Pavarësisht angazhimit të ri si drejtor i QKKF, Erion Isai thotë se projektet e tij me aktorin Bes Kallaku do të vazhdojnë dhe se nuk ka ndërmend të ndahet nga miku i tij i ngushtë. I ftuar në emisionin Rreze Dielli në Report Tv mëngjesin e sotëm ai është shprehur se bashkëpunimin me Besin nuk do ta ndërpresë dhe dyshja do të rikthehet shumë shpejt me një projekt të ri.
Do kemi lajm shumë shpejt në këtë aspekt. Angazhimin tonë nuk do ta ndërpresim, se si do të jetë ky angazhim do ta themi shumë shpejt.
Erion Isai, drejtor i përgjithshëm i QKKF
I pyetur nëse do të jenë sërish bashkë , drejtori i QKKF, Erion Isai, i përgjigjet shkurt “ Po, Besi është miku im më i veçantë.”
Erion Isain që të gjithë e njohim kryesisht për batutat në shfaqjen e humorit “Portokalli”, ka vetëm pak javë që është në krye të Qendrës Kombëtare të Kulturës për fëmijë.
Ndër të tjera , përgjatë emisionit Isai ka thënë gjithashtu se tashmë Teatri i Kukullave do të ketë një ndryshim radikal duke sjellë projekte e shfaqje të reja. Përgjatë këtij muaji Teatri i Kukullave është duke zhvilluar edhe një tur veror me shfaqje për fëmijë në të gjithë Shqipërinë duke dashur të shkojë sa më afër fëmijëve edhe në periudha pushimesh.
Erion Isai në studion e "Rreze Dielli"
Isai i bëri thirrje gjithashtu shumë prindërve që të mos harxhojnë para për të çuar fëmijët në kurse , por mund ti dërgojnë në ambientet e reja të QKKf ku zhvillohen një numër i madh kursesh , dhe kapaciteti është tepër i madh.
QKKF ka qenë në bodrum, jo një vend i papërshtatshëm, por i rrezikshëm për jetën e fëmijëve.Tashmë është vendosur në një vend shumë më të mirë në kinostudio. I bëj thirrje prindërve të mos harxhojnë para për kurse. Me vetëm 15000 lekë të vjetra mund të bësh një numër të madh kursesh. Do të shtojmë ne profesorët dhe kapacitete do të ketë. Vendi në kinostudio ka parametra dinjitoze, me kushte europiane.
Erion Isai, drejtor i përgjithshëm i QKKF