Serbia ka shprehur pakënaqësi ndaj vendimit të UEFA-s për ndeshjen e ndërprerë mes Serbisë dhe Shqipërisë duke thënë se do të apelojë vendimin, ashtu si Federata Shqiptare e Futbollit.

Ndonëse me tone më të qeta se ditët më përpara, mediat serbe janë përqendruar më tepër tek humbja e 3 pikëshit, sesa tek fitorja 3-0 e ndeshjes që nuk u luajt deri në fund. Sipas të përditshmes “Blic”, vendimi ishte i ashpër për serbët, pasi u provokua nga shqiptarët.

Ndërsa B92 shkruan: “Serbia e ka fituar ndeshjen e pandërprerë me 3 pikë në tavolinë sepse skuadra shqiptare ka braktisur ndeshjen, por i janë hequr ato për shkak të dhunës në stadium”. Ndërsa një tjetër agjenci lajmesh serbe, “Kurir” tha:

“Serbia fitoi ndeshjen kundër Shqipërisë 3:0, por ne privohemi nga 3 pikë”. Tanjug ka dalë me titullin: “3-0 për Serbinë, por ne privohemi nga 3 pikë”. Pothuaj të gjithë mediat janë të pakënaqur pasi me vendimin e UEFA-s, Serbia ka fituar ndeshjen, por nuk i merr 3 pikët.

Redaksia Online