KOSOVË- Edhe Kosova ka vendosur marrjen e masave të tjera për të frenuar rritjen e frikshme të rasteve të reja me covid. Duke filluar nga dita e premte hyjnë në fuqi masat më të rrepta në 7 prej komunave të Kosovës, të cilat janë zona të kuqe.

Veprimtaria ekonomike në këto zona do të lejohet nga ora 05:00 deri në orën 19:00, pas kësaj ore do të mbyllen të gjitha, e edhe lëvizja e qytetarëve.

Përmes një konference për shtyp, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se në vend gjendja me COVID-19 është tepër e rëndë.

"Në komunat që janë në zonën e gjelbër kemi lejuar që sektorët ekonomikë të punojnë nga ora 05:00 deri në 20:00. Kemi rregulluar transportin publik dhe të taksive. Kemi kufizuar qendrat tregtare nga 05:00 deri në 20:00. Gastronomisë nga ora 05:00 deri në 20:00, pas kësaj merr me vete.

Komunat me rrezik të mesëm, punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00. Gastronomia 05:00 deri në 18:00, pas kësaj ore merr me vete. Në këto komuna institucionet publike dhe private punojnë me stafin esencial. Qendrat tregtare nga ora 05:00 deri në orën 18:00", tha Hoti.

Ai tha se do të kthehen ekipet mjekësore në kufi, derisa mësimi në universitete do të vijojë online.

“Kjo është zgjidhja më e mirë që kemi mundur të bëjmë, duke pasur parasysh interesat që ka ekonomia, por duke vendosur në rend të parë shëndetin publik”, tha Kryeministri Hoti.