Edhe një takim i përbashkët sonte
ndërmjet Thaçit dhe Daçiç

Edhe një takim i përbashkët sonte <br />ndërmjet Thaçit dhe Daçiç
Në Bruksel është duke u zhvilluar rrethi i tetë i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas orës 21:00, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, ka nisur edhe një takim të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologun e tij serb, Ivica Daçiç, pas disa takimeve të ndara që ka zhvilluar me të dyja delegacionet.

Takimi i parë i përbashkët i kryeministrave ka nisur rreth orës 14:00, për të vazhduar me disa ndërprerje.

Në një komunikimin me gazetarët në Bruksel, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili është pjesë e ekipit negociator të Beogradit, ka thënë se ka ardhur deri te ngritja e zërit në mes të palëve, çfarë ka bërë që baronesha Ashton të ndërpresë takimin trepalësh dhe të bisedojë ndaras me delegacionet.

Duke folur për tensionet gjatë bisedimeve, ai ka thënë se “incidente nuk ka pasur, por zëra të ngritur”.

”Nënkryetari i parë i Qeverisë serbe, Aleksandar Vuçiç, di se si të luftojë për atë në të cilën beson, prandaj mendoj se zëri i tij mund të ketë qenë i ngritur edhe mirë”.

Vulin nuk ka pranuar të thotë se cila temë ka ngritur tensionet, por ka thënë se bisedimet trepalëshe do të vazhdojnë nëse ka hapësirë për një gjë të tillë.

Zyrtari serb ka bërë të ditur se në takimin e sotëm të dyja palët kanë paraqitur argumentet, ndërsa në lidhje me marrëveshjen eventuale është shprehur:

“Mos prisni marrëveshje përfundimitare! Është fjalë e vështirë marrëveshja përfundimtare”.

Takimit Thaçi-Daçiç i kanë paraprirë bisedimet dypalëshe të baroneshës Ashton me delegacionet e të dyja vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur edhe një herë optimizmin për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në një prononcim në gjuhën angleze, Thaçi ka thënë se “sot është ditë historike dhe çast vendimtar për Kosovën dhe rajonin”.

“Jam udhëheqës i vendimeve dhe jam këtu për të marrë vendimin për të ardhmen e vendit tim dhe perspektivën evropiane të rajonit”, ka thënë Thaçi para takimit me baroneshën Ashton.

Një ditë më parë, kryediplomatja evropiane i është drejtuar opinionit me një deklaratë për media, ku ka shfaqur bindjen se palët janë shumë pranë marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

Zëdhënësja e saj, Maja Kocijançiç, ka përsëritur sot qëndrimin e baroneshës.

“Ajo beson se marrëveshja është shumë pranë, edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Po ashtu ka thënë se, kur kemi nisur, të gjithë e kemi ditur se do të jetë e vështirë dhe do të kërkojë udhëheqje të fuqishme politike. Zonja Ashton beson se delegacionet që janë sot në Bruksel, do të sillen në frymën e gjetjes së një zgjidhjeje për interesat e popullit që përfaqësojnë dhe për një të ardhme më të mirë për të”, ka cituar Kocijançiq deklaratën e zonjës Ashton.

Ndryshe nga herat e tjera, në tryezën e sotme të diskutimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është i pranishëm edhe zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq shihet si politikani më me ndikim në skenën politike të Serbisë.

“Marrëveshja duhet të arrihet. Serbia nuk ka kohë që të presë edhe një vit, apo edhe pesë vjet, në konflikt të ngrirë. Kush do të presë? Njerëzit nuk kanë durim”, ka thënë Vuçiç, para takimit të sotëm.

Rëndësinë e arritjes së marrëveshjes e kanë ritheksuar po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara.

“Shpresoj që të përparojnë. Do të doja të arrihej marrëveshja midis Beogradit dhe Prishtinës, sepse mendoj se ajo do të ishte mirë për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe për përparimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian”, ka deklaruar sot ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby.

Në mesin e çështjeve të hapura në bisedimet Kosovë-Serbi, aktualisht janë kompetencat që do t’i kishte asociacioni i komunave serbe në Kosovë, që në Beograd njihet me emrin “bashkësi”.

Me këtë mekanizëm është paraparë të vihet normaliteti në pjesën veriore, ku banorët lokalë serbë kundërshtojnë autoritetin e Prishtinës zyrtare, ndërsa Beogradi, që nga paslufta, financon strukturat e veta paralele.

Palët kanë mospajtime rreth përgjegjësive të këtij asociacioni, pasi Beogradi do kontrollin e gjyqësisë, policisë dhe planifikimit hapësinor, por Prishtina kundërshton çdo kompetencë ekzekutive për të.

Rezultatet nga dialogu Kosovë-Serbi shihen si esenciale për përparimin e dy vendeve në procesin e integrimit evropian.


(Marrë nga Radio Europa e Lirë)

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset