Edhe një herë për Butrintin

Edhe një herë për Butrintin

Butrinti

Të dhënat arkeologjike mund vetëm të ndihmojnë në përcaktimin e etnicitetit të një populli a vendi, si pjesë e një vështrimi gjithëpërfshirës të të dhënave historike, gjuhësore, folklorike, etnografike, muzikore, mitologjike, etnologjike, etj. Por kur të dhënat arkleologjike mirren si të mjaftueshme për të konkluduar mbi përkatësinë etnike të banorëve të Butrintit mund të shpien në konkluzione antihistorike, siç duket se ka ndodhur me arkeologun amerikan, David Hernandez.

As arkitektura e ndërtimeve as arti, në vetvete, nuk mund të thonë ndonjë gjë për përkatësinë etnike të epirotëve, sepse ato përhapen nga një popull te tjetri sepse nuk njohin kufij etnikë. Në ndihmë ato mund të na vijnë vetëm kur shqyrtohen në kontekstin e gjerë krahasimtar me burimet historike, gjuhësore, mitologjike, etnologjike, mitologjike, folklorike etj.

Vetë fakti që grekët e lashtë, romakët dhe historianët mesjetarë njëzëri na thonë se grekët ngritën koloni në Epir, duke përfshirë Butrintin, thotë haptas se, edhe për vetë grekët, Butrinti ishte një truall i huaj.  Edhe vetëm ky fakt e bën të tepërt çdo diskutim për karakterin etnik të epirotëve. Ky fakt historik e bëri histrianin e famshëm Theodor Mommsen, autorin ende të pakapërcyer të “Die Romische Geshichte” (Historia e Romës), të vetmin historian që ka fituar çmim Nobel, të flasë për “epirotët e guximshëm, këta shqiptarë të Lashtësisë” (1).

Gjuha që flisnin epirotët

Qysh në Greqinë e lashtë, Tukididi, historiani më i saktë i Greqisë së lashtë, shkruante se epirotët ishin një popull barbar dhe me këtë grekët e lashtë kuptonin çdo njeri ose popull që nuk fliste greqisht. Historianët e lashtësisë greke, Tukididi dhe Straboni, shkruanin se epirotët barbarë flisnin një gjuhë të ndryshme nga greqishtja, madje edhe në jug të Epirit, euritanët fisi më i madh i Etolisë, flisnin një gjuhë të  pakuptueshme (ἀγνωστότατοι δὲ γλῶσσαν) (2) dhe jo “vështirë të kuptueshme”, siç është përkthyer ndonjëherë. Tukididi na njofton edhe se ajo pjesë e amfilokëve, fisit më jugor të epirotëve, “që u bashkuan me fqinjët e tyre grekë të kolonisë së Ambrakisë mësuan gjuhën e sotme greke, ndërkohë që pjesa tjetër e amfilokëve mbetën barbarë” (3).  Straboni gjithashtu flet për ngjashmëritë midis vëndasve epirotë dhe banorëve të Maqedonisë në veshje, në prerjen e flokëve dhe veçanërisht në gjuhë, duke i dalluar nga grekët (4).

Ai numër i vogël fjalësh që kanë mbetur deri sot nga epirotishtja [barden (βαρδἥν) – me barrë; daksa δάξα - det; brokalietai (μπροκαλιέται) – bryleket, etj.) janë shpjeguar vetëm me shqipen e sotme  dhe jo me greqishten ose ndonjë gjuhë tjetër, sipas Norbert Joklit, Francesco Ribezzo, Eqrem Çabejt.

Ende në shekullin VI të erës, sonë, pas përhapjes së krishterimit në Fjalorin e Hesikut, shkruhet se perëndia më e madhe e epirotëve nuk ishte Zeusi, por ishte Deipatyros (5), ku Dei eshtë gjinorja e ilirishtes e Deiwa, perëndia e qiellit, dalë nga protoindoevropianishtja *deywós – ‘perëndi’ e më parë nga *dyēus ‘qiell indritur’.

Pakëz histori

Të dhënat historianëve të lashtë grekë janë burimi më i rëndësishm për historimë e Butrintit dhe  Epirit me gjithë kufizimet e tyre metodologjike (duhej të kalonin rreth dy mijëvjeçarë deri sa të themelohej historiografia shkencore nga von Ranke në mesin e shekullit XIX).

Straboni shkruan se Butrinti ishte një qytet kaon dhe kolonistët e parë grekë arritën në Butrint në shekullin VII p.e.s., pas fusjatës së Kersikratit, që përzuri nga ujdhesa banorët vendas iliro-veriorë të fisit të liburnëve në shekullin VIII p.e.s (6). Kur ungulën kolonistët e parë grek në qytetin port , Butrinti kishte rreth 5 shekuj që ekzistonte si vendbanim Epirot, qysh nga shekulli XII p.e.s (7). Dhe Tukididi, duke folur për luftën korinthianëve në Kerkyra në shekullin V p.e.s., tregon se ata kishin aleate barbarët epirote (8).

Problemi është në se ky qytet u helenizua nga kolonët grekë deri në shekullin II p.e.s. ose u latinizua pas 7 shekujsh si koloni romake dhe në se banorët e tij humbën vetëdijen e tyre me vonë nën sundimet bizantine, bullgare ose turke.

Jo vetëm faktet mbi tokë, banorët shqiptarë të rajonit të Epirit, por edhe historiografia bizantine na tregon se epirotët ende në mesjetë ishin iliro-shqiptarë. Nga Hesiku, në shekullin VI ose VII të erës sonë mësojmë se fisi epirot i timphejve i vendosur, me sa kuptohet, në dy anët e kufirit të sotëm shqiptaro grek, rrotull malit Nemërçka, vazhdonte të adhuronte perëndinë iliro-epirote, Deiëa, ndërsa në shekullin XIV një historian anonim bizantin shkruante për Epirin: “Ende vendi banohet nga shqiptarë, një popull ilir i shpërndarë në grupe të vogla njerëzish dhe fshatra” (9).  Në fund të shekullit XIV noteri italian Niccolo  de Martoni, që gjatë një udhëtimi për Jerusalem, qëndroi një natë në ujdhesën Leukas, në jug të Epirit na dëshmon se parballë tij ndodhet Albania (10).

Në burimet e lashta ka të dhëna që tregojnë se epirotët vazhduan të flasin gjuhën e tyre dhe se deri në shekullin VI të erës sonë, dmth., pas përhapjes së krishterimit, të paktën një fis epirot kishte ruajtur besimin politeist ilir, duke vazhduar të adhuronin kreun e perëndive të tyre, Deiwa (11), dhe jo Zeusin grek, të përdornin ritualet e tyre të varrimit dhe gratë e tyre të kishin një rol të shquar në familje, shoqëri dhe shtet, gjë që i vë ato në një pozitë shoqërore pa krahasim më të lartë se sa gratë në shoqërinë e lashtë greke, siç venë në dukje edhe historianët greke (12).

Qysh nga mesi i shekullit XIX historian gjerman Keferstein shkruante se procesi i helenizimit në Epirin e lashtë “kishte pasur pak ndikim në popullsinë vëndase” (13) dhe zbulimet më të reja të mbishkrimeve greqisht të banorëve të Butrintit (që në lashtësi i përkiste provincës romake Epirus vetus) kanë hedhur dritë të re rreth situatës etnike të Epirit gjatë epokës helenistike dhe të sundimit romak. Është interesant të theksohet edhe fakti që edhe disa emra fisesh ilire i gjejme po si emra fisesh (bojtë, autariatët, amantët, atintanët, helopët etj.) në rajone të tjera të Ilirisë por jo në trojet greke.

