Tiranë, 7 Shkurt / ATSH - Nga data 10-25 prill, do të zhvillohet Festivali Ndërkombëtar I Filmit për Fëmijë e adoleshentë "Giffoni Shqipëria".
Për të dhjetin vit me radhë, filmi për fëmijë do të stacionohet në Shqipëri.
Ditën e djshme, në një konferencë për shtyp, organizatorët ndanë detajet e këtij edicioni jubilar.
Ashtu si edhe në edicionet e shkuara, festivali do të dalë tej kryeqytetit, duke çuar filmin e munguar edhe në qytete si Elbasani, Shkodra, Durrësi e Korça.
Sipas drejtorit ekzekutiv të këtij festivali, në Shqipëri, Namik Ajazi, edicioni i sivjetshëm do të jetë edhe më i veçantë, duke qenë që ky aktivitet mbush 10 vjeç, por njëkohësisht, përkon me 45 vjetorin e Giffoni Film Festival.
Drejtori artistik i "Giffoni Film Festival", Claudio Gubitosi dhe drejtori i "Giffoni Shqipëria", Namik Ajazi.
"Edicioni i këtij viti është konceptuar si një festë, ku veç filmave në konkurim, do të ketë edhe një përmbledhje të filmave më të mirë të shfaqur në edicionet e festivalit ndër vite dhe që janë vlerësuar me çmime", u shpreh Ajazi.
Ndërkohë që paralel me festivalin do të zhvillohet një workshop për studentët e kinemasë.
Përgjatë 10 ditëve festival do të ketë garë, restrospektivë, diskutime, si edhe një koncert përmbyllës.
Por festivali shërben edhe për të kujtuar, për t'I bërë homazh atyre që nuk jetojnë më dhe për të sensibilizuar mbi vlerën e paçmueshme të jetës, tonën dhe atë të tjetrit.
Një nga ditët e festivalit do t' i kushtohet Ation Zhitit, i cili humbi jetën në mënyrë tragjike dhe ka qenë një nga anëtarët e jurisë së GFF, 3 vjet më parë.
/k.m/ /a.g/









