Nja dy orë nëpër Tiranë me autobus.
O Zot çfarë s'më panë sytë.
Të gjitha rracat; të bardhë, të zinj, të verdhë, edhe një të kuq besoj se e pash', madje dhe një alien dhe një eskimo mu duk se pashë.
Të gjitha karakteret; zevzekë, nervozë, çaprazë, çartallozë, të urtë, qaramanë, qyrranjosa, pordhacë, kapadainj, shpirtngushtë, zemërgjerë, surratgjërë, surratskuthë, shtatlartë, xhuxhmaxhuxha, xhepista, të rehatuar, të shqetësuar, optimista, pesimista.
Të gjitha shtresat sociale; fukarenj, zengjinë, hyzmeqarë, zotnilerë, nëpunësa, ushtarakë, intelektualë, të ditur, të paditur, injorantë, bujq, zanatçinj, beqarë, beqaresha, nxënësa, studenta, miopë me syze, pa syze sytë xixa.
Të gjitha gjendjet shpirtërore i pashë; të lumtur, fatkeqë, të çiltër, misteriozë të pazbërthyeshëm, naivë, dinakë, të qetë, të zemëruar, të hakërryer, që ndrinin, që nxinin.
Pashë gra, burra, të rinj, të vjetër, kalamaj, të bukur, të pabukur, të hijshëm, për ibret, nofullshtrembër, hunda sa e madhe, koka me qoshe, strabistë me sytë njëri andej tjetri këndej, me shall rreth qafës dhe qurra nga hunda për shkak të virozave, ca tullacë, të tjerë me leshra shumë, të krehur, të shpupurisur, me mjekërr, pa mjekërr, me kostume, me zhele, me vëthë, byzylykë, tatuazhe nga më të çuditshmet, lëvizje nga më të habitshmet, balle të ngushtë si prej shimpanzeje, balle të gjërë e të lartë prej mendimtarësh, gjeste që nuk i sheh as nëpër filma, tipa që s'i ka kap as pena e Dostojevskit, as peneli i Pikasos, as dalta e Mikelanxhelos.
Veç asnjë nuk pashë nga ata që flasin nëpër Foltore, shajnë e mallkojnë perëndimorët, bëjnë komente të ndyra me gabime ortografike prej analfabetësh nëpër rrjetat sociale, si dhe, gjithashtu nuk pashë asnjë nga ata që votojnë, rujna Zot, Sali Kullën.
Komente








