Mos më thuaj se e kam gabim që u nisa për të dytën herë brenda një stine në të njëjtin vend. Po e the këtë, gabon rëndë, ke humbur ndjeshmërinë, ke vdekur. Në Shqipëri, vendet janë aq tërheqëse, sa numri i vajtjeve nuk është kurrë i mjaftueshëm.

Pasi lë Voskopojën drejt Vithkuqit, më duket sikur nga çasti në çast mes peizazhit alpin, më këmbë ose mbi kalë, do më dalin përpara Mihal Grameno dhe Themistokli Gërmenji.

Këtë herë nuk pashë dy rilindas. Pashë dy mbretër: Gencin dhe Agronin.

I ftoj në makinë.

Janë oparakë, po venë ku jam nisur dhe unë, në Opar.

S'më duhet asnjë navigator, asnjë hartë. Dy mbretër kallauzë për në Opar më mjaftojnë e teprojnë.

Llaf e muhabet, dy mbretërit kallauzë vërshojnë me info për Oparin, historinë, ekonominë, klimën e të tjera e të tjera, duke konkurruar denjësisht Google-in me gjithë mburrjet e tij.

Rruga për Opar zbret tatëpjetë nëpër një luginë të gjelbëruar përgjatë një përroi.

Kallauzët vazhdojnë rrëfimet e tyre pasionante. Për shembull, për Voskopojën, vend i bukur dhe i freskët, por përveç pishave nuk rritet asnjë frut, mollë, dardhë, etj, ndërsa në Opar rritet gjithçka, nga nga dardha te kumbulla, nga molla te bananja.

Mes pishave, kthesave, shkëmbinjve, nisim e flasim për Oparin, të cilin të gjithë e dinë se ekziston, por të pakët janë ata që kanë vajtur, e kanë parë, e prekur, nuhatur aromat, dëgjuar muzikat. Opari është sqimatar. Nuk pranon çdokënd në gjirin e vet. Opari është si disa vende të shenjta në Tibet, ku për të hyrë duhet ta meritosh. Duhet të dëshmosh se nuk je zevzek, nuk je llafazan, rrenacak, hajdut.

Që Opari është selektiv, duket nga rrugët që të çojnë drejt tij, të cilat janë tre.

Njëra që vjen nga Vithkuqi ose Skrapari dhe hyn në Opar nga Çemerrica. E kalueshme, por e vështirë, e ngushtë, gropa, pellgje, gunga, pengesë divine për të mos lejuar çdokënd të hyjë në  Oparin e shenjtë.

Tjetra, nga Moglica. Thonë se dikush po e ndreq një shteg të vjetër për ta bërë rrugë. Ka nisur, por askush nuk e di kur do mbarojë. Ç'e do rrugën e makinave. Më i mirë shtegu i vjetër i mushkave. Nuk është mirë në Opar të hyjë lehtësisht kuçi e maçi, derri e dosa.

E treta dhe e fundit rrugë për Opar, me pyll me pisha, përrua, ajër të freskët, muhabet për masonë oparakë, gjuhë gjysmë të vdekura, është kjo me dy mbretër oparakë mbi Jeep.

U them mbretërve:

- Ore, ç'po llafosni ju të dy, se s'po u marr vesh çfarë po thoni?

- Po flasim Purisht - thotë mbreti Genc.

- Është gjuha jonë që nga kohët e vjetra - ja pret mbreti Agron. Në Purisht rakia quhet Krrackë. Po deshe të them dhe fjalë të tjera nga Purishtja...

- Jo, faleminderit. Tash e tutje do t'i dëgjoj me vëmendje ca që nuk i marr vesh në cilën gjuhë llafosen në Tiranë, ndoshta flasin Purisht, dhe duhet ta mësoj.

E nisin e më rrëfejnë për masonët, gurëgdhendësit oparakë, mjeshtër të njohur në krejt Ballkanin, mjeshtërinë e tyre, punët, vështirësitë, vendet ku ndërtonin, marrëdhëniet dhe gjuhën e tyre, që për nevojat e ushtrimit të zejes së gurëgdhendjes në vende të largëta dhe të panjohura, Purishten e shpikën vetë etj. etj.

Dy mbretër ilirë në shekullin e 21-të llafosen Purisht si disa shekuj të shkuar - nuk u besoj syve, as veshëve. Do kem rënë në kllapi, në jerm, në delir.

Jo mor jo, asnjë delir, asnjë jerm, asnjë kllapi.

