Pesë persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, janë arrestuar në Abu Dhabi me qëllim ekstradimin në Shqipëri. Katër prej tyre, konkretisht Kristo Qirici, Shkelzen Kraja, Ilir Lazri, Aleks Pepaj, janë të dyshuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, ndërsa Merxhan Celiku akuzohet për mashtrim kompjuterik.
Ndërkohë hetimet vijojnë për një tjetër person që gjendet në Dubai i dyshuar për përdorim të dokumenteve false.
“Interpol Tirana/Vijon operacioni i koduar “The Wanted”, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit me homologët në Abu Dhabi, janë kapur në Dubai dhe janë arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 5 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të kërkuar nga SPAK-u.
-4 nga këta shtetas, konkretisht K. Q., 44 vjeç, Sh. K., 44 vjeç, I. L., 30 vjeç, A. P., 38 vjeç, janë të dyshuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
-Shtetasi M. C., 34 vjeç, është i dyshuar për mashtrim kompjuterik.
Gjithashtu, vijon bashkëpunimi për verifikimin e një shtetasi tjetër shqiptar që ndodhet në Dubai, i cili dyshohet se përdor dokumente false.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin për finalizimin e procedurave të ekstradimit në Shqipëri, të 5 shtetasve të kapur në Dubai”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kristo Qirici alias Jetmir Hoxhaj apo Jetmir Qirici, e Shkëlzen Kraja dyshohen si pjesë e grupit kriminal që kultivonte kanabis në Sarandë dhe zonat përreth në vitet 2019-2021 dhe më pas droga trafikohej drejt Greqisë. Qirici është gjithashtu dhe vëllai i Edmond Papës, biznesmeni i ekzekutuar në dhjetor 2022.
Aleks Pepaj e Ilir Lazri janë pjesë e grupit kriminal të Jetmir Pepës, të akuzuar për trafik droge nga Amerika Latine drejt vendeve të BE. Ndërsa Merxhan Celiku është shpallur në kërkim për mashtrim kompjuterik si pjesë e grupit të Amant Josifit.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










