Sipas tij, këtë e tregon më së miri, edhe ardhja e 210 iranianëve, të cilët kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare. Ai nuk harron të kujtojë se dita ndërkombëtare e refugjatëve, është një ditë që duhet të na kujtojë të gjithëve se duhet ta hapim zemrën për atë që kërkon ndihmën tonë dhe se edhe një familje e ndarë për shkak të konflikteve, është shumë.
Sot është një ditë speciale për refugjatët, si ndiheni këto ditë kur vini dhe vizitoni Shqipërinë, si ka ndryshuar situata?
Kjo ditë, siç edhe e përmendët është një ditë shumë e rëndësishme. Është një ditë që nevojat, si ato materiale ashtu edhe ato për mbrojtjen e miliona njerëzve, të cilët janë të detyruar kundër dëshirës së tyre që të largohen nga shtëpitë e tyre, nga vendi i tyre të sillet më shumë në vëmendje të të gjithë botës. Prandaj për ne dita botërore e refugjatëve është një moment i veçantë gjatë vitit që të shprehim zërin e atyre që nuk dëgjohen.
Fatkeqësisht viti2012, ishte viti në të cilin kishim numrin më të lartë të personave të shpërngulur forcërisht në 18 vitet e fundit. Kishte që nga viti 1994 që nuk kishte pasur kaq shumë njerëz të shpërngulur për t’u vendosur në të gjithë botën. Për të dhënë një ide të përgjithshme, në vitin 2012, kemi pasur më shumë se 45 milionë njerëz të shpërngulur. Pra kur më pyesni si ndihem kur v vij në Shqipëri në këtë ditë të veçantë, unë ndjej që ne të gjithë duhet të bëjmë përpjekjet tona, për ta bërë gjendjen e refugjatëve të njohur, për t’i dhënë atyre mundësinë për të shprehur vetveten, të tregojnë mundësitë e tyre, aftësitë e tyre.
P.sh një nga veprimtaritë që kolegët e zyrës së Shqipërisë kanë përgatitur për këtë ditë është një festival kuzhine, dhe një konkurs fotografie. Kjo bëhet me qëllimin për të treguar që refugjatët janë njerëz si ne, kanë traditat e tyre, historitë e tyre, familjet e tyre. Thjesht ishin më pafat, që nuk mund të vazhdonin jetën e tyre në atë mënyrë që e kishin nisur. Sot nuk është ditë festive, por ne duam të festojmë historitë e tyre.
Nga cilat vende ka ndodhur kryesisht kjo lëvizje?
Këta 45 milionë nuk janë tërësisht të rinj, janë njerëz që në vitin 2012, ishin në një situatë që ishin të shpërngulur, pra që ishin të larguar nga vendet e tyre dhe për këtë kishim një përzierje të krizave që kanë qenë afatgjata. P.sh numri i afganëve që gjenden në Pakistan të shpërngulur prej shumë kohësh, kongolezët të shpërndarë në të gjithë rajonin e liqeneve të mëdha, Irakenët të shpërngulur brenda vendit të tyre apo në vendet fqinje dhe shumë të tjerë. Por në vitin 2012 kanë ndodhur gjithashtu shumë kriza humanitare të rëndësishme, dhe më e rëndësishmja kriza që vazhdon edhe sot e kësaj dite në Siri.
Gjithashtu lufta e brendshme civile në Mali, problemet në Sudanin e Jugut, në Kongon lindore dhe në vende të tjera. Pra ka qenë një kombinim, një përzierje e situatave afatgjatë të tejzgjatura të refugjatëve dhe ndodhja e shumë krizave humanitare njëkohësisht. Nga ky total prej 45 milionë vetësh, 15 milionë janë refugjatë, persona që janë larguar nga shtëpitë e tyre, nga vendet e tyre dhe kanë kaluar kufijtë ndërkombëtarë. Por rreth 29 milionë janë persona të shpërngulur brenda për brenda vendit të tyre.
Shqiptarët janë një popull që kanë prodhuar vazhdimisht refugjatë. Si e shikoni ju Shqipërinë aktualisht?
Mendoj se është shumë e rëndësishme që të bëhet një dallim i qartë mes atyre që dua të largohen nga vendi i tyre, në kërkim të një jete më të mirë, çka është një tërësi krejtësisht e kuptueshme, por është një zgjedhje vetjake ndoshta e yshtur nga nevoja, por gjithsesi është një zgjedhje personale dhe ata persona që nuk kanë asnjë mundësi, sepse ndryshe nëse do të qëndronin do të rrezikonin jetën e tyre. Të vritesh nuk është një mundësi.
