Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me burgim të përjetshëm Edmond Lajçin për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukella.
Aktgjykimi është shpallur të premten dhe sipas tij ai dënohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Lajçi e ka pranuar fajësinë në seancën fillestare të mbajtur më 24 dhjetor në Gjykatën Themelore në Pejë.
Familjarët e Ukellës e kanë mirëpritur vendimin, shkruan Kosova Press.
Lajçi e ka qëlluar dy herë me armë zjarri në kokë viktimën, teksa në banesë ndodheshin dhe dy vajzat e tyre të mitura. Ende nuk dihet se cili ishte motivi i ngjarjes, teksa pas arrestimit, autori, i dënuar më parë me gjobë për dhunë në familje, ka pranuar krimin para policisë. Gjyljeta Ukella punonte prej dy vitesh si asistente në stomatologji.
Sipas kolegëve, ajo ishte një grua shumë punëtore dhe e urtë.