Ja Gjergjevica. Në një zgavër mali. Si Dardha, por më e vogël. Sot, siç ka qenë ndër shekuj. E rindërtuar nga themeli. Me shtëpi të reja prej guri, avllira, oborre, kopshte, të tëra. Por bosh. Kanë ikur në Korçë, Tiranë, Amerikë. Këtu vijnë si zengjinët europianë venë në Zvicër, në behar, për fresk, shtëpi e dytë ose e tretë.

Mbreti Agron zbret në Gjergjevicë. Gjergjevica i përket Korçës. Mbretëritë e Oparit dhe të Korçës japin e marrin me njëra-tjetrën për mbarëvajtjen e punëve.

Gjergjevicë e tutje mbetem me vetëm 1 mbret.

Pak minuta përpjetë, në qafën ku e përpjeta mbaron, përballë më del pamja më madhështore, më spektakolare, më mahnitëse, mbi fytyrë të dheut: Opari, mali i vrerosur i Ostrovicës që prek qiellin me një përrua te këmbët. Dhe me radhë, nga jugu në veri, Gjonbabas, Çemerricë, Marjan, Lekas, e të tjera e të tjera pafund nuanca dhe ngjyra që Perëndia nuk i ka bërë të fotografohen dhe filmohen, të burgosen nëpër memorie elektronike dhe të shpërndahen me fibra, por të kqyren me sy.

Ngrihu nga divani ku shtrirë si derr sheh ditë e natë televizor, dhe hajde vrap në Opar, e mos më lodh mua të gjej figura dhe metafora, por eja shihe Oparin vetë.

Në fakt, ky udhëtim mbaron këtu. Në këtë pamje marramendëse, në këtë qafë, në këtë poezi. Gjithçka tjetër është prozë.

Por edhe proza ka sharmin e vet. Si ata të marrosurit pas kryeveprave muzeale që i afrohen e i largohen tablosë së adhuruar në distanca dhe kënde të ndryshme, nisem drejt jugut për te këmbët e Ostrovicës, Monalizës natyrore shqiptare.

Tek-tuk shtëpi të reja dhe bosh që presin të mbushen me klithma jete në behar.

Në Gjonbabas, si gjithkund tjetër, plot shtëpi bosh.

Tyrbe bektashiane.

Po aty, rrethuar me buste dhe gurë varresh, një gurgdhendës që di të flasë Purisht.

- A ka ndonjë baxho këtu?

- Baxho ka, por djathi, gjiza, dhalli, gjalpi, kanë mbaruar, dhe baxhoxhiu po fle.

Fshati Marjan, gjysmë i rrënuar, por edhe me shtëpi të reja, gjithashtu hesht.

E vetmja shushurimë e shurdhët që dëgjohet është ajo e turbinës së hidrocentralit mbi përrua.

Drejt Lekasit, rrëzë Ostrovicës, matanë përroit, ndërtesa dykatëshe me tulla si të qyteteve. Mbreti Genc thotë se atje gdhiheshin e ngryseshin të internuarit nga Korça.

Për shembull, mami-a që kryente aborte ilegale, apo një i gjallë që vidhte të vdekurit, u merrte kostumet etj. Të vdekur që vidhnin të gjallët, asnjë.

Në Lekas ka gjallëri.

Disa fuoristrada pranë bujtinës së vetme tepër moderne.

Disa zonja dhe zotërinj nga Korça, Tirana, diaspora, nuk kanë pritur ta shijojnë madhështinë oparake me kamera, celularë, selfie. Kanë ardhur ta shohin me sytë e vet.

Mbreti Genc insiston të më shoqërojë edhe pak në kthim, nëpër një rrugë tjetër që lidh Lekasin me qafën e famshme, së cilës askush s'ka guxuar t'i vërë një emër, te disa burime ku, po pive një gotë ujë, mund të hash mish sa të duash dhe nuk rëndohesh aspak.

Pas burimeve brisk të ftohta, Mbreti Genc më braktis. Ikën në sarajet e veta, njëra nga ato shtëpitë e internimit.

Pak kilometra pa vajtur në Voskopojë, nja 20 ose 30 turiste me shkopinj në duar. Të gjitha angleze. Të gjitha skeletike. Të gjitha full of life. Të gjitha me bindjen e patundur se Shqipëria është vendi më i bukur i botës.

Do vete në Opar përsëri e përsëri, derisa të takoj rrugës Mihal Gramenon dhe Themistokli Gërmenjin, ndoshta edhe mbretër, që flasin Purisht dhe e duan pafund vendin e vet.

Për fat, në kthim, Policia Rrugore nuk e ndaloi të dehurin me një liqen Pogradeci plot me Krrackë Opari.