16 vjet në opozitë është një kohë aq e gjatë sa do ja kishte sosur durimin, francezëve, rusëve, mongolëve, kubanëve, kinezëve, dhe do i kishin hequr zvarrë të gjallë Napoleonin, Stalinin, Xhengis Khanin, Fidel Kastron, Mao Ce Dunin.
Doktori i ka bërë aq vjet, do bëjë edhe të tjera, dhe nuk e prek njeri me thua.
Doktori ka një mijë arësye të mos largohet.
Vetëm të kujtosh çfarë përpjekje titanike iu deshën për udhëtimin pa viza nëpër Europë dhe hyrjen në NATO. U ndesh dhëmb për dhëmb në një përballje titanike me Perëndimin e pashpirt dhe dinak që nuk ishte kurrsesi dakord. Ja arriti falë vullnetit demoniak kalitur në kudhrat e Partisë së Punës. Çka mjafton e tepron si meritë që i jep të drejtën e plotë të mos i zbesë kurrë azganit.
Luftën e shenjtë me mullinjtë e erës e braktisin, dhe nga kali zbresin, vetëm spurdhjakët, liliputat, teknefezat. Ata që nuk dinë, as nuk guxojnë, me luftu. Jo Doktori ynë i hurit e litarit që di vetëm me vra e me pre, me rraf e me përgjak, me ndez e me djeg, gjithçka që i fanepset sikur ja prek sadopak pushtetin autokratik.
Largohet nga politika dikush që s'e ka talentin e duhur për me rrejt. Por kurrë nona dhe baba i mashtrimit, gjyshi i intrigës, xhaja i dallaveres, ai që çdo gërmë e ka hile, çdo rrokje intrigë, çdo fjalë rrenë, Doktori ynë.
S'e ka problem me ik nga politika, edhe ndonjë tutkun që s'di as me vjedh as me fsheh. Por jo Doktori, gjeniu i vjedhjes, patriarku i fshehjes, sulltani i dhurimit, qokaxhiu i bërjes rrush e kumbulla të pareve publike të vjedhura me eskavator dhe buldozer. S'ka pse ikën nga politika hajduti i blerjes me pare të vjedhura të vilave dhe bizneseve nëpër botë. Poseduesi dhe shpërdoruesi i miliona dollarove të shqiptarëve që i hedh andej-këndej për të gjetur diluentin e duhur për heqjen e njollës Non Grata, pa i lëviz qerpiku, as nervi, edhe kur fal me një dorë, aq sa, me laçkë e plaçkë, bëjnë të gjitha fshatrat e një komune në Librazhd.
Ikën nga kryetarllëku ndonjë pispilluq që s'di me rraf. Por jo Doktori që rrrahjen e ka ngrit në Art dhe e zbaton sipas parimit:
Ai që rreh, por gjatë rrahjes viktimës nuk i rrjedh gjak, nuk i thyen së paku katër brinjë, nuk i shkakton të paktën tre prerje në fytyrë si të Tony Montanës, nuk i thyen tre dhëmbë, nuk i quhen rrahje por gudulisje, nuk i llogaritet dhunë por ledhatim, dhe për pasojë, nuk i njihet asnjë meritë, nuk i jepet asnjë shpërblim, nuk i hidhet asnjë kockë, nuk i premtohet asnjë vend pune, për shembull në doganë, ku të vjedhi sa të dojë.
Ai që këto kushte për rrahje i plotëson më së miri, pra Doktori, ska pse ja lëshon kolltukun asnjë ngordhalaqi që e zë gjaku vetëm nga një thikë në fyt, një çizme ushtari në bark, apo një përplasje koke pas muri.
E braktis kryetarllëkun, gjithashtu, kush nuk di me vra. Kush di me vra, nuk ikën, rri. Ata 26-ët e Gërrdecit dhe 4 të 21 janarit janë një pikë uji në detin e gjakut të mijëra të vrarëve më 97-ën kur barraka që Doktori ngriti iu rrëzua e iu bë pluhur e hi te këmbët brenda një dite. S'iu bind asnjë ushtar, asnjë oficer, asnjë nëpunës, askush. Mirë bëri Doktori që nuk zbriti nga kali asokohe. Kush guxonte me e lënë shejtanin të dilte nga shishja ? Asnjë ! Veç Doktori.