Kështu mendoj që shqiptarët mund të kenë pasur në të kaluarën mijëra arsye të mjaftueshme për të ikur nga vendi i tyre, por nuk kanë më arsye të tilla detyruese tani. Kështu mendoj që Shqipëria është midis atyre vendeve tani që presin njerëz nga vendet e tjera, po ashtu si Italia, Franca, Mbretëria e Bashkuar. Nuk do ta rreshtoja Shqipërinë mes vendeve që prodhojnë refugjatë.
Si është aktualisht situate në vendet e Evropës Jugore?
Vitet e fundit, çështja më e rëndësishme e refugjatëve është përzierja me grupe e popullsi të tjera që nuk janë persona që cilësohen si në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare. Këtu sigurisht ndikon edhe ajo që quhet “pranvera arabe” në Libi, në Tunizi ka prodhuar një numër shumë të madh të njerëzve që përpiqen të gjejnë rrugën e tyre, por sidomos përmes Italisë për të shkuar në vende të tjera evropiane. Ne kemi parë fatkeqësisht një numër madje në rritje të njerëzve që kanë humbur jetën në detin Mesdhe në përpjekje për të arritur në destinacionin e ëndërruar.
Ka qenë shumë e trishtë të shohësh njerëz të larguar nga vendi i tyre që kishin gjetur një farë mbrojtje në disa vende të Afrikës Veriore dhe pastaj për shkak të luftës që filloi në këto vende të Afrikës veriore u detyruan të shtyhen më tej, dhe në këtë kuadër, në kushte të papërshtatshme janë detyruar të kalojnë mesdheun dhe në këto kushte janë mbytur duke mos arritur në vendin tjetër. Padiskutim që ka qenë një ndër lëvizjet që arriti kulmin në 2011 dhe ka vijuar. Për sa i përket pjesës tjetër në rajon situata ka qenë relativisht e qëndrueshme,por me një pritshmeri të madhe të asaj që mund të ndodhi për shkak të gjendjes atje.
Ne dimë që edhe Shqipëria ka pasur një rritje të numrit të sirianëve që kanë ardhur në Shqipëri, e njëjta gjë ka ndodhur veçanërisht në Qipro dhe Greqi dhe në një moment tjetër, nëse situata vazhdon të përkeqësohet, siç ka ndodhur deri tani, pasojat do të përhapen shumë më tepër sesa kufijtë e Sirisë. Për momentin, afërsia dhe bujaria e vendeve si Turqia, Libani, Jordania ka bërë që të jetë e mundur përthithja dhe pjesa më e madhe e refugjatëve të mbahet aty. Por edhe këto vende kanë kufizimet e tyre dhe këto nivele po arrihen tashmë. Kështu nuk duhet të çuditemi nëse do të shohim shumë sirianë që vijnë drejt Evropës Jugore për të kërkuar mbrojtje ndërkombëtare.
A është e gatshme Shqipëria për të pritur një valë refugjatësh?
Shqipëria ka treguar një vëmendje shumë të qartë në lidhje me fenomenin e pritjes së refugjatëve. Ajo aktualisht vazhdon të jetë e përfshirë në pritjen e një numri deri në 210 iranianë nga Iraku, të cilët kanë nevojë për një mbrojte ndërkombëtare. Me mbështetjen tonë si UNHCR, është në proces marrja e tyre pjesë-pjesë në Shqipëri dhe integrimi i tyre në shoqëri. Shqipëria nuk është vetëm një vend bujar, por edhe një shoqëri bujare, është një shoqëri mikpritëse.
Kam përshtypjen se është edhe një shoqëri jo diskriminuese. Kështu që të gjitha këto janë elemente në favor të pritjes së të huajve, të marrjes së të huajve që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare. Por ne e dimë që qeveritë kanë kufizimet e tyre. Kanë kufizime financiare, por edhe kufizime strukturore. Shqipëria është në gjendje ta rrisë nivelin e kundërpërgjigjes së saj siç po bën tani. Por sigurisht që nëse numri do të rritej në një masë shumë të madhe, natyrisht ka nevojë për mbështetje.
Këtu është pika që shtetet duhet të mbështesin njëra tjetrën, qoftë BE apo SHBA, apo edhe shtete të tjera, të cilat kanë kapacitetet e duhura për të dhënë mbështetje, që në këtë rast do të duhet të vinin në ndihmë të Shqipërisë, në mënyrë që Shqipëria të jetë në gjendje tu përgjigjet këtyre sfidave ne standarde të pranueshme. Ne nuk presim një numër shumë të madh refugjatësh sepse është një rrugë shumë e gjatë nga Siria deri këtu. Por për një vend që është mësuar të ketë 100 apo diçka më shumë refugjatë, nëse i vijnë disa qindra, pasoja do të jetë e një rëndësie të veçantë.
Ju i keni vizituar vetë iranianët që kanë ardhur së fundmi, si ndihen ata në Shqipëri?
