50 puntorëve të një fasoneriKorçë u është refuzuar paga e luftës dhe për këtë arsye sot kanë zhvilluar një protestë para Drejtorisë së Tatimeve. Në një prononcim drejtori i kësaj kategorie shpjegoi arsyen përse këta zonja nuk e përfitojnë këtë ndihmë. Sipas tij pronari i subjektit i ka hequr nga sigurimet disa ditë para se të plotësohej kriteri për pagën e luftës.

Konkretisht drejtori Thoma Tontonozi është shprehur: "E para gratë nuk kanë lidhje fare me tatimet. Kanë lidhje direkt me subjektin. Aplikimet për pagën e luftës dhe ndihmën 40 mijë lekëshe bëhet online dhe e ka çdo subjekt faqen e tij. Janë vendosur kriteret nga vendimi i këshillit të Ministrave dhe automatikisht sistemi në faqen e subjektit gjenerohen emrat e punonjësve që përfitojnë. Një nga ato pika që duhet të plotësojë subjekti është data e largimit të punonjësve. Punonjësit që janë larguar para datës 12 mars janë automatikisht të përjashtuar. Rasti i kësaj fasonerie është se i kanë hequr para datës 12 mars. Sepse e lejon ligji të hiqen 10 ditë para.

Kjo është arsye që gratë të cilat janë aty nuk kanë lidhje fare me drejtorinë e tatimeve, por me ekonomisten dhe pronarin e subjektit. Në paketën e dytë për 30 sekonda shfaqet konfirmimi, nuk ka nevojë për pritje. Ata që e kanë merituar do ta marrin. Në bazë të kritereve do të kontrollohen subjektet. Gjej rastin që t'jua bëjë zonjave këtë shpjegim. Pronari i ka hequr para datës që përfitojnë pagën e luftës. Këto zonja tani kanë të drejtën të aplikojnë për asistencë."

Pas këtij refuzimi njëra nga punonjësit për 'Report TV' deklaroi: "Duhet të vinte edhe pronari e ekonomistja. Tani jemi gjithë këta puntorë. E dimë se jemi firmë e rregullt, tani disa na thonë se nuk janë paguar sigurimet. Nëqoftëse ka bërë shkëputje pse nuk na kanë nxjerrë ne në asistencë? Duam të paguhemi për këtë muaj që kemi ndenjur. Ne jemi shtetas shqiptarë dhe duhet të na japë shteti atë që na takon.

Përgjegjësit na kanë thënë të merremi vesh me atë të sigurimeve. Ta dimë të paktën se jemi puntorë, varemi nga kjo pagë. Kemi edhe kredi në banka. Kam edhe vajzën në Shkollë, burri me ka vdekur. Këta të paktën të na japin lekat e bukës. Shteti siç na merr taksat duhet të na e japë edhe një rrogë. Shteti thotë që të takon, vjen këtu e të thonë që s'të takon. Po luajnë me ne.

Nëse nuk gjejmë zgjidhje do ta përshkallëzojmë protestën. Unë 12 vjet kam në këtë punë, por nëqoftëse ne na kanë hequr nga sigurimet me datë 6 nuk e kuptoj si i kemi tërhequr lekët në bankë. Kushtet në punë nuk i kemi patur shumë të përshtatshme.

Shtetit i them që, edhe kryeministrit, duhet të paguajnë shqiptarë. Nëse punojnë në të bardhë në të zezë apo në të kuqe, duhet të paguajnë shqiptarët.

Pronarit i them se nëqoftëse ke vepruar në mënyrë të hijshme duhet të na njoftonte, të komunikonim, se ne punojmë për bukën e gojës. Ne punojmë sot, hamë sot."

Ndërkohë përpara prononcimit të drejtorit të tatimeve punonjëset ishin shumë të revoltuar. Disa prej tyre deklaruan: "Kemi dalë të protestojmë se thonë nuk na takon paga e luftës. Ne na takon se kemi paguar dhe sigurimet dhe tatimet, çfarë ka dashur pronari kemi bërë ... kemi punuar ... ama tani kërkojmë edhe ne të drejtat tona. Firma është mbyllur që nga adata 10 mars, ne jemi me sigurime.

Jemi 50 veta, ndërsa unë i kam të vetmet të ardhura. Punoj vetëm, jetoj vetëm, se prindërit më kanë vdekur. Ushqim s'kam, puna na është ndërprerë, për të na paguar asgjë. Si mund të përballohet? Tjetra ka fëmijën e sëmurë. Presim se çfarë mund të na thonë..."

