PRISHTINË, 22 Janar/ATSH/.- Qindra qytetarë të Deçanit kanë marrë pjesë në një demonstratë që u organizua në këtë qytezë kundër deklaratës së ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq.
Sipas KosovaPress, protestuesit kërkuan nga kryeministri Isa Mustafa që urgjentisht të shkarkohet ky ministër, i cili me deklaratën e tij nuk ka fyer vetëm nënat e Gjakovës, por edhe nënat e gjithë të zhdukurve.
Kryetarja e shoqatës "Thirrjet e nënave" nga Gjakova Nysrete Kumnova në fjalimin e saj ka thënë se Jabllanoviq i ka ofenduar nënat e të zhdukurve për fatin e të cilëve nuk dihet ende.
"Jabllanoviq nuk ofendoi vetëm nënat e Gjakovës por ofendoi të gjithë familjarët e të zhdukurve të Kosovës, kur dihet se në luftën e fundit në Kosovë 1998-'99, kriminelët e ish pushtetit serbo-malazez bënë genocid ndaj popullatës së pafajshme shqiptare pa kursyer fëmijët dhe gratë shtatzëna. U vranë mbi 12 mijë shqiptarë, u zhdukën mbi 6 mijë të tjerë dhe edhe pas 16 viteve ende nuk dihet për fatin e 1650 qytetarëve. Mbi 20 mijë femra të dhunuara dhe mbi 1 milion shqiptarë u shpërngulën nga Kosova nga makineria shoviniste serbo-malazeze. Ndaj nga kjo protestë që po mbahet në Komunën e Deçanit dhe të gjitha protestat e mbajtura në shumë komuna të Kosovës i bëjmë thirrje kryeministrit që urgjentisht ta shkarkoj shovinistin serb Jabllanoviq", ka thënë Kumnova.
Demonstratën në Deçan e ka organizuar Lidhja e Historianëve "Ali Hadri" së bashku me partitë politike të kësaj qyteze./m.m/