Janë liderat qullacë, butakë, ngordhalaqë ata që ikin edhe nëse 1 i vetëm nuk i do, nuk i pëlqen, nuk i sheh dot me sy. Doktori nuk është nga ata. Doktori, edhe pse e di që nuk e duan 1 milionë, nuk lun nga istikami i komunistit si Oso Kuka m'vaktit, dhe hiç nuk i zbret pelës.
Doktori, me manovrimet e tia nepotiste, regjionaliste, klienteliste, mercenariste, ngriti shtetin e rrugaçave, gangsterave, injorantëve, që e zunë Shqipërinë për fyti njësoj si Doktori kryetarllëkun. Dhe Kurrë më si Korbi i zi i Poes s'ka për ta lëshuar. Mirë bëri Doktori që pushtetin e halabakëve e vuri si shkëmb në mes të rrugës drejt progresit. Nuk meritojnë më tepër shqipet e malit që nxjerrin zjarr nga goja dhe shkrepëtima nga sytë vetëm nëpër stadiume futbolli.
Ska pse largohet Doktori. E ka dëshmuar se e mban fjalën. Nuk e tradhtoi kurrë Partinë e Punës. Nuk e turpëroi kurrë Marksizëm-Leninizmin të cilit i dha Besën e Malësorit. I qëndroi besnik edhe në ditët më të zeza. Komunist me yll të kuq në ballë. Si me qen stërnipi i Stalinit dhe stërlëngu i Leninit. S'ka provë më heroike se kjo besnikëri. Prandaj hiç të mos largohet. Nga lufta nuk largohet Doktori. Nga lufta largohet veç ai që është lindur tradhtar, hija, geni, ADN-ja e Doktorit.
Që Doktori ja vodhi tokën pronarëve dhe ja fali ardhacakëve, ishte gabim. Por i falet. Të largohesh për kaq pak gjë, vetëm për shkak të qindra të vdekurve pas 7501 konflikteve për pronësinë e tokës, kësaj i thonë: Pordhi kali në derë të hanit. Zoti mos e dhëntë për dy pare spec ta braktisi luftën Doktori i Madhnueshëm.
Ka që po thonë se Doktori duhet të largohet se i iku jeta pas atyre të dashit që tunden por s'bien. Naivët që e thonë këtë, nuk e dinë se ato të dashit Doktori mund t'i hajë edhe pa rënë, aty ku janë. Kur dashi s'e ka mendjen. Po pushon. E ka zënë gjumi. Po sheh ëndrra. S'ka pse braktis kolltukun e hajdutllëkut Doktori dallavereve gjeniale pse dashit nuk ja ha dot ato që i tunden.
S'ka pse largohet Doktori. S'ësht' misionar, as shenjt, as lider. Është një rraqe politike më se banale, vulgare. Një diell i zi që nuk ngroh, as nuk ndrit, vetëm nxin. Që u fut tinëz në jetët tona. Kur Partia e Punës dhe Sërbia na e dhuruan pa ua kërkuar. Kur s'e kishim mendjen të dehur nga Liria. Kur e kuptuam hilen, por ishte vonë. Na penguan llafet e tepërta, ëndrrat që s'na u ndanë, gjumi që kurrë s'na doli.
Komente













Sa desha të thosha "më ke pëlqyer" dhe se"s'ke lënë gjë pa thënë," por si nuk mban gjë për vete, të tjerët janë fajtorë për të gjithë gjëmat që ka bërë. I duheshin vrasjet në Shkodër, i bëri, të tjerë u dënuan, këtij nuk i bie gjemb në këmbë, siç e thoni dhe ju Me aftësinë e Mefistofelit ( djall) e bën të zezën të bardhë. Më çudisin si individë të nderuar e të zotë e ndjekin me vite, duhet të lëvizin shpejt, të dalë një kapiten i zoti për ta vozitur anijen e PD
PërgjigjuSarkazem fine, pamflet per tu studjuar ne oren e letersise. Urime Edison, me ke pelqyer fort.
PërgjigjuNese dobesohet krahu i agjentures serbo-greko-ruse ne Shqiperi, prishet ekuilibri me agjenturen italo-tranko-amerikane; kete e di edhe SHISH dhe SPAK dhe GJKKO.
PërgjigjuTe lumte , ma ngope xhanin, nuk I ke lene gje pa thene Po kujt ja thua Ky edhe turpin e ka ngrene me buke Cdo gje e keqe eshte.bere nga ky dhe akoma shijon lirine e parate e vjedhura
Përgjigju