Po, kam pasur rastin jo vetëm t’i vizitoj në qendër, por të isha aty në aeroport dhe t’i prisja kur erdhën herën e parë. Unë i kam ndjekur ata gjatë gjithë këtij muaji, pothuajse çdo ditë. Shumica e tyre kanë si synim të tyrin dhe interesin e tyre të vetëm që të integrohen sa më shpejtë të jetë e mundur në shoqërinë shqiptare. Një zonjë madje kishte filluar të mësonte shqip që kur ishte në Irak dhe flet tani shqip më mirë se sa flas unë. Ndërsa të tjerët po shohin se si mund të vihen në punë aftësitë e tyre.
Ata i janë shumë mirënjohës qeverisë shqiptare dhe shoqërisë shqiptare për mënyrën se si janë pritur këtu. Unë shoh që ata duan shumë që të integrohen dhe të bëhen pjesë e shoqërisë. Procesi është i vështirë, i gjatë, por ka filluar në një bazë shumë pozitive. Për ne është shumë e rëndësishme, që shoqëria shqiptare të dijë më shumë për ta. Të dijë që ata janë njerëz si gjithë të tjerët, të cilët kanë mbërritur në një vend të ri që duan të mësojnë shumë rreth këtij vendi dhe duan të bëhen pjesë e shoqërisë.
Duke qenë se Shqipëria është tani një vend që nuk prodhon më refugjatë, zyra juaj ku do të jetë e fokusuar në të ardhmen?
Ashtu si edhe shumica e zyrave tona në Evropë, zyra jonë e UNCHR-së në Shqipëri ka në thelb të veprimtarive të veta, të mbështesë ndërtimin e aftësive teknike të autoriteteve shqiptare për ndërtimin dhe përforcimin e sistemin të tyre të azilit. Kjo është në thelb të veprimtarive tona në zyrat e ndryshme që kemi në Evropë. Vitin tjetër gjendja e iranianëve dhe integrimi i këtij grupi do të jetë një nga përparësitë tona këtu në Shqipëri.
E kombinuar kjo me sigurimin e mbështetjes për policinë kufitare lidhur me aftësinë e tyre për të intervistuar azilkërkues. Është një zyrë e vogël, por shumë e zënë me punë. Zyra jonë rajonale në Romë, nga e cila vij dhe unë do ta shoqërojë këtë proces, duke mbuluar lidhjet me zyrën tonë në Bruksel, në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, meqë një sistem funksional azili është kërkuar edhe nga BE. Pra edhe refugjatët, edhe azilkërkuesit janë pjesë e rëndësishme e integrimit të Shqipërisë në BE.
Si ka qenë bashkëpunimi juaj me qeverinë shqiptare? A i kanë marrë ata parasysh këshillat dhe sugjerimet tuaja?
Ne nuk jemi në një pozitë për të folur se çfarë ndodh këtu çdo ditë. Kolegu im i zyrës, Hortenci, mund ta bëjë më mirë këtë, pasi ai është çdo ditë këtu në bazë. Por unë mund të jap përshtypjen time, nga pikëpamja e mundësisë për të ndërvepruar, se sa afër janë UNCHR dhe qeveria në lidhje me çështjen e refugjatëve. Sidomos tani në këtë rast të ri, unë vlerësoj se kemi një bashkëpunim të shkëlqyer.
Ne nuk kemi pasur mundësinë që në çdo vend që ne kemi qenë te jemi të hapur, të sinqertë dhe të ndajmë me qeverinë shqetësimet dhe mendimet tona. Në lidhje me veprimet e marra për t’u përgjigjur nevojave të refugjatëve ne nuk mund të jemi aq entuziastë. Por qeveritë janë qeveri dhe procedurat janë procedura, burokracitë janë burokraci dhe ne duhet të punojmë me durim, me këmbëngulje dhe shumë të qartë në ndjekjen e të njëjtit synim. Në përgjigje të bashkëpunimit shumë pozitiv, sidoqoftë do të donim një zbatim më të shpejtë dhe efikas në lidhje me problemet e identifikimit bashkërisht.
Sa herë që në gazetën apo web-in tonë publikohen lajme për refugjatët ka një interes të madh nga lexuesi. Sot që është dita botërore e refugjatit, çfarë mesazhi do t’u jepnit atyre?
Lexuesve u them që të jenë kureshtarë, pasi çdo refugjat sjell me vete një histori, një traditë, një kulturë. Kështu një refugjat është një përvojë pasuruese. Jo se kur takojmë një person nga vendi jonë nuk është pasurues, por do të mësoni histori që do ju mësojnë secili prej tyre. Duhet të jetë një kuriozitet në kuptim pozitiv, i ndërthurur me ndjeshmëri dhe kështu që askush nuk do zhgënjehet. Pra le ta njohim më mirë njëri-tjetrin duke kujtuar që edhe një familje e ndarë prej konfliktit dhe luftës, është tepër.
Respekt në Ditën Botërore të Refugjatit.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)