Edhe 2025 po rezulton vit i lekut, i cili vijon të triumfojë mbi valutat. Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tremujorin e parë për të stabilizuar tregun nuk patën efekt pasi euro vijoi rënien, dhe arriti të këmbehej deri me 97 lekë.

Banka e Shqipërisë ka blerë 33.2 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti për të rritur rezervën valutore dhe për ‘qetësimin’ e kursit të këmbimit.

Për të frenuar një dobësim tjetër të monedhës evropiane por më shumë për të rritur rezervën valutore në vitin 2025, Banka e Shqipërisë planifikon të tërheqë edhe më shumë valutë nga tregu këtë vit për të rritur rezervën. Nëse vjet plani ishte për të blerë 250-330 milionë euro për të rritur rezervën, këtë vit planifikimi është bërë për të tërhequr 270-350 milionë Euro.

Rezerva valutore ka arritur në vlera rekord sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, pasi muajin prill preku vlerën 6.7 miliardë euro, nga 6.2 miliardë euro që ishte në fund të vitit 2024. Rezerva valutore shërben për të shlyer borxhin e qeverisë në valutë, për të mbështetur tregtinë ndërkombëtare dhe për të parandaluar apo zbutur lëvizjet e forta të kursit të këmbimit.

Por me gjithë këto ndërhyrje zhvlerësimi i euros nuk u ndal. Institucionet shtetërore thonë se valutat po dobësohen nga turizmi dhe investimet e huaja që kanë sjellë fluks të madh të euros apo dollarit në treg. Kurse për ekspertët, në këtë zhvlerësim të monedhave të huaja po ndikon ndjeshëm edhe paraja informale.

REZERVA VALUTORE
Dhjetor 2024      6.264 mln euro
Prill 2025            6.727 mln euro
Diferenca           + 463 mln euro