Edhe vezën sot, edhe pulën nesër?

Edhe vezën sot, edhe pulën nesër?
Në një tubim në Ferizaj njëri prej drejtuesve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! i shtroi pyetjen qytetarëve nëse po kërkonin “vezën sot apo pulën nesër”. Kësaj pyetjeje njëri prej qytetarëve iu përgjigj duke i thënë se i donin të dyja - edhe vezën sot, edhe pulën nesër - dhe votën e tyre do ta përdornin pikërisht për t’i marrë të dyja. Por në Ferizaj dolën të votonin më pak se 30% e votuesve të komunës, pjesëmarrja më e ulët në zgjedhjet lokale në këtë komunë që prej përfundimit të luftës. Nëse ruajmë të njëjtën simbolikë, duket se pjesa dërrmuese e votuesve abstenoi sepse nuk besojnë se mund ta marrin as “vezën” sot e as “pulën” nesër prej subjekteve aktuale politike, përfshirë këtu Lëvizjen VETËVENDOSJE! Çfarë po ndodh? Kjo situtatë thërret për një lloj analize të jashtme dhe të brendshme për Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Fillimisht ia vlen të analizohet nga lind kërkesa për “vezën” sot në shkëmbim të votës? Kërkesa për vezën sot është rezultat i dy proceseve që kanë ndikuar në mënyrë të barasvlefshme qytetarët e Republikës së Kosovës. Procesi i parë ka të bëjë me situatën në të cilën pushteti e ka vendosur popullin: një gjendje e mjerueshme pa mundësi ekonomike për të dalë nga varfëria. Në Ferizaj, jo vetëm që ka varfëri ekstreme por shumica e qytetarëve shtrëngohet të zgjedhë njërën mes katër rrugëdaljeve të dhimbshme: 1. Emigrimi jashtë Kosove drejt Perëndimit, që në vetvete nënkupton një lloj dhune pasi i detyron njerëzit të largohen nga vendlindja, familja dhe miqtë e tyre, drejt një bote dhe kulture që e njohin shumë pak, e që edhe për shkak të krizës së fundit ekonomike nuk është duke i pritur krahëhapur (ky mbase është edhe zbërthimi i vërtetë i kuptimit të sloganit të PDK-së “Për Ferizajn Evropian”); 2. Punësimi në Irak ose në Afganistan, që nënkupton rrezikimin e menjëhershëm të jetës për çështje tashmë të diskredituara, ndërkohë që shumica e vendeve të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, po përpiqen të gjejnë mënyrën për t’u larguar sa më parë për të evituar vrasjen e ushtarëve, kostot ekonomike dhe ato politike; 3. Përfshirja në aktivitete kriminale nga droga deri te kontrabanda dhe prostitucioni; dhe 4. Përfitimi i menjëhershëm, jo i rregullt, nga paraja publike për të hequr ndonjë shpenzim të domosdoshëm për mbijetesë, për të siguruar një banesë me kushte elementare, ose për t’u punësuar në administratën shtetërore përmes sistemit klientelist farefisnor (kjo është veza sot).

Procesi i dytë ka të bëjë me shfrytëzimin që pushteti i bën gjendjes që vetë e ka krijuar. Nga katër rrugëdaljet e paraqitura më lart, secila e dhunshme në llojin e vet, njerëzit kërkojnë më shpesh të katërtën, atë më pak të dhimbshmen, kërkojnë nga pushteti vezën sot, pra mbijetesën. E nuk është faji i tyre. E tillë është gjendja në të cilën pushteti i ka lenë të jetojnë, një gjendje ku populli nuk ka parë asnjëherë drejtësi e ku shumicës i mohohen edhe të drejtat bazë për të patur një jetë minimalisht dinjitoze. Subjektet politike e kanë të qartë këtë. Për pasojë, përveç Lëvizjes VETËVENDOSJE!, asnjë prej subjekteve të tjera nuk harxhoi energji për të hartuar e për të botuar një program qeverisës për zgjedhjet në Ferizaj. “Veza” është premtimi i vetëm që subjektet politike në Kosovë mund të mbajnë, e vetmja zgjidhje që i japin njerëzve sot, në mënyrë që t’i skllavërojnë nesër, duke i bërë bashkëfajtorë në korrupsion dhe për më shumë duke i bërë të ndihen edhe në borxh. Nëse dikush nga klientela refuzon të hajë “vezën” atëherë hyn në lojë shantazhi dhe kërcënimi individual, që jep në fund të njëjtin rezultat. E në këtë vorbull ata që e hanë “vezën” sot tërheqin me vete edhe familjen e tyre të zgjeruar.

Nëse Lëvizja VETËVENDOSJE! do zgjidhte të njëjtën rrugë si subjektet e tjera për të fituar vota, atëherë nuk do të kishte asnjë arsye pse Lëvizja të vazhdonte të ekzistonte. Ata kanë më shumë përvojë në këtë drejtim, më shumë para dhe e bëjnë këtë punë më mirë se ne. Nëse Lëvizja do të mashtronte dhe do të premtonte se do të shpërndante “vezë” lart e poshtë, do të përfundonte duke riprodhuar të njëjtin sistem shtypës. Në këto kushte edhe koalicioni i Lëvizjes më subjektet e tjera kryesore politike do të përbënte maskaradën e radhës, dhe humbjen e shpresës për dhjetra mijëra njërëz. Megjithatë, nësë kjo analizë na bën të kuptojmë arsyen pse PDK-ja doli e para duke marrë mbështetjen e klientelës së saj, ajo nuk na ndihmon të kuptojmë pse shumica as nuk doli në votime.

