Edmond Arizaj: Pa ankesa, kandidatët janë të siglave, jo qyteteve

Edmond Arizaj: Pa ankesa, kandidatët janë të siglave, jo qyteteve

Kryeministri Edi Rama dhe deputeti Sali Berisha

Shërbesa e parë që do të bëjnë fituesit e këtyre zgjedhjeve do të jetë ndaj partisë. Jo ndaj qytetit. Qytetarët do të duhet të kënaqen me psalmet. Ata nuk kanë nxjerrë kandidatë. Atyre votojnë çfarë u vënë përpara.

Qytetet tona qenkan kaq të varfëra, kaq të paafta, kaq jomendimtare, kaq të rrjepura, kaq pa elitë, kaq pa fisnikë, kaq pa njerëz të shquar e të respektuar, sa nuk ka nga jugu në veri, nga qytet-djepe të shkronjave e shkollave në qytet-djepet e kulturës siç pretendojnë, qoftë edhe një, një të vetëm kandidat të mos jetë pjellë partiake, por qytetare, të mos vijë me zarf nga lartë, a me kryesi, “primare”, e kryetar, por të përzgjidhet si njeriu që ngjall besim nga vetë qytetarët, e partitë, kush të dojë, thjesht ta mbështesë. Të zgjidhet fiks si kryeqytetar

Të mos jetë, apo bëjë për qytetin në emër të politikës, por në emër të qytetarëve. Të mos ua njohë borxhin kryetarëve, por qytetarëve. Jepni dot një emër, qoftë sot, qoftë në 15 maj, se të paktën një nga fituesit, mund të triumfonte a minimalisht të konkurronte pa siglën e partisë, apo emrin e kryetarit? Madje edhe ata që kanë një, apo më shumë mandate, se për rishtarët nuk ka dyshime.

Si do të zgjedhim, kur nuk mund të shohim asnjë përballje sy më sy mes kandidatëve për t’i peshuar sa vlejnë, sa kapacitet kanë, sa elokuentë janë, çfarë dinë, si sillen, por vetëm deklarata, fjalime e spote të parapërgatitura? Kur nuk shohim minimalisht një përballje me pyetje qytetarësh e jo militantësh? Kur edhe vizionet nuk janë hiç të tyre, por të partisë.

Nuk është se ka qenë ndryshe vitet e tjera, por diku ka pasur edhe të pavarur. Diku, dikur është matur edhe pulsi i qytetarëve. Diku, dikur, njëra apo tjetra parti ka mbështetur dikë që e donin qytetarët. Diku, dikur, partitë madje janë bërë bashkë, për të mundur një kandidat që nuk e donin gjithë shqiptarët…

Është e kotë të bëjmë sikur ka garë ndokund. Gara është vetëm mes kryetarëve, ish- kryetarëve dhe ndonjëherë gjasme-kryetarëve. Kur nuk nxjerrim dot një kandidat në 61 bashki, që të mos ketë vulë partie, por qytetarësh, nuk di pse dhe për çfarë ankohen të gjithë?!

 

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç