Selami deklaroi përballë gazetares Anduela Ndreu se Lulzim Basha kishte pranuar një marrëveshje paraprake që debati në Korçë të ishte i hapur, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
“Unë nuk e dija që debati në Korçë ishte me dyer të mbyllura, e dija se ishte me dyer të hapura. U befasova kur e mora vesh, që nuk ishin lejuar mediat. Hape Partinë Demokratike zoti Basha, shembe murin e “Berlinit” të autoritarizmit në PD, që të fitojë më i miri” iu drejtua Selami, kryetarit të ngrirë të PD.
Debati për Sorosin, Selami: Basha gënjen, e falënderoi për bursën
Eduard Selami e akuzoi Lulzim Bashën si gënjeshtar në debatin që u zhvillua në Korçë për fondacionin e Sorosit në Shqipëri. Sipas tij, Basha ka përfituar bursë studimi nga Soros dhe për këtë e ka falënderuar gjatë takimit që filantropi zhvilloi në selinë e PD, por në Korçë e mohoi.
Madje, Selami sfidoi Bashën duke thënë se nëse nuk ishte e vërtetë që ai e ka falënderuar Soros në selinë e PD gjatë takimit, largohet nga gara.
“Unë nuk kam kontakte të drejtpërdrejta. Fondacioni ka një bord në Shqipëri, ku kanë marrë pjesë edhe shumë figura të shquara, mes tyre edhe Ismail Kadare, dhe një prej tyre qëllon që të jetë edhe bashkëshortja ime, gazetare e nderuar për të cilën unë jam krenar, Ilva Tare, ajo ka qenë në këtë bord dhe tani me rotacion është kryetare e bordit, që nuk është pjesë e fondacionit, këtu filluan thashethemet
Basha foli e portretizoi me ngjyrat më të errëta, punë e tij, por nuk tha që kishte marrë bursë, unë e dëgjova kur e takova me Bashën. Unë për herë të parë Sorors e takova me Bashën, bashkë me Grida Dumën dhe Basha u tregua i ngrohtë me Soros dhe i shprehu shqetësimet për atë po ndodhte në Shqipëri, atëherë abuzimi fizik i Strazimirit. Aty tha edhe unë jam një njeri që kam përfituar nga bursa juaj.
Dhe unë i them në takim, meqë ne duam të jemi të hapur thuaje edhe këtu që ke marrë një bursë, pasi e falënderove. Meqë ishim të hapur duhet ta pranonte, ai tha kjo është propagandë dhe nuk e pranoi.
Nëse ka një regjistrim dhe une e kam dëgjuar me veshët e mi dhe nëse ti nuk i ke thënë, atëherë unë jap dorëheqje nga gara, se standardi është më i lartë se gara. Unë këtë standard kam edhe në jetën personale’ deklaroi ai.
Gara, Selami: Drekova me Patozin, Berisha më mbështet
Selami tregoi gjatë bisedës se ish-kryeministri Sali Berisha kishte mbështetur disa nga shqetësimet e tij për garën që po zhvillohet në PD, ndërsa zbuloi se kishte drekuar me Patozin, por nuk pranoi kërkesën e tij që të tërhiqej nga gara.
“E ftova për një drekë Patozin dhe ndamë shqetësimet, por nuk iu përgjigja ftesës së tij për të mos kandiduar. Jam takuar edhe me Berishën, takim ishte i iniciuar nga ai dhe ndamë shqetësimet në PD.
Iu mbështet? Po patjetër që më mbështet. Bëri thirrje për bashkim dhe unë jam dakord. Ka vend për të gjithë” tha ai.
Selami në fund të intervistës u shpreh se ende nuk e kishte listën e anëtarësisë që do të votojë për zgjedhjet e 22 korrikut.