Duhet pranuar se deri diku Kamishi dhe makineria e shpifjeve qeveritare ia ka arritur qëllimit të krijojë një perceptim se të gjitha subjektet janë njësoj, me argumentimin jo që PDK-ja është e pastër, por që edhe të tjerët nuk janë më mirë. Por deri këtu analiza mbetet ende tepër e cekët. Përqëndrimi i energjive tona në institucione ka rezultuar në pak fitore legjislative për vetë faktin se në Kuvend ne na mungojnë numrat, ndërsa subjekteve të tjera të pakicës i mungon vullneti politik për të bërë opozitë jashtë suazës së planit Ahtisaarit. Organizimi ynë, pasi ka kaluar vetëm një vit që prej zgjedhjeve të para të brendshme, edhe pse është një organizim energjik është ende në konsolidim e sipër. Po t’i rikthehemi kritikës së brendshme jemi marrë me shumë çështje njëkohësisht, pasi të shumta janë edhe hallet e Kosovës, por nuk duhet të harrojmë se shumica e këtyre problemeve burojnë pikërisht nga mungesa e të drejtës për vetëvendosje. Do duhej që mesazhin tonë politik ta zhvillonim një hap më tej duke qartësuar edhe me shumë lidhjen midis mungesës së të drejtës për vetëvendosje dhe pabarazisë ekstreme që është krijuar në Kosovë.

Problemi nuk është se ne jemi larguar nga çështja e bashkimit kombëtar, sipas ndonjë kritike që është hedhur kohët e fundit, por që nuk e kemi lidhur mjaftueshëm këtë çështje me rrënimin ekonomik dhe shtypjen e popullit. Kombi nuk është thjesht një afilim gjuhësor, apo etniko-kulturor. Të pretendosh se je pjesë e projektit politik kombëtar thjesht për shkak të afilimit gjuhësor dhe etnik është në të vërtetë një farsë sa kohë individi nuk bëhet pjesë e projektit politik për vetëvendosje të popullit. Gjuha dhe etnia nuk janë detyrimisht elemente unifikuese. Dëshmi për këtë mungesë unifikimi në të kaluarën kanë qenë kolaboracionistët me kolonizatorët Serbë. Sot, prova që gjuha dhe etnia nuk janë vetvetiu unifikuese për projektin politik kombëtar për vetëvendosje të popullit, janë bashkëpunëtorët me ata ndërkombëtarë që sundojnë mbi popullin e Kosovës, apo edhe klientela (ajo që sot dominion aparatin shtetror administrativ, dhe bizneset e lidhura përmes tenderëve) e pushtetarëve të Kosovës që kanë përshtatur politikat e tyre në përputhje të plotë me planin e Ahtisaarit. Kompleksiteti i dominimit dhe shtypjes nuk mund të zbërthehet nëpërmjet analizës së një elementi të vetëm siç është shtypja e identitetit kombëtar mbi baza etnike dhe gjuhësore, pasi diagnoza duhet të kalojë edhe nëpërmjet trajektores së analizës mbi baza klasore. Kjo analizë dhe rezultatet që burojnë prej saj i ka munguar Lëvizjes. Kjo analizë bën dallimin midis masave të shtypura dhe të varfëra nga njëra anë, dhe nga ana tjetër atyre që përfitojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga kjo shtypje duke ruajtur gjendjen që i mohon popullit të drejtën për vetëvendosje, dhe rrjedhimisht edhe potencialin për rritjen e mirëqenies ekonomike mbi baza më të barabarta.

Në fund, po t’i kthehemi proverbit, mbase mbetet ende e paqartë se cila është “pula”. “Pula”, janë pronat dhe ndërmarrjet publike të Kosovës, ato që po nxirren dhe janë nxjerr jashtë funksionit e presin të privatizohen në këmbim të një çmimi qesharak, e ato që tashmë janë privatizuar në mënyrë skandaloze, duke çuar në plot raste drejt falimentimit. “Pula” janë tokat e pambjella anembanë Kosovës për shkak se kjo qeveri jo vetëm që nuk e stimulon prodhimin vendor me subvencione, por as nuk e mbron atë nga produktet e subvencionuara nga jashtë që kanë vërshuar tregun edhe nga një shtet armiqësor si Serbia. Nëse nuk e bëjmë të qartë dhe nuk e lidhim çështjen kombëtare për vetëvendosje të popullit me ndërgjegjësimin dhe aksionin politik kundër shtypësve të jashtëm dhe të brendshëm, atëherë babëzia e atyre që janë në pushtet rrezikon ta lërë “pulën” jo vetëm pa mish, por edhe t’ia thithë palcën e kockave. Mbase edhe pyetja e shtruar në tubim edhe përgjigja e qytetarit nuk çojnë drejt zgjidhjes për hallet e këtij populli. Duke ruajtur fjalët e proverbit, por duke i ndryshuar vendin në fjali, ajo për të cilën ne duhet të luftojmë është që të kemi “pulën” sot në mënyrë që “vezët” t’i kemi të siguruara për nesër. Kjo është rruga më e gjatë, më e lodhshme, por e vetmja për të cilën ende ia vlen sakrifica dhe angazhimi.

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin