Real Madridi ka konfirmuar zyrtarisht shkallën e lëndimit të Eder Militao. "Galaktikët" triumfuan 0-2 në udhëtim te Athletic Bilbao në ndeshjen e parë të sezonit 2023/24. Por, kjo fitore kishte edhe pasoja, pasi mbrojtësi brazilian pësoi lëndim në gju.
Në një deklaratë të klubit thuhet: "Pas analizave të bëra te lojtari ynë Eder Militão, ai është diagnostikuar me një këputje të ligamentit të kryqëzuar të përparmë në gjurin e majtë. Lojtari do t’i nënshtrohet një operacioni në ditët në vijim". Kjo vjen vetëm tri ditë pasi Thibaut Courtois pësoi të njëjtin lëndim.
Pritet që mbrojtësi të mungojë afro gjashtë muaj, me Realin që duhet të futet në merkato për të gjetur zëvendësin e tij. Sipas Fabrizo Romano, mund të jetë Sergio Ramos rikthimi i bujshëm i "Galaktikëve".