Një tjetër puntore e fabrikës e ka me pronarin. Ajo fillimisht thotë se kanë punuar në kushte skandalozë, ndërsa kërcënon edhe drejtuesit e biznesit:

"Dua të ha unë, jam burrë e grua në atë punë. Duan të na hedhin në rrugë dhe shikoni në çfarë ndërmarrje kemi punuar ne, na është rrezikuar jeta. Jam punëtorja më e vjetër, kam 22 vjet punë. Kemi dërguar dy përgjegjësit atje dhe një djalë tjetër. Kemi 22 vjet sigurime.

Mos të ma takojë mua një 400 mijë lekëshe të ha bukë?! Unë skam asnjë fëmijë asnjë gjë... Jam atje me burrë e grua. Jam borxhë deri në grykë. Afendikoi (pronari) më hodhi në rrugë, deri dje shtynte karrocën me burrin tim. Sa e vështirë është për mua?! Ja unë s'kam bukë të haj. Jo kamera, se unë dhe një vit punë kam, por afendikoi (pronari) me gjithë afendikeshën (pronaren), jo në vrimë miu të futen, por do ta djeg të gjallë. Në vrimë miu të futet, me këdo që ka mbrapa, se jam pa bukë."

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:46
'Pronari na kërcënoi me vendin e punës se dolëm në protestë', punëtorët e një fasonerie në Durrës kërkojnë pagën e luftës: Kompaninë do ta hedhim në gjyq

Fasoneritë në vend janë kthyer jo vetëm në vatra infeksioni, por edhe problem se nuk i sigurojnë dot pagën e luftës punëtorve. Pretendimi i fundit që vjen nga Durrësi është se një fasoneri, "Stafra SH.p.k", nuk ka aplikuar për pagën e luftës të punonjësve pasi në tatime ka deklaruar se vazhdon puna edhe në kohën e pandemisë. Mirëpo punëtorët pretendojnë të kundërtën:

"Ne kërkojmë një zgjidhje për të drejtat tona sepse na është deklaruar se nuk e përfitojmë pagën e shtetit për arsyen se deri më datë 11 mars kemi qenë në marrëdhënie pune dhe më 12 mars kemi qenë në shtëpi. Kur e kemi pyetur kompaninë nëse e kemi bërë aplikimin për emrat tanë na ka thënë që nuk e përfitojmë. Erdhëm te tatimet dhe këtu na thonë se kontributet tuaj janë derdhur në rregull. Na thanë gjithashtu se kur janë derdhur kontributet ju edhe duhet të ishin paguar, ndërsa ne nuk jemi paguar përveç 11 ditëve që kemi marrë lekët. Tjetra na thonë se duhet ta çojmë për apelim.

Kompania jonë quhet Safra sh.p.k. me pronarë Liggi Marianucci, është italian. Jemi gati 90 punëtorë, sot kemi pezulluar punën dhe pronari nga Italia na ka telefonuar dhe na ka thënë 'ju që jeni çuar për të kërkuar të drejtën tuaj nesër mos ejani në punë se jeni pezulluar'. Ne kërkojmë një zgjidhje, qoftë nga shteti, qoftë nga media, nga kushdo. Jemi familjarë jemi me fëmijë të vegjël dhe po luftojmë për bukën e gojës."

Një puntor tjetër i kësaj fasonerie thotë se fasonerinë do ta hedhin në gjyq:

"Ne pyetëm te takim taksat dhe na dhanë një përgjigjje që nuk është fare e mirë për ne, sepse fabrika ku ne punojmë na ka shpall në punë kur ne ishim në shtëpi. Nuk na ka paguar asgjë përveç 11 ditëve që kemi punuar. Jemi afër 90 punëtorë por sot kemi ardhur vetëm kaq sepse një pjesë tjetër ka frikë, se janë hallexhinj, se nuk duan të humbin punën. Në prill na takojnë vetëm tetë ditë punë, me tetë ditë unë burrë e grua dhe dy fëmijë të vegjël, me qera, ne nuk arrijmë dot të përballojmë jetesën minimale se fëmijëve duan bukë. Këtë problem ta zgjidhi shteti me fabrikën. Fajtorja është fabrika se nuk ka deklaruar se është mbyllur puna, ndërsa fabrika ka deklaruar te tatimet se puna vazhdon.

Unë kam letra, ka kam fakte, se nuk kam marrë pagën aq sa duhet. Kam marrë 156 mijë lek dhe më janë mbajtur 29 mijë e 102 lekë siguracion. Unë paguaj siguracione dhe taksa për këtë shtet dhe unë mos të përfitoj dot një pagë lufte minimale?! E dua për të përballuar bukën e fëmijëve. Nëse situata nuk zgjidhet ne do marrim një avokat që të hedhim kompaninë në gjyq, se ndryshe nuk kemi se çfarë zgjidhje të marrim"