Për herë të parë kryeministri Edi Rama ka komentuar skandalin me çështjen Dajti, ku gjyqtarët i hoqën dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e 4 policëve, pasi i pranuan gjykimin e shkurtuar.

Kryeministri i ka quajtur gjyqtarët njerëz të ligj dhe të korruptuar, por që nuk do të mund të shpëtojnë nga reformimi i sistemit gjyqësor.

"Kriminelë me kostum dhe me kravatë", i quajti ai më tej, teksa tregoi vendosmëri se qeveria nuk do të ndalet në betejën që ka nisur edhe ndaj këtij vendimi skandaloz ku deri më tani është kërkuar shkarkimi i gjyqtarëve.

"Njerëz të ligj dhe të korruptuar të cilët nuk janë vetëm ata po janë plot që duke parë se ju ka ardhur fundi në sistemin e drejtësisë po i bien me top. Po kryejnë një akt kriminal, se faktikisht i rivranë 4 policët. Ne nuk do ti ndahemi kësaj çështje që ta zhbëjmë duke bërë të gjithë presionin e nevojshëm por edhe këta gjykatës besoj nuk do t'ja dalin të shpëtojnë kaq lehtë

Më ka ardhur keq për atë që ka ndodhur por nga ana tjetër janë gjëra që nuk më çudisin sepse ne kemi ndërmarrë një reformë të thellë si askush nuk e ka menduar për të pastruar kancerin nga gjithë organizmi i sistemit tonë të drejtësisë duke shkulur nga trupi i sistemit tumore dhe metastaza", u shpreh kreu i qeverisë.

Përpara se të arrestohej në vitin 2009, Dajti i pati shpëtuar disa herë arrestimeve, por në publikimet e kabllogrameve Wikileaks, ngrihen dyshime të forta se këtyre arrestimeve, Dajti u ka shpëtuar me ndihmën e Agron Kuliçajt, ish drejtorit të policisë së shtetit në qeverinë Berisha dhe më herët ish truproja personale e ish Kryeministrit. Këtë detaj të publikuar edhe një ditë me parë në Shiptarja.com e përmendi edhe kryeministri Edi Rama në fjalën e tij gjatë takimit me banorë të Rrëshenit.

"Drejtësinë e drejtë e kanë penguar politikanë dhe prokurorë si këta. Më akuzojnë se Dritan Dajti kishte lidhje me mua, ndërkohë që që në kabllogaramët dhe raportin e ambasadës amerikane është e shkruar se vrasësi është i lidhur me Saliun. Këtu kthehen përmbys dhe zien kazani çdo natë me gjithfarë shpifjesh dhe monstruozitetesh duke dashur të dëshpërojnë njerëzit. Këta njerëz kriminelë me kostum dhe kravatë nuk ndalen sepse janë mësuar 30 vjet të bëjnë të njëjtën gjë duke vjedhur qytetarët, rivrarë të vrarët dhe përdhunuar vajza të reja.

 

Reformën e kemi bërë me shpejtësi të madhe por çdo gjë ka kohën e vet. Një shtet i së drejtës nuk mund të ndërtohet sa hap e mbyll sytë. Vetingu po largon peshkaqenë nga ky sistem. Në këtë fazë reforma është pastrim dhe ndërtim i sistemit të ri, do merret me ta dhe me këdo", - tha Rama.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj i kërkoi zyrtarisht Këshillit të Lartë Gjyqësor të nisë hetimin disiplinor për pesë gjyqtarët e Apelit të Krimeve të Rënda, të cilët më 8 shkurt të këtij viti shpëtuan Dritan Dajtin nga burgu përjetë dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë.

5 gjyqtarët pranuan kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar duke vendosur ta dënojnë me 25 vite burgim.

Dritan Dajti është  gjetur fajtor për vrasjen e katër policëve në gusht 2009 në Durrës, dhe është dënuar me burgim të përjetshëm.

5 gjyqtarët për të cilët është kërkuar të shkarkohen

Fuat Vjerdha, kryetar i Gjykatës së Apelit në Shkodër

Lindita Hoxha gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër

Aleks Nikolli, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër

Petrit Aliaj gjyqtar i Apelit në Vlorë

Skënder Damini, gjyqtar i Apelit në Vlorë