Qent e zonjave. Qent e luksit. Qent e salloneve. Qent e banaqeve. Qent e gjahut. Qent e stanit. Qent e kufirit. Qent e kolibeve. Qent e kazanave. Qent e tredhur. Qent rrugaçë. Qent e braktisur.

Të gjithë këta qen u ikin zonjave, braktisin stanet, sallonet, banaqet, lënë kolibet, harrojnë sofrat ku po hanin e pinin e gogësinin, përmbysin tasat që sapo i zbrazën, këpusin zinxhirët ose litarët ku ishin lidhur, dhe nisin e lehin si të çmendur.

Për një arësye të vetme.

Sepse në Tiranë erdhi Lea Ypi.

S'kishim parë, as dëgjuar, kaq shumë lehje, si këto kur në Tiranë ja behu Lea e Kuqe.

Lea udhëton nëpër botë. Për punët e saja. Në universitetet më të shquara. Ku mban leksione, ligjërata, kumtesa. Në gjuhët kryesore të botës. Që i flet e i shkruan aq saktë, aq qartë, aq këndshëm, aq bukur, aq fuqishëm, me aq logjikë, zjarr dhe stil, sa mahnit vendalinjtë ku ka vajtur mysafir. Qofshin amerikanë, francezë, italianë, gjermanë, të bardhë, të verdhë, të Kuq, të zinj.

Lean e Kuqe e ftojnë në takime autoritete nga më të lartët dhe më të shquarit e botës; akademikë, deputetë, ministra, presidentë të vendeve pakrahasimisht më të mëdha dhe më seriozë se Shqipëria. S'kam dijeni nëse Lean e Kuqe e ka thirrur për konsultime ndonjë Mbret, Sulltan, Car, Krajl apo Kalif. Por s'është çudi të ketë ndodhur.

Vijnë e ikin në Tiranë dosa e derri nga an' e anës së botës. Dhe s'ndodh asgjë. S'kujtohet asnjë. S'i intereson askujt. S'leh askush.

Me të ardhur në Tiranë Lea e Kuqe, tundet dheu, erret dielli, nisin e lehin qen e zagarë me turi nga qielli.

Nëpër botë Leas së Kuqe i kushtojnë mikpritje, i rezervojnë mirsjellje. Në vendin e vet veçse lehje, veçse shpifje.

Në fakt, edhe me Ismail Qemalin, Shën Terezën, Ismail Kadarenë, kështu bënin dhe bëjnë lehëtarët e kudondodhur. Por për Lean e Kuqe kjo duhet marrë me rezervë. Se, ku i dihet, ndoshta lehjet janë një mënyrë shqiptareske për ta shpallur Lea e Kuqe Shenjtore për së gjalli.

I thonë Leas së Kuqe je  Marksiste. Se aq dinë. Aq mendojnë. Aq deduktojnë. Aq fantazojnë. Ashtu u është dukur koha kur Shqipëria ishte mbushur me burgje dhe pushkatime.

Me e qujtë hajdutët Lean e Kuqe marksiste apo komuniste. A ka nder më të madh ?

Lea e Kuqe flet e shkruan normalisht. Lehësit e zinj vetëm në gjuhë drunjtë, vetëm në Newspeak-un e Orwellit.

Lea e Kuqe ka individualitetin e vet, karakrerin e vet, është e ndryshme, është e dallueshme. Lehësat e zinj ngjajnë me njëritjetrin krejt si në filmin 1984, ku është e pamundur ta shquash Hasanin nga Hyseni apo Jorgon nga Jani, është krejt e pamundur.

Pamje apokaliptike. Kaos i përsosur. Çthurje totale. Botë distopike. Kohë për tu çmendur.

Megjithatë, ardhja e Leas në Tiranë, është një rast i mirë që Bashkia të bëjë punën e vet. Të ndajë njerëzit nga kafshët. Të klasifikojë lehësat. Tu lidhë qenve në qafë Medalionin e Qenit, titull që e jep një komision me në krye, jo një çapaçul që rrehet për pes lek, por një Bej që nuk korruptohet botën t'ja falësh. Medaljonin e Qenit t'ja japi qenit që e meriton, t'ja marri zagarit që me lehje e tepron. Mbi atë medaljon Bashkia do gdhendi në metal për çdo qen, emrin e qenit, emrin e pronarit të qenit, mosha e qenit, gjinia e qenit, prejardhja farefisnore qënërore, sëmundjet e trashëguara, është qen rrace apo qen ordiner, qen normal apo qen i çmendur, a ka bërë kontroll mjekësor për sy e veshë, a ka bërë analiza gjaku, si i rreh zemra, thjesht qen apo llapaqen, si i ka punët me diabetin, në ç'gjendje e ka prostatën, a e ka kontrolluar kokën me rezonancë magnetike, a ka çrregullime psiqike, e ka bërë apo jo vaksinën e çmendurisë, a ka marrë leje nga drejtori i çmendinës për tu arratisur, a i rrjedhin qurrat, a e nget kolla, a i ngrihet vegla, i ngjan iriqit apo kërrmillit, a i rrjedhin jargët etj.

Ardhja e Lea së Kuqe në Tiranë është gjithashtu një rast i mirë për studiuesit e Historisë së propullit tonë trim, puntor, rakipirës dhe paçengrënës, lidhur me çorapat që historikisht ka thurur, fitoret që ka korrur, shpinën që ka kërrusur, rrenat me të cilat ka rehatuar veten në shekuj.

Derisa të mbërrijnë rezultatet e atyre studimeve, le të shkyhemi së qeshuri duke kqyrur dhe duartrokitur gratis spektaklin më të çuditshëm të botës. Atë me popull zevzek dhe lehësa të çmendur gjatë Korridës me dema të zinj përballë Leas së Kuqe.