Madje dhe në lidhje me ligjëbërjen, Rama theksoi se më mirë të shtyhen ligje për të arritur më të mirin, se sa të dilet me një draft të papranueshëm siç dhe vepronte qeveria e shkuar. Ndërkohë kreu i parlamentit Ilir Meta e ka vënë theksin në rolin që duhet të ketë secila forcë politike.
Integrimi
“Sfida jonë është kalimi në një fazë të re të jetës së institucioneve dhe ndryshimi i rolit të institucioneve në funksion të qëndrueshmërisë se shtetit dhe të zbatimit të ligjeve”, nënvizoi Rama. Sipas tij, shqiptarët do të respektojnë ligjin ashtu si dhe bëjnë jashtë shtetit. “Është shumë e vështirë ta imagjinosh një shqiptar që t’i japë makinës pa rrip sigurimi në Gjermani, por nuk është e vështirë që të imagjinosh një gjerman që nuk e vë rripin e sigurimit në Shqipëri”. Shkak për këtë, sipas Ramës, është fakti se njeriu zbaton rregullat sipas sistemit të vendit ku dhe është.
Ballkani
Por integrimi, për kryeministrin shqiptar, duhet të jetë dhe për Kosovën. Kjo duke pasur dhe pikë mbështetjen se ballkanasit për t’u integruar kanë vendosur vullnetin e bashkëpunimit. “Sepse Ballkani e ka treguar se luftën e ka shumë më të lehtë sesa paqen”, tha Rama. Për të me një Ballkan aty tek dera, me derën mbyllur, Bashkimi Europian është shumë më pak i sigurt.
“Besoj shumë që, ashtu sikundër, me të drejtë, Bashkimi Europian i dha Serbisë hapjen e negociatave, duhet t’i japë Shqipërisë statusin e kandidatit, duhet t’i japë Kosovës lirinë për të lëvizur”. Madje për Kosovën, Rama e cilësoi si një absurd më vete, pasi kur ishin në diktaturë lëviznin dhe shkonin ku të donin, ndërsa tani që janë të pavarur duhet të rrinë brenda se nuk kanë viza.
Gjithashtu kryeministri kujtoi se ballkanit i janë dashur 100 vite konflikte, nga lufta e parë Botërore, për të arritur në një moment paqeje. Dhe kjo jo: “Se pa pritur e pa kujtuar ramë në dashuri me njëri- tjetrin, por sepse të gjithë së bashku i vumë vetes perspektivën europiane mbi trashëgiminë e konfliktit”.
Kryeparlamentari
Për kreun e Kuvendit Ilir Meta Integrimi në Bashkimin Europian është një qëllim kombëtar. Ndaj ai shtoi se asnjë forcë politike nuk duhet të pengojë në arritjen e këtij objektivi madhor. “Përkundrazi duhet të shtojë kontributet në mënyrë që ky proces të përshpejtohet.
Aderimi në BE duhet të shihet si një përpjekje e përbashkët për të ecur përpara së bashku dhe si një proces i cili është dobiprurës për të gjithë ne qytetarët e këtij vendi”, nënvizoi ai duke kërkuar bashkëpunimin pozitë-opozitë. Ndërsa ka theksuar se vetë rregullorja parlamentare, e ndryshuar në fund të mandatit të qeverisë demokratike, jap dhe më shumë garanci në funksionimin e parlamentit konform standardeve të BE.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)