Në kulmin e debateve politike në Shqipëri për taksimin e Rrugës së Kombit duket se edhe në anën tjetër të kufirit në Kosovë ku kalon kjo rrugë, pritet të ndodhë e njëjta gjë.

Radio “Evropa e Lirë” shkruan se edhe Kosova pritet të ndjekë shembullin e Shqipërisë duke vendosur një tarifë, po në një nivel më të ulët.

“Ndryshe, përveç tarifës rrugore që ka vendosur shteti i Shqipërisë edhe shteti i Kosovës pritet të vendosë një tarifë të tillë për pjesën e autostradës së Kosovës. Ministria e Infrastrukturës është në procedurë të fizibilitetit, por që është thënë se kjo tarifë do jetë simbolike dhe do përputhet me kushtet ekonomike të qytetarëve të Kosovës” shkruan Radio Europa e Lirë.

E ndërsa analizon tarifën e vendosur, në artikull sillen komentet e ekspertëve të ekonomisë nga Kosova të cilët evidentojnë se ajo do të ketë impakt negativ në shkëmbimet ekonomike mes dy shteteve shqiptare.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi tha për Radion “Evropa e Lirë” se tarifa rrugore do të reduktojë edhe më shumë vëllimin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. 
Ndërkohë, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës tha se do të duhej të kishte taksë, por ajo të jetë e arsyeshme, pasi tarifa e caktuar do të ketë ndikim negativ në aspektin ekonomik.