Këtu unë do t’i rekomandoja z. Hernandez të përfitonte nga metoda dhe vështrimi depërtues i arkeologut gjerman Frank Daubner, që është marrë me shqyrtimin e mbishkrimeve te Butrintit. Nga ato mbishkrime ne mësojmë se edhe pas shekujsh kolonizimi grek e romak organizimi shoqëror i fisit kaon të prasaibëve dhe kryeqendrës së tyre, Butrotit (Butrintit), një koloni e mirënjohur fillimisht greke e më vonë romake, kishte ruajtur akoma rigorozisht fisnor, në dallim të theksuar nga organizimi shoqëror i polisit grek. Këto zbulime i dhanë një goditje të fortë pikëpamjes, deri sot mbizotëruese, se në lashtësi epirotët mund të ishin “helenizuar” dhe mbështesin pikëpamjen e kundërt se jo popullsia e Epirit, por edhe popullsia e kolonive greke romake si Butrinti kishin ruajtur strukturën e tyre origjinale fisnore “barbare”. Pas analizës së strukturave shoqërore epirote, bazuar në përmbajtjen e mbishkrimeve prasaibe (prasaibët ishin një nënfis kaon) ai konkludon: “Këto struktura flasin kundër teorisë se urbanizimi i shekujve IV dhe III p.e.s. u shoqërua me një lloj helenizimi të zakoneve, sjelljeve dhe traditave. Kjo nuk duket aspak të jetë e vërtetë” (14).  Vetë emri i qytetit port të Butrotos (Bouthrotos), që priti në fillim kolonistë grekë e më vonë romakë, evoluoi në Butrint, sipas regullave fonetike të shqipes, duke përjashtuar çdo ndërmjetësim të greqishtes, latinishtes ose italishtes (15). Në një përfundim të ngjashëm kishte arritur shumë shekuj më parë Tukididi që tregon se në kohën e Luftës së Peloponezit, fiset epirote, kaonët e thesprotët, të cilët morën pjesë në atë luftë, kishin një organizim shoqëror tipik fisnor; ata nuk kishin mbret, por priheshin nga udhëheqës që zgjidheshin çdo vit ndër antarët e klaneve drejtuese të fiseve të tyre (16).

Natyrisht, arkitektura dhe jeta e epirotëve fqinjë të grekëve u ndikua nga kultura dhe arti grek. Por ky ndikim nuk ndryshon etnicitetin e një populli. Dihet mirë se arkitektura dhe arti grek i lashtësisë ndikoi thellë në tërë botën mesdhetare dhe gjurmët e tij i gjen në të gjitha vendet e Lindjes së Afërme, të Afrikës Veriore, të Spanjës, Francës Jugore (Marseje), Italisë (Magna Grecia) deri në Venetik e, përtej botës mesdhetare, deri në Krime, por do të ishte e pamatur të besohet se kolonët grekë shndërruan etnicitetin e qyteteve ku u vendosën si kolonë.

Lista e autorëve që kanë njohur përkatësinë ilire të epirotëve ëhstë shumë e gjatë për ta sjellë në këtë shkrim (17).

Nuk ka dyshim se z. Hernandez e di se francezët, spanjollët, palestinezët, egjiptianët, libanezët, sirianët, libianezët, italianët dhe tartarët në kolonitë greke nuk u helenizuan. Por, me siguri, në qoftë se ai do t’i qasej problemit në mënyrë të gjithanshme dhe shumëpërmasore, duke shqyrtuar materialin relativisht të pasur gjuhësor, historik, etnografik, mitologjik, folklorik të Butrintit dhe rajonit përreth dhe jo të mbështetej vetëm në të dhëna arkeologjike nuk do të arrinte në përfundimin e tij joshkencor të karakterit etnik të banorëve të Butrintit. Etniciteti nuk mund zbulohet asnjëherë vetëm nga ndërtimet, arkitektura dhe arti që zbulojnë arkeologët në rrënojat e Butrintit.

Le të kujtojmë mënyrën si u përhap nga SHBA në të gjithe botën ndërtimi nga fundi i shekullit XIX e filllimi i shekullit XX i qiellgërvishtësve shumëkatsh (më vonë edhe arti, kultura e mënyra e jetesës amerikane) në të gjitha kryeqytetet e botës. Le të përfytyrojme pastaj një studiues që, disa shekuj më vonë duke parë këtë ndikim, të arrinte në përfundimin se banorët e atyre kryeqyteteve, duke përfshirë Tiranën tonë, kishin humbur identitetin e tyre etnik dhe ishin amerikanizuar !!!!!!!!!!).

Është vetëm për të ardhur keq që ende sot të ketë njerëz që, duke braktisur arsyen e shëndoshë, venë në dyshim përkatësine iliro-shqiptare të Butrintit.

