familjes së tij, nis të rrëzojë bindjet e trashëguara. Përmeti e përdor këtë botë post-apokaliptike si metaforë për diktaturën, propagandën dhe mënyrën se si frika mund të trashëgohet nga një brez te tjetri.

“Jam shumë i gëzuar që jam sot këtu në këtë festival. Është hera e dytë që do ta shikoj filmin dhe sërish kam emocione dhe jam kurioz për ta parë. Kemi kaluar një kohë shumë të bukur gjatë xhirimeve.”, tha aktori Nikolla Prendi.

“Është tre vite pritje, ëndrra dhe tre vite rritje për mua. Doja të falënderoja regjisorin Genc Përmeti që më besoi këtë rol kaq fantastik... Shpresoj që ta ndjeni dhe ta shijoni aq shumë filmin sa e kam shijuar edhe unë.”, tha aktorja Sirea Bombaj.

Një histori mbijetese, por mbi të gjitha një reflektim mbi kujtesën, propagandën dhe përgjegjësinë për të mos përsëritur të shkuarën. Një “Eden” i ndërtuar mbi frikën, që filmi kërkon ta rrëzojë përmes brezit të ri. Filmi mbështetet edhe në përvojën personale të regjisorit, i cili është rritur në Shqipërinë e diktaturës komuniste. Përmes historisë së fëmijëve, ai ngre pyetjen se çfarë ndodh kur një ideologji, një frikë apo një urrejtje u mësohet brezave si e vërtetë.

“Natyrisht që unë kam pak emocion, sepse më kujtohet 40 e kusur vite përpara se unë jam rritur me këtë skenë. Për sa i përket filmit, më lejoni t’i shpreh mirënjohjen Genc Përmetit për mundësinë që më dha që të shprehesha në filmin e tij.”, tha aktori Kristaq Pilo.

“Detyra jonë është që mos ta lëmë të ndodhë përsëri. Madje dhe ky film këtë mesazh ka: të mos lejojmë që të ndodhë përsëri ajo që na ka ndodhur në të kaluarën.”, tha regjisori Përmeti.

I xhiruar në veri të Shqipërisë, filmi ndërthur peizazhet industriale dhe natyrore me një atmosferë të zymtë, ndërsa muzika e kompozitorit italian Andrea Guerra i jep një dimension të veçantë emocional rrëfimit.

“Leaving Eden” është një bashkëprodhim mes Shqipërisë, Italisë, Polonisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me një kast ku interpretojnë emra, si: Agata Buzek, Nikolla Prendi, Kristaq Pilo, Ksawery Szlenkier dhe Daniel Olbrychski.