Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, lidhur me editorialin e përbashkët që ai ka publikuar me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç, në gazetën gjermane FAZ.

Thelbi i editorialit të përbashkët mes dy liderëve ishte se Shqipëria dhe Serbia pranojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian edhe pa të drejta vetoje, pa komisionerë shtesë dhe pa prekur strukturat vendimmarrëse të unionit.

Editoriali i publikuar në median gjermane propozonte që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen gradualisht në tregun e brendshëm të BE-së dhe në zonën Schengen pa qenë ende anëtare të plota të unionit.

Teksa po fliste për mediat në Kosovë, Gërvalla tha se qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur këtë artikull kryeministrit Rama. Gërvalla shtoi gjithashtu se nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë.

“Nga ana e kryeministrit Rama, i cili i tejkalon edhe ato kur kemi mbyllur njërin sy në të kaluarën, është artikulli i fundit i publikuar së bashku me Vuçiçin në gazetën prestigjioze gjermane.

Unë mendoj që qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur atë artikull kryeministrit Rama, sepse krijohet përshtypja herë pas herë që gjithmonë, atëherë kur Vuçiçin Europa e mbështet me shpatulla për muri, del Edi Rama dhe e nxjerr nga ajo situatë”, tha mes të tjerash Gërvalla.

“Nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë. Rruga nga Tirana për Beograd çon nëpër Prishtinë, edhe gjeografikisht, edhe ekonomikisht, edhe në çdo aspekt. Kështu, secili kryeministër apo president shqiptar që e harron këtë, ta dini që në afatgjatë ka për të bërë gabime të mëdha që kanë për ta dëmtuar kombin tonë më shumë”, vijoi më tej Gërvalla.

Kjo deklaratë e Gërvallës vjen pas një editoriali të përbashkët të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç, të publikuar në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ku diskutohej rreth procesit të integrimit në BE.

Sipas saj, problem i artikullit është propozimi që Serbia dhe Shqipëria të hyjnë së bashku në Bashkimin Europian.

“Problemi i artikullit nuk është pse Rama me Vuçiçin shkruajnë një artikull të përbashkët, por problem i atij artikulli është që propozimi është që Serbia dhe Shqipëria të hyjnë së bashku në Bashkimin Europian, duke mos përmendur në asnjë rrokje të vetme, pozicionin që ka Serbia në raport me Perëndimin, Rusinë, Kinën, Venezuelën, Iranin dhe forcat botërore që bien ndesh në çdo aspekt me përcaktimet tona për BE dhe NATO, por edhe me përcaktimet e Shqipërisë”- ka thënë ajo.