Referencat

1.      Mommsen, T. (1854). Römische Geschichte I. Weidmannsche Buchhandlung, Leipzig, f. 257: “…die tapfern Epeiroten, die Albanesen des Alterthums, hingen mit angestammter Treue und frischer Begeisterung an dem muthigen Jüngling, dem ‚Adler‘, wie sie ihn hiessen.”.

2.      Thucydides The History of the Peloponnesian War III, 94, 5.: “μετὰ  τούτους Εὐρυτᾶσιν ὅπερ μέγιστον έγιστον μέρος τῶν Αἰτωλῶν, ἀγνωστότατοι δὲ γλῶσσαν καὶ ὠμοφάγοι εἰσίν”.

3.      Thucydides. Po aty, II, 68, 5: “ὑπὸ ξυμφορῶν δὲ πολλαῖς γενεαῖς ὕστερον πιεζόμενοι Ἀμπρακιώτας ὁμόρουςὄντας τῇ Ἀμφιλοχικῇ….).

4.      Strabo Geography VII, 7, 8.

5.      Hesychii Alexandrini Lexicon. 1867. Sumptibus Hermanni Dufftii (Libraria Maukiana), f. 291, f. 372.

6.      Strabo Geography VI, 2, 5: “Ndërkohë që ishte nisur për Siqeli, Arkiasi la Chersicratin, një prijs i fisit të heraklidëve, që me një pjesë të ekspeditës të vendoseshin në ujdhesën që sot quhet Korkyra.” (“πλέοντα δὲ τὸν Ἀρχίαν εἰς τὴν ικελίαν καταλιπεῖν μετὰ μέρους τῆς στρατιᾶς τοῦ τῶν Ἡρακλειδῶν γένους Χερσικράτη συνοικιοῦντα τὴν  νῦν Κέρκυραν καλουμένην, πρότερον δὲ Σχερίαν. ἐκεῖνον μὲν οὖν ἐκβαλόντα Λιβυρνοὺς κατέχοντας οἰκίσαι τὴν ν-νῆσον”.

7.      Ceka, N. 2002. Buthrotum: Its History & Monuments. Tirana: Cetis Tirana. f. 19.

8.     Thucydides Po aty. I, 47: “ἦσαν δὲ καὶ τοῖς Κορινθίοις ἐν τῇ ἠπείρῳ πολλοὶ τῶν βαρβάρων παραβεβοηθηκότες: οἱ γὰρ ταύτῃ ἠπειρῶται αἰεί ποτε αὐτοῖς φίλοι εἰσίν.”

9.     Xhufi, P. 1994. The Ethnic Situation in Epirus During the Middle Ages. Studia Albanica  /2, 41-58.

10.   De Martoni, N. (1394-1395). Pelegrinage a Jerusalem de N. de Martoni: Notaire italien. Revue de l’Orient latin, vol. 3, Paris, f. 662.

11.  Hesychii Alexandrini Lexicon. f. 380

12.   Mpalaska, E., Oikonomou, A., Stylios, C. Women in Epirus and their social status from ancient  modern times. Community Initiative Programme. Interreg IIIA Greece-Italy 2000-2006.

13.   Keferstein, C. 1849. Ansichten über die keltischen Alterthümer. Schwetschke, Halle, f. 409: “auf das Volk selbst wenig Einfluss hatte”.

14.   Daubner, F. (2014). Epirotische Identitäten nach der Konigszeit. In Athen und/oder Alexandreia?: Aspekte von Identität und Ethnizität im hellenistischen Griechenland. 99-124. Thucydides The Peloponnesian War II, 80, 5.

15.   Thucydides The Peloponnesian War II, 80, 5.

16.   Çabej, N.R. 2014. Vazhdimësi Iliro-Shqiptare në Emrat e Vëndeve.  Fan Noli, Tiranë, f. 62-64.

17.    Cabej, N.R. Epirotët – Shqiptarë të Lashtësisë Fan Noli, Tiranë [shih dhe botimin anglisht Epirotes – Albanians of Antiquity. Albanet Publishing, Dumont, NJ.

M.T/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Basha me kampionin e boksit Mario Cani: Shqiptarët kërkojnë mundësinë, shkëlqimin dhe suksesin e arrijnë vetë

Basha me kampionin e boksit Mario Cani: Shqiptarët kërkojnë mundësinë, shkëlqimin dhe suksesin e arrijnë vetë