Viktima e vërtetë e skandalit të Sarandës quhet S. dhe në shkurtin e ardhshëm mbush 15 vjeç. I pëlqejnë kapelet, sandalet pa taka, xhinset dhe ëndërron një princ të kaltër. Më shumë nuk mundemi dhe nuk duam të themi. Kjo vajzë adoleshente është gjendur në qendër të një skandali më të madh se ajo vetë dhe ndërsa të gjithë thonë se skandalizohen për fatin që rrezikoi ta prekte ( një manjak plak 61 vjeçar e donte për vete, duke i premtuar në këmbim nënës punë në shtet), askush në të vërtetë nuk e mbron.
Duke filluar nga mediat, që pa skrupuj intervistojnë me fytyrë të zbuluar dhe publikojnë emër e mbiemër të nënës, nga e cila pastaj është e lehtë të kuptohet identiteti i vajzës. Edhe pse ligji (ashtu si dhe etika) ndalojnë përhapjen e çdo informacioni që lejon identifikimin e një të mituri, sidomos nëse është viktimë e ngacmimeve apo dhunës seksuale. Të shpërndash emrin dhe fytyrën e nënës, është mënyra më e thjeshtë për ta identifikuar.
Në të vërtetë as vetë nëna nuk po përpiqet shumë për ta mbrojtur nga kurioziteti i madh i publikut vogëlushen e saj S. Del përballë kamerave dhe nëpër studio televizive pa kërkuar asnjë ruajtje të privatësisë, e përfshirë nga një dëshirë e shpjegueshme hakmarrjeje ndaj dëmit të pësuar, deri në pikën sa të harrojë se për viktimën e këtij dëmi duhet të tregojë kujdes dhe respekt.

E në fakt për S. dimë gati gjithçka, deri edhe problemet e vogla të shëndetit për të cilat nëna kishte folur pa respekt me punëdhënësit e saj dhe me padrinot politikë, deri në tregimin e çertifikatave mjeksore të vajzës së re, duke tentuar të gjejë një vend pune më të mirë.

Skenari i zhvillimit të kësaj tragjedie njerëzore dhe sociale është shumë i trishtuar. Varfëria, mjerimi, degradimi moral i protagonistëve të saj i bashkohen cinizmit të politikës që nuk kursen rastet me shpresën që eshe nga ky degradim total të nxjerrë ndonjë përfitim sado të vogël.

Por me S, në emër të së cilës gjoja po bëhet kjo betejë principesh, në të vërtetë nuk po merret askush. Eshtë ajo viktima e vërtetë e kësaj historie dhe ndoshta, vetëm për të duhet më shumë respekt dhe të paktën një buzëqeshje.(c.b.)


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)